Dita e 17 e grevës, gratë naftëtare vijojnë të ngujuara në uzinë: Rama duhet të zgjidhë problemin!

256
Sigal

Greva e grave naftëtareve ka hyrë sot në ditën e saj të 17. Edhe pse gjendja shëndetësore e tyre nuk është e mirë ato këmbëngulin që të mos heqin dorë nga greva.

Disa nga gratë naftëtare kanë qëndruar në spital për tre ditë për shkak të gjendjes së tyre të keqe shëndetësore.

Pasi kanë dalë nga spitali ato janë rikthyer sërish në greve dhe deklarojnë se nuk do të dalin nga uzina pa marrë pagat e tyre.

Ato gjithashtu janë shprehur se greva nuk do të mbarojë pa shkuar Kryeministri Rama të negociojë me grevistet.

“Sot është dita e 17-të. Nga shëndeti nuk jemi aspak mirë. I shërbejmë dhe e shikojmë njëra tjetrën në sy që të gdhihemi të nesërmen dhe themi shyqyr o Zot.

Mosreagimi i kryeministrit na bën akoma më të forta. I lutemi kryeministrit që të reagojë një sahat e më parë se po na vdes çdo ditë e më shumë.

Jemi shumë keq, po na vret stresi, të zgjidhë problemin. Nga greva nuk dal, këtu do të rrimë të ngujuara”, është shprehur një nga grevistet.

Naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë prej afro një muaji, ku protestojnë për të marrë pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem.

Fillimisht u futën në grevë burrat naftëtarë dhe më pas këta u zëvendësuan nga gratë, pasi u rëndua gjendja e tyre shëndetësore.

Pak ditë më parë, kreu i sindikatës Sokol Dautaj së bashku me disa naftëtarë zhvilluan një takim me përfaqësuesit e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, por takimi nuk ka përfunduar me sukses.

Sipas Dautajt në takim u dhanë vetëm premtime boshe. Ndërkohë gjendja shëndetësore e naftëtarëve rëndohet nga dita në ditë.