“Do fitoni shumë para”, si u mashtruan mijëra europianë nga Call-Centerat për të investuar, të dyshuarit pjesë e rrjeti OCG, ja platformat e përdorura

115
Sigal

Katër persona të arrestuar dhe gjashtë të tjerë në kërkim pas operacionit të SPAK dhe Policisë Shqiptare në bashkëpunim me ekspertët e krimeve kibernetike të policisë spanjolle Guardia Civil dhe Mossos d’Esquadra dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Në hetimet e SPAK rezultoi se të dyshuarit i përkasin një rrjeti kriminal me emërtimin (OCG), që besohet të jetë i përfshirë në fushën e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet sistemeve kompjuterike duke përdorur për vjeljen e të ardhurave, kriptovalutat etj. Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike (Call Center) në disa vende dhe qindra platforma në rrjet, për të kryer mashtrimet kompjuterike.

Të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës që do të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash me investime të vogla. Në realitet grupi i strukturuar kriminal i mashtroi viktimat, duke fituar besimin e tyre në internet dhe duke ngritur profesionalisht qendra telefonike (Call Center), ose mënyra të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale. Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit të kontrolluara nga grupi i strukturuar kriminal, duke shkaktuar humbjen e shumave të mëdha të parave.

Disa nga platformat e përdorura janë: Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc, FXNobel, Cryptokartal, Centrobanc, GoldmanBank, TopTradePro, GSI-MARKETS etj.

Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambiente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë të cilat gjatë periudhës hetimore kanë pasur dhe ndryshime vendndodhjesh, emërtimesh por dhe bashkime më njëra tjetrën për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.

Po kështu janë kryer 11 kontrolle qendrash thirrjeje dhe banesa dhe janë arrestuar/ndaluar 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar) si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.