DETAJE/ Plagosi me armë dajë e nip, zbulohet shkaku i ngjarjes. Sherri nisi katër muaj më parë

277
Sigal

Dajë e nip u plagosën me armë zjarri pas një sherri banal në Kurbin.

Sipas informacioneve të dhëna nga Policia, ngjarja ndodhi në afërsi të Urës së Drojës në kufirin ndarës mes Krujës dhe Kurbinit, ndërsa të plagosurit janë Agron Mema dhe Klevis Leka përkatësisht 50 dhe 30 vjeç.

Ata u qëlluan me automatik teksa po udhëtonin me një automjet në rrugën kryesore. Dy nga plumbat e qëlluar i prekën në pjesën e këmbëve, ndërsa u dërguan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, identifikoi në një kohë të shpejtë autorin e plagosjes së dyfishtë. Ai është shtetasi Aurel Shurbi, i cili në pamundësi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, u vetëdorëzua te shërbimet e Policisë disa kilometra larg vendit ku plagosi dy shtetasit e mësipërm.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij në flagrancë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, u gjet dhe u sekuestrua edhe arma e zjarrit kallashnikov me të cilën autori plagosi dy shtetasit (dajë e nip).

SHKAKU I PLAGOSJES

Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një sherri banal, i cili e kishte zanafillën 4 muaj më parë, por që gjatë kohëve të fundit kishte agravuar mes palëve, të cilët i kanë banesat afër njëri-tjetrit, në Mamurras.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se vëllai i autorit kishte debatuar kohë më parë me 30-vjeçarin Klevis Leka, me pretendimin se gjatë manovrave me automjetin e tij, i kishte rrezikuar jetën.

Që prej asaj kohe, ata ishin përplasur disa herë me njëri-tjetrin dhe gjatë mbrëmjes së të martës, 30- vjeçari Leka kishte lëvizur disa herë para banesës së familjes Shurbi. Këta të fundit i kanë quajtur provokim veprimet e tij dhe i kanë kërkuar të largohet, por ai nuk i është bindur dhe debati mes tyre ka agravuar.

Në këto kushte, autori ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të automjetit që po lëviznin dajë e nip. Fatmirësisht, plumbat nuk i kanë prekur organet jetësore, ndërsa mbetën të dy të plagosur me nga një plumb të marrë në këmbë.

Ata kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Kurbinit, ndërsa më pas janë nisur për në Spitalin e Traumës për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë, Policia ka shoqëruar edhe familjarët e dy palëve të përfshirë në konflikt, të cilët kanë sqaruar edhe shkakun e sherrit.

Sipas burimeve nga Policia, mësohet se familjarët e autorit kanë fajësuar të plagosurit se nxitën sherrin mes tyre, i cili degradoi më pas në përdorimin e armës. Ndërkohë, autori Aurel Shurbi nuk mundi të arratisej nga vendi i ngjarjes.

Ai vendosi të vetëdorëzohej në Polici, duke sqaruar më pas edhe pse qëlloi ndaj dajës dhe nipit, teksa bënin manovra të rrezikshme me makinë dhe provokime të ndryshme.

Po ashtu, dëshminë e kanë dhënë edhe të plagosurit, të cilët janë shprehur se nuk kanë bërë asnjë provokim ndaj autorit, përveçse kanë lëvizur me makinë për arsye personale e familjare.