Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve, Mirakaj: Qeveria e Majtë ta përfundojë brenda mandatit

    Në katër vjet maxhoranca e Djathtë ka dhënë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë më shumë se 100 milionë dollarë. Ndërsa e lidh këtë me situatën buxhetore të shtetit, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, thotë se, pavarësisht se në qeveri vjen e Majta në shtator, ka detyrimin ligjor që deri në 2017 të dëmshpërblejë. Ky është një borxh që shteti i ka kësaj kategorie dhe që ligji e imponon. Mirakaj nuk shpreson që ligji i lustracionit të marrë ndonjëherë fuqi me qeverinë e Majtë për sa kohë që e djathta nuk e bëri atë funksional në 8 vite pushtet. Mirakaj flet me rezerva edhe për ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, që mbeti në sirtarët e Kuvendit, që prej pranverës së vitit të shkuar. Megjithëse kanë kaluar 13 vite nga demokracia dhe shumë ish të përndjekur nuk kanë arritur kurrë të marrin dëmshpërblimin për vuajtjet e regjimit komunist, Mirakaj thotë se, dëmshpërblimi më i mirë do të ishte kthimi i pronave. Ndërsa e vlerëson kreun e ri të PD-së, Lulzim Basha, Mirakaj thotë se do t’i kërkojë në takimin me të, ringritjen e Departamentit të ish të përndjekurve politikë në PD, që për 8 vite nuk ekzistoi.

    Sigal