Të gjendur në këtë situatë, shumica e të rinjve shqiptarë në grupmoshën 15–29 vjeç shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre. Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje. Luhatjet në arsim dhe punësim e kanë çorientuar rininë, e cila, në vend që të reagojë dhe të kërkojë llogari, po zgjedh largimin.
Në 13 vite të rinjtë tkurren me 45%
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45 për qind më pak se në censin e vitit 2011. Rënia e popullsisë së re në moshë më shumë sesa me lindjet më pak lidhet me emigracionin e lartë, që ka marrë përmasat e pandemisë në këtë grup-moshë. Numri i të rinjve ndërmjet dy censeve 2011–2023 ka rënë tre herë më shumë se popullsia e përgjithshme. Në arsim, të dhënat e vitit 2024–2025 tregojnë se numri i nxënësve dhe studentëve po vazhdon të tkurret. Regjistrimet në sistemin parauniversitar kanë rënë, veçanërisht në arsimin 9-vjeçar, ndërsa edhe universitetet po përballen me më pak aplikime dhe më shumë braktisje.




















