Drejtësi për viktimat e shantazheve të dosjes 184 në Dibër

245
Sigal

Qytetarët: Na hoqën bukën për votën pasi nuk pranonin të votonin për Partinë Socialiste

Viktimat e shantazheve për vota në Dibër nuk besojnë se do ketë drejtësi për “Dosjen 184”

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Dibër shtyu seancën për “Dosjen 184”, për blerjen e votave në Dibër, pas kërkesës së përfaqësuesit të Partisë Demokratike për përjashtim të trupës që refuzoi dhënien e përgjimeve audio.

Të thirrur si dëshmitarë, viktima të shantazhit dhe ndëshkimeve për shkak të qëndrimeve politike në zgjedhjet e pjesshme lokale të Dibrës në vitin 2016, qëndruan për orë të tëra para Gjykatës në Dibër, por nuk patën mundësi të tregojnë historinë e tyre, pasi seanca u shty pas një kërkese të avokatit të Partisë Demokratike.

Të ndëshkuar me heqje të ndihmës ekonomike apo largime nga puna, dëshmitarët dyshojnë se për dosjen do të bëhet drejtësi, ndërsa thanë se ishin ndëshkuar për shkak të bindjeve politike.

Haki Çenga, që përfaqësonte në gjykatë të birin e pamundur  tha se edhe dërgimi i çështjes në Dibër është bërë që të mos bëhej drejtësi. “Po të kishte drejtësi, kjo dosje nuk do të kishte ardhë në Dibër, por do e kishte marrë në dorë SPAK-u. Por meqë nuk ka drejtësi, prandaj e sollën këtu”, thotë burri që tregoi se të birit me tre fëmijë i kishin hequr ndihmën ekonomike pasi kishte refuzuar të votonte kandidatin e Partisë Socialiste.

 

Ndërkohë seanca paraprake që do shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për të çuar në gjykim për abuzim detyre ish-shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga dhe tre ish-zyrtarë lokalë dhe pushimin e çështjes për akuzën e “dhënies së shpërblimeve dhe favoreve” për vota për 8 të akuzuar u shty këtë të premte për herë të dytë.

Seanca u shty pas refuzimit nga gjykata të një kërkese të Partisë Demokratike që përfaqësohet në gjyq si kallëzuese për të marrë materialet audio të dosjes. Pas rrëzimit të kërkesës avokati i PD kërkoi përjashtim të gjyqtarit të çështjes Xhevdet Lika, për të cilin tha se ishte i njëanshëm.

Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarve kërkoi pushimin e çështjes, duke arsyetuar se nuk kishte prova për akuzat. Ai po ashtu kundërshtoi kërkesën e PD për të marrë materialet audio.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, pasi u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës.

Dosja 184 sëbashku me dosjen tjetër me nr.339, që i përket hetimeve të një organizata kriminale në Durrës të përfshirë po ashtu sipas prokurorisë në blerje votash dhe shantazh zgjedhësish, u bënë shkak për bojkotin e parlamentit dhe më pas edhe të zgjedhjeve lokale nga opozita, duke futur vendin në një nga krizat më të thella politike.

Kërkesa për përjashtim të trupës

Avokati Indrit Sefa, përfaqësuesi i Partisë Demokratike i kërkoi gjykatës që në fillim të seancës që të merrte në dorëzim materialet audio të përgjimeve. “Në fashikujt e zbardhur që ne i kemi parë ka shumë biseda të pa transkriptuara. Ose janë transkriptuar në mënyrë pjesore. Kjo ka shtuar dyshimet, prandaj dhe ne kemi ngulmuar për marrjen e këtyre materialeve audio”, tha Sefa.

Ai tha se prokuroria dhe gjykata kishin refuzuar kërkesën që sipas tij ishte themelore për palët.

Arsyetimi i gjyqtarit, ishte se dhënia e materialeve audio të përgjimeve mund të cënonte privatësinë e personave të mbajtur në përgjim. Petrit Ismaili, avokat i 4 të pandehurve në këtë proces gjyqësorë, u shpreh se gjykata mori një vendim të drejtë për mos vendosjen në dispozicion në përgjimeve audio. “Nga ana proceduriale mendojmë që nuk ka prova nga ana e prokurorisë dhe përgjimet janë të papërdorshme”, tha Ismaili.

Në seancën e të premtes u përfaqësua me avokat edhe kryebashkiaku aktual i Dibrës Dionis Imeraj. Imeraj ishte i kallëzuar në çështje, por ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, përfshi ish-ministrin Damian Gjiknuri nuk janë ngritur akuza.  Avokati i tij Halil Zhuka kërkoi pushim e çështjes për klientët e tij, pasi nuk është provuar kryerja e veprës penale. “Ne i kërkuam gjykatës pranimin e kërkesës për pushimin e kësaj çështje, për dy personat që unë përfaqësoj në këtë proces, Dionis Imeraj dhe Bekim Krashi. Sepse për ta nuk është provuar kryerja e veprës penale,” – u shpreh Zhuka.

Prokuroria e Dibrës pretendon se ka “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e pjeshme të vitit 2016, por për shkak të kohës së kaluar, krimi ështe parashkruar. Në gjykatë u dërguan vetëm 4 zyrtarë lokalë të akuzuar për kërcënim të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre.

Të akuzuarit, që sipas prokurorisë u provua se kishin kryer blerje votash në mënyrë të organizuar, janë Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), Robert Aga, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi, Nuri Meda, Fatbardh Lala, Ylli Mikli, Dik Spata.

Prokuroria ka kërkuar gjykim për ish-Shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga, për “shpërdorim detyre”, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë lokalë, Drini Gjeçi, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve” Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës, për “shpërdorim detyre” dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

I vetmi prej të akuzuarve i pranishëm në seancë ishte ish-shefi i komisariatit të Dibrës Robert Aga. Aga refuzoi të komentonte pas seancës.

Dëshmitarët: Na hoqën bukën për votën

Mensur Selxhaferri është banorë i fshati Brezhdan dhe ishte thirrur nga gjykata si dëshmitar për akuzën e  “kanosjes së zgjedhësve”. Ai ishte në listën e personave të cilëve iu hoq ndihma ekonomike pas zgjedhjeve nga administratori i njësisë vendore Tomin, Nuri Meda.

Ai tregon , se një veprim i tillë i ‘pushtetit’ për t’i hequr ‘bukën e gojës’ ka ardhur pasi ai nuk ndryshon idetë e tij politke. “Jam thirrur si viktimë e heqjes së ndihmës ekonomike, nga administratori Nuri Meda. Kaq. Ndihma ekonomike mu hoq vetëm pse unë mendoj ndryshe, dhe nuk votojë majtas.”- u shpreh Selxhaferri.

Ai tregon se një veprim i ngjashëm është ndërmarrë edhe ndaj shumë bashkëfshatarëve të tij që nuk pranonin të votonin për Partinë Socialiste në vitin 2016-të. “Këtu na ka thirr gjykata. Për këtë çështje gjykata nuk është se na ka marrë noj deklaratë. Asnjë lloj gjëje. Ne na thonë se po nuk erdhe në gjyq të marrim forcërisht, ndërsa kryetari i bashkisë nuk vjen në gjyq. Ma turp se kjo nuk ka. Edhe këtë senacë nuk na e kanë dhënë të drejtën e fjalës,” thotë Selxhaferri.

Haki Çenga nga fshati Pilafe në Peshkopi, ka ardhur në seancë për të përfaqësuar të birin që ai thotë se ishte i pamundur. “Në këtë procesin e famshëm të dosjes 184, djali është palë e dëmtuar”, thotë ai. Ai tregon se të birit i kanë hequr ndihmën ekonomike sepse ishte me partinë demokratike. “Ai ka tre fëmijë. Bashkë me bashkëshorten bëjnë 5 frymë në shpi”, thotë Çenga.

Ai thotë se heqja e ndihmës për votën është veprim diktatorial. “E kam jetu atë regjim dhe këta po bëhen edhe më keq se Enver Hoxha.”-shprehet Çenga.

Disa dëshmitarë të tjerë të thirrur po si të dëmtuar në gjyq refuzuan të flisnin me emër.  Dëshmitarët dyshojnë se për çështjen do të bëhet drejtësi. “Kur është bërë ndonjëherë drejtësi për peshqit e mëdhenj në Shqipëri të bëhet sot. Do merren me ne sardelet që jemi këtu. Që vijmë në gjyq se na marrin për leckash.”-u shpreh njëri nga dëshmitarët e thirrur nga gjykata, që kërkoi të mos i bëhej publik identiteti.

Seanca e radhës për të ashtuquajtur “Dosja 184” do të zhvillohet më 12 shkurt, ora 11:00, pasi një trupë gjykuese tjetër të vendosë për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit.