Dita e Verës, Bashkia Tiranë: Ja aktivitetet që do të zhvillohen nesër

584
Sigal

Bashkia e Tiranës me rastin e Ditës së Verës do të organizojë aktivitete të ndryshme në sheshin “Nënë Tereza” dhe te diga e Liqenit Artificial, duke nisur nga ora 10.00:
 
Tapeti i luleve: Do të pikturohen me shkumës lule gjigande nga studentë të Universitetit të Arteve, të cilët do të krijojnë një tapet lulesh në shesh. Për këtë punë artistike do të angazhohen një numër shumë i madh artistësh nga Universiteti i Arteve. 
 
Panairi Eko: Kompani lulesh dhe riciklimi do të bëhen pjesë e këtij panairi, ku do të krijojnë një kopësht të madh në sheshin  “Nënë Tereza”, ndërsa kompanitë e riciklimit do të promovojnë punimet e tyre të realizuara nga mbetjet urbane, duke dhënë mesazhin që riciklimi i mbetjeve i shërben një mjedisi më të pastër. Riciklimi nga shkollat 9 vjeçare të Tiranës, të cilat do t’i bashkëngjiten panairit të riciklimit për të promovuar punët e tyre si model e mesazh për të gjithë nxënësit.
 
Performacat artistike: Një grup prej 20 artistësh do të jenë prezentë gjatë gjithë ditës. Këta artistë do të jenë të llojit karikaturistë, grupe xhazi, piktorë, instrumentistë, fotografë, grupe cirku, street- artistë etj. 
 
Kulinaria e produkteve, “Jeto eko – Festo eko”!, ku subjekte të ndryshme do të bëhen pjesë e kulinarisë, si model për të promovuar produkte ushqimore natyrale.  
 
Pikturo lulen tënde! Në një kënd të caktuar të sheshit, 4 artistë të rinj do të pikturojnë lule dhe pemë me shkumës ekologjik, si një lloj “proteste” për një ambient më të pastër.

Agrokultura: Në aktivitet do të marrin pjesë disa gra të cilat do të sjellin për ekspozim produktet e tyre agro. Produktet e bujqësisë dhe agrobiznesit do të jenë nga të gjitha vendet e Shqipërisë. 
 
Aktiviteti “Show Akrobatik me Rastin e Ditës së Verës”, do të realizohet në bashkëpunim me Aeroclub – Albania dhe do të zhvillohet në digën e Liqenit Artificial të Tiranës, ku shtatë pilotë të nivelit më të mirë botëror do të performojnë akrobacira dhe lojra në prani të shumë spektatorëve, për rreth dy orë. Aeroclub – Albania është e vetmja shkollë për pilotë që fluturojnë me velë dhe që mundëson mësimin e manovrave ekstreme akrobatike. Ato zhvillohen përherë mbi ujë, për arsye sigurie. Aeroclub-Albania ka një traditë disa vjeçare duke organizuar shumë evente sportive. Manovrat dhe figurat akrobatike janë të shumta dhe tejet dinamike, me shpejtësi dhe lëvizje e rrotullime të rrufeshme.