Denar Biba e pranon: Gjyqtarit Bianku i kërkova të ndihmonte për gjyqet e pronave

666
Sigal

Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës zyrtarizoi nisjen e hetimeve për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në lidhje me audio-përgjimin mes zëvendëskryetarit të KQZ-së, Denar Bibës dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, Biba tregon rrethanat e bisedës së përgjuar mes tij dhe gjyqtarit të Strasburgut.

Biba tregon se Biankun e ka takuar si mik, ku i ka bërë të ditur edhe qëllimet e vizitës: “Nuk e kam takuar me asnjë lloj autoriteti nga shteti shqiptar, por thjesht si mik. Kam biseduar, se përse isha në Strasburg dhe qëllimin e kërkesës së shtetit shqiptar për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve për pronat. I kam kërkuar mendim dhe e kam pyetur nëse ka pasur kërkesa të tilla të ngjashme më përpara në Gjykatën e Strasburgut. E pranoj që i kam kërkuar që, nëse kishte mundësi, brenda hapësirave ligjore, të ndihmonte që shtetit shqiptar t’i pranohej kjo kërkesë”. Biba tregon edhe atë pjesë të bisedës së përgjuar që nuk është publikuar dhe që ka të bëjë me reagimin e gjyqtarit të Strasburgut Ledio Bianku: “Bianku në asnjë moment të bisedës nuk u ngrit të më thoshte se biseda ishte e papërshtatshme dhe se duhej të ndërpritej menjëherë. Për fat të keq, pasi ka përfunduar bisedën me mua, ka shkuar dhe i është ankuar kryetarit të Gjykatës së Strasburgut në lidhje me këtë bisedë, por edhe ky ankim ka qenë formal, në kuadrin e një bisede mes tij dhe kryetarit të Strasburgut”.

Por, përse është përgjuar një bisedë normale mes miqsh?

Për këtë pyetje, Biba ka këtë përgjigje: “Kjo është dilema më e madhe që kam. Nuk kam një përgjigje për këtë. Biseda është përgjuar aty për aty. Ata që e kanë bërë, nuk dua të përmend emra, uroj t’i kenë parë hairin”. Ndërkohë, për herë të parë që nga dalja e audio-përgjimit, Denar Biba tregon se ishte lajmëruar pikërisht nga miku i tij Ledio Bianku se do të dilte në media diçka rreth bisedës së tyre. “Pardje në mëngjes më ka marrë zoti Bianku dhe më ka thënë se do të dalë diçka në media. Nga ai moment, nuk kam pasur komunikim të përshtatshëm, apo të papërshtatshëm me zotin Bianku”, – thotë Biba.