Dëmi për 2021-in nga abuzimet me fondet  dhe tenderat arrin në 750 miliard lekë

189
Sigal

Raporti i KLSH; Ja cilat janë ministritë, institucionet dhe bashkitë që kanë shpërdoruar taksat e qytetarëve. Vetëm Ministria e Financave dhe Doganat kanë shkaktuar dëmin më të lartë me vlerë 300 miliard lekë dhe pas tyre OSHEE-ja, ARRSH-ja, ISDKSH, DPT etj. Lista e plotë me vlerat dhe institucionet

Ja cilat janë ministritë dhe institucionet dhe bashkitë që kanë shpërdoruar më tepër taksat e qytetarëve nëpërmjet abuzimeve

-Ministria e Financave dhe Ekonomisë bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik me vlerë 271 milionë euro

Dëmi ekonomik total i shkaktuar nga institucionet shqiptare gjatë vitit 2021 përllogaritet në 616,5 milionë euro, nga të cilat 158.3 milionë euro kanë ardhur si pasojë e parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, ndërsa 458.2 milionë euro vijnë për shkak të shkeljeve të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e institucioneve të audituara. Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin vjetor për auditimet e kryera gjatë vitit 2021.

“Shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe jo vetëm, lidhen me administrimin e të ardhurave: menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keq administrimin e pronës shtetërore ndjekur nga paligjshmëritë proceduriale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik, si dhe shkeljet në zbatimin e legjislacionit fiskal”- fillon raporti i KLSH-së për periudhën Janar-Dhjetor 2021, i cili përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera në vitin 2021.

Institucionet ku janë ushtruar misionet e auditimit për këtë periudhë përfshijnë aktivitetin në 205 subjekte ku një institucion mund të jetë audituar dy ose më shumë herë nga KLSH për arsye të llojeve të ndryshme. Janë audituar institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

 

MFE-ja, OSHEE-ja, ARRSH-ja dhe DPT  kanë gllabëruar para duke shkaktuar dëme financiare për shkak të largimit të punonjësve nga puna në mënyrë të padrejtë, paga të përfituara në shkelje me ligjin, dieta dhe shpenzime të shumta, të cilat rëndojnë çdo vit buxhetin e shtetit pasi shkarkimet lidhen me fushatat zgjedhore dhe pikëpamjet politike

Institucionet me dëmin më të madh ekonomik

Sipas raportit të KLSH, Ministria e Financave dhe Ekonomisë bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik me vlerë 271 milionë euro ose 43% të totalit të dëmit ekonomik. Ministria e Financave është institucioni që ka shkaktuar dëmin më të madh me vlerë 152 milionë euro, ku problemi më i madh ngelen prokurimet publike dhe vetë institucioni që administron të ardhurat nga grumbullimi i taksave të qytetarëve. Por jo vetëm tenderat kanë shtuar faturën e dëmeve pasi ka patur dëme nga të ardhurat, nga pagesat dhe gjyqet e humbura për shkarkimet e paligjshme nga puna.

“Marrjen e angazhimeve pa fonde në dispozicion, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA 2020- 2022, detajimin e fondeve të investimeve pa plane pasardhëse, detajimin e planit buxhetor në 3 vite për kontrata që parashikojnë periudhë faturimi më të vogël se një vit, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës si dhe mos regjistrimin e kontratave dhe detyrimit në SIFQ duke krijuar detyrime të prapambetura etj”, shkruan KLSH për institucionin në varësi MFE, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit, një institucion tjetër në varësi të MFE ka shkaktuar dëme në vlerën 12 milionë euro si pasojë e pagesave për shpenzime që s’kanë lidhje me COVID-19 etj.

Menjëherë pas MFE-së, renditet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me dëme ekonomike që kapin vlerën 119 milionë euro si pasojë e mosrespektimit të afateve dhe sasive autorizuese që lidhen me veprimtarinë e kompanive që janë autorizuar të veprojnë në fushën e regjimeve doganore ekonomike.

“Mungesa e procedurave dhe akteve rregullatore në drejtim të sistemeve të teknologjisë së informacionit kanë ndikuar në një zhvillim të pa monitoruar të aktivitetit institucional dhe pa deleguar përgjegjësitë individuale për veprimet e kryera në sistem” – shkruhet në auditimin e drejtorisë së teknologjisë së informacionit në dogana.

Gjithashtu u konstatuan detyrime doganore dhe penalitete në procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Kontrolleve të Akcizës dhe Paszhdoganimit (aposteriori), referuar kërkesave të kuadrit rregullator në fuqi, në 30 raste, në kundërshtim me Ligjin

Nëse vrisni mendje përsa sorrollateni dyerve të spitaleve, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka abuzuar me 3,8 milionë euro

Programi i Rindërtimit, shkeljet e konstatuara

Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 është një nga ngjarjet më të rënda që tronditi Shqipërinë si në aspektin ekonomik, por edhe social, sepse vendi akoma nuk e ka marrë veten nga goditja, e cila u dyfishua nga goditjet e pandemisë Covid-19 në ekonomi. KLSH nuk ka lënë jashtë vëmendje sesi shteti shqiptar e ka menaxhuar situatën pas tërmetit. Sipas raportit, performanca e institucioneve nuk ka qenë plotësisht efektive ku një ndër dokumentet kryesore i cili nuk është miratuar është Programi i Përgjithshëm i Rindërtimit.

“Portali unik qeveritar, i cili duhej të garantonte transparencën e plotë në funksion të përdorimit të fondeve të procesit të rindërtimit nuk është konceptuar dhe nuk përmbush të gjitha detyrimet e përcaktuara në Aktin Normativ për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore. Fondet e alokuara në Bashkitë Tiranë dhe Durrës nuk janë bërë në përputhje të plotë me PDNA (Post Dissaster Needs Assessment – Vlerësimi i Nevojave Post Kastrofe) i cili është i vetmi dokument orientues që ka përllogaritur dëmet sipas sektorëve të veçantë si për shembull shëndetësi, arsim, infrastrukturë, banesa” –shkruhet në raport duke evidentuar mungesën e transparencës me fondet e Rindërtimit, ndërkohë që më tej vë theksin dhe te rreziku i katastrofave të mundshme dhe masat e marra.

“Megjithëse rreziku i katastrofave natyrore ngelet i lartë në vendin tonë për shkak të relievit dhe klimës, përsëri nuk ka ndërgjegjësim nga qeveria sepse me mangësi paraqitet dhe Menaxhimi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri, i cili nuk ka qënë efektiv. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i mungesës së një strategjie nga Ministria e Brendshme, pas decentralizimit të këtij shërbimi ku masat e marra nga Ministria e Brendshme, nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (DPMZSH) dhe Drejtoritë Vendore të MZSH-së, në Bashkinë Tiranë dhe Vlorë, nuk kanë qenë të mjaftueshme për parandalimin e zjarreve”, theksohet në raport.

Shkeljet në tre bashki të audituara

Veç shkeljeve nga Financat dhe për Programin e Rindërtimit, KLSH ka renditur dhe një sërë shkeljesh të tjera të konstatuara gjatë vitit 2021. Bashkitë nuk mungojnë në këtë listë pasi kanë shfaqur mangësi në fushën e prokurimeve publike si bashkia e Kurbinit, Kuçovës dhe Pogradecit ndërkohë që arkëtimet e prapambetura nga bizneset dhe taksat e tokës etj janë një problematikë e përsëritur vit për vit në këto raporte.

Bashkia e Kurbinit e cila ka qenë e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2021 ka shkaktuar dëme në fushën e prokurimeve publike në vlerën e 4,3 milionë eurove si pasojë e kualifikimit dhe shpalljes fitues të kompanive që nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor, nuk garantojnë cilësinë e punës. Gjithashtu nga bashkia nuk janë lidhur kontrata me subjektet të cilat janë pajisur me leje nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës për dhënien me qira për sipërfaqet pyjore dhe kullosore që administrohen nga kjo bashki.

Me probleme shfaqet dhe bashkia e Pogradecit në vlerën 1,8 milionë duke shkelur aktet ligjore dhe nënligjore në 14 procedura, ku 31 % e vlerës së kontratave të lidhura, në të cilat ofertat e kompanive fituese, nuk plotësojnë kriteret dukë përdorur fondet publike në mënyrë të paligjshme.

Për të shkelje të ngjashme janë evidentuar dhe dëme me vlerë 2,9 milionë euro në bashkinë e Kuçovës për shkelje të akteve ligjore/nënligjore në 11 raste në 72.8% e fondit të prokuruar, në të cilat ofertat e kompanive fituese, nuk plotësojnë kriteret duke përdorur fondeve publike në mënyrë të paligjshme.

Gjetje të tjera të raportit

Sipas KLSH, Policia e Shtetit, pavarësisht punës së mirë në uljen e numrit të përgjithshëm të aksidenteve, paraqet probleme kah rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve me pasojë vdekjen. “Shkaqe për aksidentet rrugore ndër të tjera kanë qenë mungesa e radarëve të shpejtësisë dhe pajisjet teknologjike të avancuara, mungesa e pjesëmarrjes në mënyrë proaktive për të bashkëpunuar me partnerët e tjerë”, thuhet në raport.

Po ashtu, janë evidentuar dëme financiare të shumta për shkak të largimit të punonjësve nga puna në mënyrë të padrejtë, paga të përfituara në shkelje me ligjin, dieta dhe shpenzime të shumta, të cilat rëndojnë çdo vit buxhetin e shtetit pasi shkarkimet lidhen me fushatat zgjedhore dhe pikëpamjet politike. Ndër këto institucione renditet MFE-ja, OSHEE-ja, ARRSH-ja dhe DPT. Ministria e Financave ka patur dëme si pasojë e likujdimeve për vendimet gjyqësore të formës së prerë për ish-punonjësit e larguar padrejtësisht nga puna për vlerën 8,4 milionë euro përpara vitit 2018-2020. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka patur dëme me pagesat ku përveç të tjerave vazhdon me detyrimet ligjore të prapambetura për deklarimin e bilanceve në QKB. Dëmet përllogariten në vlerën 6,7 milionë euro nga të cilat gati 90% e kësaj shume vjen si pasojë e dietave joligjore. Autoriteti Rrugor Shqiptar renditet pas OSHEE-së me dëme nga ky sektor të cilat shkojnë në 6 milionë euro, si pasojë vendimeve gjyqësore të formës së prerë të ekzekutuara dhe të paekzekutuara nga ARRSh për periudhën 2016-2020.

Shkeljet në procedurat e prokurimit kanë zbuluar 18 subjekte. Këto shkeljet kanë rezultuar në mosplotësimin e kritereve të kualifikimit, në skualifikimet e ofertuesve, në hapjen e shqyrtimin e ofertave, në ofertat anomalisht të ulta dhe procedura prokurimi me një pjesëmarrës dhe fitues njëkohësisht.

Shkeljet në zbatimin e kontratave kanë zbuluar 45 subjekte ku shkeljet e këtij grupimi fillojnë me problemet ne lidhjen e kontratave, aktet e marrjes në dorëzim, në mungesa apo problematika në kryerjen e punimeve të ndërtimit, inventarizim dosjesh etj.

Autoriteti Portual Durrës ka shkaktuar dëm ekonomik në vlerën e 14,8 milionë euro, si pasojë e rritjes së pajustifikuar të vlerës së fondit limit dhe vlerës së kontratës, e cila shkakton efekt negativ. Nuk janë marrë masa për eliminimin e praktikave të prokurimeve për mallra/shërbime, të cilat kanë çuar në keqpërdorim apo përdorim pa rezultate ekonomike.

Qendra Studentore Universitare “Nënë Tereza” ka shkaktuar dëme në vlerën e 5,8 milionë euro, duke mos jusfiktuar teknikisht dhe ligjërisht vendosjen e kërkesave të veçantë për kualifikim të kompanive nga ana e njësisë së prokurimeve në kundërshtim me ligjin mbi prokurimet publike.

Problematika ka patur dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në vlerën 2,3 milionë euro, si pasojë e marrjes së angazhimeve buxhetore pa patur fonde në dispozicion, të zbuluara në 3 raste si dhe 1,5 milionë euro, si pasojë e marrjes së angazhimeve buxhetore pa patur fonde në dispozicion e evidentuar në 1 rast.

Ministria e Brendshme ka shkaktuar dëme në vlerën 2,6 milionë euro, si pasojë e ndryshimit të destinacionit dhe përdorimit të fondeve të rindërtimit në vlerën 2,2 milionë euro dhe përdorimit të tyre për qëllime të tjera që nuk kanë lidhje me dëmtimet e tërmetit, e cila sipas KLSH është tërësisht menaxhim aspak efektiv.

Rekomandime dhe kallëzime

Rekomandimi më i rëndësishëm i KLSH-së lidhet me parapërgatitjen dhe administrimin e fatkeqësive natyrore pasi tërmeti dhe zjarret janë tregues i qartë i kësaj problematike.

Sipas raportit të “Ëorld Risk” të Universitetit të Kombeve të Bashkuara, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive bazuar në ekspozimin, ndjeshmërinë, cënueshmërinë, përballimin dhe aftësinë përshtatëse, Shqipëria renditet e para në Europë edhe për vitin 2021.

KLSH-ja rekomandon që Agjensia Kombëtare për Mbrojtjen Civile (AKMC) të marrë masa dhe të bashkëpunojë me anëtarët e grupeve me të gjitha institucionet e punës për hartimin e Vlerësimit të Riskut në të gjithë vendin si dhe të merren masa për ndryshimin e planit të përballimit të fatkeqësive sepse ka 17 vjet që është bërë dhe ka nevojë për ndryshime.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në bashkëpunim me Ministrinë së Brendshme të marrë masa për të rregulluar kushtet tekniko-ligjore për importin dhe tregtimin e pajisjeve për shuarjen dhe mbrojtjen nga zjarri sipas kuadrit ligjor të Bashkimit Europian.

KLSH-ja rekomandon që Shërbimi Social Shtetëror të angazhohet në maksimum duke iu drejtuar përsëri institucioneve për përmirësimin e shërbimeve dhe përkujdesit shoqëror për fëmijët në institucionet rezidenciale në interesin më të mirë të fëmijës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Social të marrë të gjitha iniciativat për të rishikuar ligjin “Mbi statusin e jetimit”, i ndryshuar, duke nisur nga fakti se termi “jetim” nuk përmendet në asnjë dokument ndërkombëtar dhe as në Kodin e Familjes si dhe të miratojë normën ushqimore për fëmijët jetim që trajtohen në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror.

Për vitin 2021 janë adresuar 90 përmirësime ligjore, 1 087 rekomandime disiplinore dhe administrative dhe 3,074 rekomandime organizative ku nga auditimet e realizuara për 9-mujorin e vitit 2021 ka përcjellë në Prokurori 14 kallëzime penale.

Nga këto kallëzime penale, janë kallëzuar 62 persona të konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH-së, për 44 drejtues të nivelit të lartë e të mesëm dhe 18 specialist për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje e barazisë në tendera”.

Është e qartë se pandemia krijoi terren për shkelje në procedurat e prokurimit dhe zbatimin e tyre dhe kjo evidentohet nga indikatori i dobishmërisë për vitin 2021 që është 56, ç’ka do të thotë se për çdo një lek të shpenzuar për KLSH-në nga Buxheti i Shtetit janë zbuluar nga auditimet e kryera 56 lekë.Ndërkohë që në buletinin e vitit 2020 ky tregues është 6,2 që do të thotë që për çdo 1 lekë të shpenzuar nga KLSH janë zbuluar 6,2 lekë, gati 10 herë më i ulët.

Shqetësimet për administrimin dhe kthimin e pronës nga ana e qytetarëve paraqiten në rënie për vitin 2021 ndërkohë që është shtuar vëmendja në administrimin financiar dhe fushën e prokurimit publik.