Dita e Kujtesës – Presidenti Nishani nderon ushtarët britanikë

452
Sigal

Presidenti i Republikës,  Bujar Nishani mori pjesë në ceremoninë solemne të Ditës së Kujtesës, ku u përkujtua dhe u nderua heroizmi dhe sakrificat e ushtarëve dhe civilëve britanikë të rënë në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët tashmë prehen përjetësisht në Parkun Kombëtar të Liqenit Artificial të Tiranës.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës fillimisht u krye shërbesa fetare me lutje dhe përshpirtje për të rënët, ku u përkujtua edhe Kapiteni shqiptar Feti Vogli, i cili humbi jetën në Afganistan në vitin 2012.

Më pas Presidenti Nishani nderoi dhe u përul me respekt para veprës heroike të të rënëve britanikë, në kujtim të të cilëve vendosi edhe një kurorë me lule në emër të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë në Memorialin kushtuar ushtarakëve dhe civilëve britanikë që humbën jetën në Shqipëri gjatë viteve 1939-1945. Presidenti Nishani vlerësoi heroizmin e tyre, të cilët dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot dhe për vlerat universale të demokracisë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Duncan Norman MBE, përfaqësues të shumtë të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të komuniteteve shqiptare si dhe të shoqatave të të përndjekurve politikë, etj.