Dhiogjen Gjergji/80-vjetori i lindjes të të paharruarit Mite Guga, Shkencëtari që la emër

    Ai që vdes dhe vepra i mbetet, është i pavdekshëm”.   

    Zakonisht me kalimin e viteve kujtimet zbehen dhe firojnë, por për Mite Gugën ato forcohen e ndriçojnë, “saldohen” në mendjen dhe zemrën e familjes, tek të afërmit, miqtë dhe shokët.  Mitja kurdoherë është midis nesh. Kujtimet për të na i ngacmon dhe na i përtërin në mënyrë të përkryer bashkëshortja e tij, Maria në botime dhe shkrime, në biseda, takime e veprimtari të ndryshme. Ajo e njeh në mënyrë të përsosur aktivitetin e tij, rrugën që ai ka përshkuar, se ata ishin një çift ideal, një familje model. Ajo  nuk e vlerëson vetëm si bashkëshort, por edhe si baba të fëmijëve, si qytetar e pedagog, si letrar etj. Mite Guga ka patur një jetë të pasur dhe të pastër. Udhët e jetës së tij kanë qenë plot mirësi për njerëzit, objektet, vendet e gjithçka tjetër. Ai përgjërohej për fshatin e tij, për njerëzit aty, për bregoret, fushat, për zogjtë dhe bëhej pjesë e këtij peizazhi të mrekullueshëm. Edhe drizat, lofatat e manushaqet o kodrave të Humelicës kënaqnin shpirtin e tij, ashtu dhe panoramat rreth e rrotull, Cepua, Mali i Lunxhërisë, Çajupi e Odria, i lehtësonin frymëmarrjen dhe e frymëzonin për punë krijuese. Mite Guga u fliste dhe gurëve të udhës,- thonë bashkëfshatarët e tij dhe më gjerë. Ai kishte dashuri të madhe për njerëzit, për këtë krijesë e kryevepër të natyrës. Ai ishte rrëfimtar i rrallë dhe i këndshëm në mjediset shoqërore e në gëzimet familjare, dhunti kjo e kulturës së tij të gjerë. Në shpirtin e Mite Gugës nuk kishte vend për ligësi. Komshinjtë e mi në Sarandë më thoshin: “Familja që rrinte në shtëpinë tonë kur ti ikje me pushime, ishte një familje shembullore, e folur dhe e shkuar me njerëzit edhe pse nuk njiheshim, por ata komunikonin e silleshin me ne sikur ishim njohur më parë. Asnjë shqetësim nuk na krijuan, kryenin detyrat që u takonin si banorë të pallatit. Këto për ne si familje nuk na bënin shumë përshtypje, se njiheshim, por përsëri na vinte mirë kur ata kishin përshtypje të tilla”. Njeri punëtor, studiues i shkëlqyer në përvetësimin e programeve mësimore, matematikan i zoti, i uritur për dije dhe shkencë. Ai mbrojti dizertacionin dhe mori gradën “Kandidat i Shkencave” me punë dhe djersë, larg fiktiviteteve meskine dhe botoi 30 libra, në ndihmë të mësuesve e të studentëve për “mbretëreshën e shkencave”, matematikën. Ishte pedagog pasionant. Kur shpjegonte mësimin apo jepte leksionin, edhe bankat e tavolinat “bëheshin me vesh”, pa folur për nxënësit e studentët. Orën e matematikës e bënte të gjallë, larg formalizmit. Ndrisnin klasat dhe auditorët kur ai zhvillonte mësimin dhe leksionet, qeshte dhe mjedisi, pavarësisht hijes së rëndë të lëndës që jepte. Bashkë me shokët ai ngriti nivelin e arsimimit në fushën e vet dhe më gjerë, sepse ai kishte taban vlerash njerëzore. Mite Guga ishte intelektual i kompletuar, i gjithanshëm. Njihte mirë edhe fusha të tjera, historinë, kulturën, artin, sportin. Ishte veprimtar i palodhur, i dalluar dhe aktiv. I shkrirë me nxënës e studentë, gjithë autoritet. E gjeje kudo me rininë në veprimtari jashtëshkollore. Shkroi mbi 500 këngë, 11 nga të cilat fituan çmim të parë në Festivalet Kombëtare. Shumë spektatorë, sa dëgjonin një këngë, e kuptonin se autor i tyre ishte Mite Guga. Bashkë me rininë merrte pjesë në aktivitete sportive. E shihje si ngjitej maleve si alpinist. Merrte pjesë në shah, lojtar mjeshtër. Ishte njeri me botë të gjerë, horizont e hapësirë të madhe si vetë natyra që e admironte me pasion. Kalonte nga Mali i Gjerë në Çajup e Sopot: shikonte, meditonte, frymëzohej, thurte poezi, mblidhte lule, buqetën e parë me të cilat ia çonte të freskëta dhuratë, Maries së dashur. Vitet iknin dhe erdhi një ditë që njeriu, mësuesi, pedagogu, shkencëtari Mite Guga, merr rrugën e emigracionit në vendin fqinj. Ndjek dhe ai karvanin e madh të emigracionit. Kështu u rrokullisën situatat. Familja “Guga” ikte dhe kthente kokën prapa nga Humelica, nga Gjirokastra, nga shtëpia e dashur, çfarë e brente, çfarë e mundonte… Në krahë të Mites si gjithnjë, Maria e tij e dashur. Ecin dhe ecnin e ajo shihte të shoqin e saj të dyzuar që shkonte në dhè të huaj. Vështirësi të shumta, punë të rëndomta për pedagogun shkencëtar, për Marien mësuese, për vajzat e tyre si lule. Në mërgim ishte Mite Guga, por zemrën dhe mendjen i kishte në Shqipërinë e dashur, tek njerëzit, në bindjet e tij të patjetërsuara. Kishte raste që ai Mite me karakter të fortë, t’i vareshin lot në faqe. Ishin lot të atdhetarit të flaktë. Njeriu është me gjak, me shpirt e me zemër dhe tek Mite Guga flakëronte malli për baltën e vendit të tij, që është më e ëmbël se mjalta. Por natyra, veç. të mirave, ka edhe gjëra të hidhura, sëmundje të ndryshme. Ajo hedh mbi Miten leuceminë e llahtarshme. Dyluftim me të! Mitja e studionte dhe e tregonte leuceminë sikur të ishte mjek. Në dallgët e kësaj lufte për jetën gjente forca për ta sfiduar e mundur. Qëndronte shtrirë, në një krah studionte, në krahun tjetër punonte. Edhe sëmundja “e shihte” se e kishte vështirë ta mposhtte këtë njeri të hekurt. “Jo, nuk dorëzohem, dua të jetoj dhe ca, kam shumë punë për të bërë”,- shprehej Mitja. Më 19 shkurt të vitit 2000, Mite Guga u shua fizikisht. Humelica, Paleokastra, Gjirokastra dhe më gjerë, heshtën, pastaj vunë kujën për këtë humbje. Nder, respekt dhe nderim Mite Gugën në 80-vjetorin e lindjes së tij!

    NOA