Degradimi, 28 km me gropa, “Fiks Fare” trajton problematikën e rrugës së Ndroqit

714
Amortizimi i segmentit rrugor Tiranë-Plepa, ose siç njihet ndryshe rruga e vjetër e Ndroqit, është trajtuar mbrëmjen e 10 nëntorit nga emisioni “Fiks Fare” i Top Channel. Janë 28 km rrugë me gropa skandaloze që dëmtojnë automjetet, por privojnë dhe zhvillimin e bizneseve të zonës. Amortizimi i rrugës, mungesa e sinjalistikave dhe e kanalizimeve kanë dekurajuar drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë gjithnjë e më pak në të. Ata ankohen se kalimi në këtë aks me automjete është i vështirë.

“Rruga është si më keq. prej 25 vitesh nuk është vënë dorë mbi të. Për të ardhur keq” thonë shoferët. 20 fshatra përgjatë këtij segmenti rrugor prej dekadash nuk kanë më një impuls të zhvillimit ekonomik dhe fermerët ankohen se infrastruktura ka penalizuar kultivimin dhe tregtimin e prodhimeve të tyre.

Asnjë investim prej viteve ’70  Shefi i Zyrës së Financës në njësinë bashkiake të Ndroqit, Afrim Azuni thotë se nuk është investuar asnjëherë në këtë rrugë që prej viteve 70. “Në kujtesën time tek kjo rrugë nuk është investuar asnjëherë, as në 25 vitet demokraci por as në vitet e komunizmit, prej viteve 70 kur kjo rrugë u asfaltua. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka detyrimin të bëjë rikonstruksionin e saj. “Ne si njësi administrative kemi paraqitur kërkesën tonë për ndërhyrjen. Fatmirësisht është një projekt madhor nga drejtoria e rrugëve dhe ne jemi optimist se do zbatohet së shpejti ky projekt” shprehet Azuni.
Projekti per rrugen e Ndroqit 5.2 miliarde leke te reja  Nga autoriteti rrugor shqiptar, vetë drejtori Dashamir Gjika tregon se ka një projekt konkret për rrugën e Ndroqit por realizimi i tij varet nga buxheti i vitit të ardhshëm.
“Ne kemi një projekt me kosto totale 5. 2 miliardë lekë të reja. Në bazë të buxhetit që do të kemi për vitin 2016 do shohim dhe mundësinë e planifikimit të investimit në këtë aks të rëndësishëm. Por sa ka shpresa për këtë investim? Dashamir Gjika: “Planifikimi paraprak i buxhetit për vitin 2016 për Autoritetin Rrugor është 5.7 miliardë lekë të reja. Bëni vetë llogaritë”
Sigal