Del në shitje posta kufitare “Katund” në Gjirokastër, 23 blerës janë grekë!

647
Sigal

 Gati vendimi për shitjen e gjithë postave kufitare tokësore e bregdetare

 Prej 25 vitesh, në Shqipëri ka ndodhur gjithçka që ka cenuar interesat e vendit, integrimin e tij dhe që ka shkatërruar jetën e popullit. Por nuk ishte menduar kurrë se shteti do të shiste edhe kufirin shtetëror. Pas 25 vjetësh hapje kufiri me vendet fqinje, ka nisur edhe shkulja fizike e kufirit shqiptar jugor, bërë me urdhër të shtetit shqiptar! Ndërsa piramidat e vijës kufitare në jug, në lindje e në veri të kufirit shqiptar janë rrëzuar përtokë, janë katandisur në “masa betoni” pa simbolet kombëtare e shenjat kufizuese të shtetit shqiptar, janë zhdukur përrenjve e shkurreve, ose janë thyer për skrap, tani ka nisur dhe zhdukja e krejt objekteve fizike të shërbimit kufitar. Një lajm nga zyrat e shtetit, publikuar nga Ministria e Financave në faqen e ankandeve të Buletinit Nr. 8, datë 2 mars 2015, njofton se në datën 10 mars 2015, shteti shqiptar ka nxjerrë në shitje Postën Kufitare në zonën kufitare “Katund” në Gjirokastër, me sipërfaqe trualli ndërtese 800 metër katrorë. Postën kufitare shtetërore shqiptare, sipas ligjit dhe njoftimit të Ministrisë së Financave, mund ta blejë çdo person i interesuar për blerje me ankand, mjafton të paraqitet në vendin dhe orën e njoftuar të shitjes. U interesuam dhe mësuam, se për blerjen e kësaj Poste Kufiri, 300 metër objekt dhe 500 metër truall me vlerë fillestare shitjeje 3500 euro, deri tani janë interesuar 23 shtetas grek  dhe… asnjë shqiptar. E nëse blerësi do të jetë grek, natyrisht që mbi godinën e blerë të postës së kufirit shqiptar, do të gëzojë të drejtën të valëvisë flamurin grek, mbasi sipas ligjit mbi të drejtën e pronës, ai ka truallin dhe objektin pasuri të tij. Sipas burimeve tona, ka një plan që të shiten gjithë postat kufitare në kufirin tokësor Sarandë, Gjirokastër, Leskovik, Përmet, Ersekë, Korçë, Pogradec, Peshkopi, Kukës, Tropojë, Shkodër, si dhe të gjithë postat kufitare policore e ushtarake tokësore në kufirin Sarandë-Vlorë-Seman-Divjakë.