Dita e dytë e “shtetrrethimit”, shqiptarët izolohen nga Koronavirusi, nuk festohet as ‘Dita e Verës’

354
Sigal

Shqipëria gdhihet në ditën e dytë të “shtetrrethimit”. Dita e Verës nuk do të festohet sot me grumbullimet e qytetarëve në Elbasan apo edhe në Tiranë.

Shtetrrethimi i vendit është shtrirë në 6 qarqet më të rrezikuara të vendit, ndërkohë që nga ora 6 e mëngjesit të së dielës do të ndalohet qarkullimi për katër akse rrugore nga veriu në jug: Fier- Vlorë, Vlorë- Lushnje, Shkodër- Lezhë dhe Elbasan- Korçë.

Të gjithë ata që janë larguar nga banesat e tyre për të shijuar fundjavën, kanë afat nga e diela në mesnatë deri në mëngjesin e së hënës në orën 08:00 të kthehen në shtëpitë e tyre, në të kundërt do të mbeten të izoluar në vendin ku kanë shkuar për pushime.

Ndërkohë që në të gjithë vendin është paralizuar çdo biznes, të vetmet të hapura janë ushqimore dhe farmacitë, të cilat kryeministri Edi Rama i paralajmëroi se nëse do të abuzojnë me çmimet do të përballen me sanksione të rënda.

Stafi mjekësor në kryeqytet lëviz me mjete të posaçme, të cilët kanë një orar të caktuar nga Bashkia, ndërsa makinat private janë të ndaluara për qytetarët që nuk kanë leje të posaçme me vete.

Ata mund të gjobiten apo të humbasin patentën e tyre, deri më tani janë ndëshkuar 509 shoferë “të pabindur”.

Qarkullimi është ndaluar edhe jashtë Shqipërisë. Sot nuk mund të hysh apo të dalësh në Greqi.

Ndërkohë që kufiri është mbyllur edhe me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, ndërsa Turqia ka njoftuar ndërprerjen e fluturimeve me Shqipërinë. Pas dy rasteve të konfirmuara në Kosovë, është mbyllur kufiri edhe me ta, përveç kategorive ‘speciale’.