Mimoza Erebara: Kristallnacht, një pikë kthese edhe për kohën tonë

358
Sigal

 

KRISTALLNACHT ose Nata e Xhamave të thyer sikur edhe njihet, është një nga ngjarjet prolog të Luftës së Dytë Botërore,  prej së cilës rrodhën gjithë ato persekutime, tortura e vrasje pa dallime moshe e gjinie drejtuar vetëm drejt një etnie- hebreje.

Në fakt kur flasim për këtë periudhë dhe për  hebrenjtë, i referohemi gjithnjë Holokaustit si mënyra me të cilën nazistët tentuan të shfarosin këtë popullsi. Po në fakt çështja është më komplekse, sepse Holokausti jo vetëm e pati një pikë fillimi, një referim, por përfshiu në mënyrë të plotë pothuaj të gjithë jetën shoqërore të asaj kohe. Kjo do të thotë që kur duam të përcaktojmë një qëndrim të kësaj periudhe, padyshim do të na duhet të saktësojmë edhe emërtimet.

Pra, holokaust është një fjalë që vjen nga greqishtja e vjetër e konvertuar më pas në latinisht e në frëngjishte që do të thotë – E gjithë e djegur, çdo gjë e djegur/ Jom Shoah/Shoah- hebr.

Në momentin që ne përqëndrohemi pak në kuptimin e kësaj fjale dhe kur faktet historike na flasin pikërisht për këtë djegie të përgjithshme në ato vite lufte, na shtyn më tej për të kuptuar kodet të cilat ajo i shpërfaq para nesh dhe ne vetëm duhet t’i deshifrojmë ato. Siç thotë edhe Zigmund Bauman “Holokausti ishte një dritare dhe jo një pikturë”, dhe më tej ai përcakton se sa e dhimbshme dhe e trishtuar është pamja prej asaj dritareje… Në fakt ajo pamje me të cilën identifikohet vetë Holokausti dhe hebrenjtë, por që nuk është e plotë, nëse nuk e shikojmë në kompleksitetin e një shoqërie e cila gjithsesi funksiononte përmes rregullave burokratikë dhe ekonomikë.

Kështuqë, ky këndvështrim na e zgjeron pamjen dhe na bën që të shikojmë përtej asaj që është bërë, le të themi edhe “mediatike”, për të parë çfarë ndodhi në të vërtetë dhe si.

E gjitha kjo filloi pikërisht me këtë natë  të  nëntori të datës 9-10, të vitit 1938 në qytetin e Danzigut dhe në Sinagogën e shkatërruar në Aachen, me një sulm që synonte vetëm popullsinë hebreje, një pogrom i vërtete me zjarrvënie, arrestime masive, vrasje, ku numri i tyre shkoi në 91 të vrarë. Filloi me thyerjen e xhamave të dyqaneve të hebrenjve dhe me shënjimin e tyre me Yllin e Davidit, që më pas u bë edhe shenja dalluese nëpër kampet e përqëndrimit dhe getot. Ndërsa, preteksti për sulmet ishte vrasja e diplomati gjerman Ernst vom Rath nga Herschel Grynszpan, një hebre polak 17-vjeçar, me origjinë gjermane që jetonte në Paris. Trazirat shkatërruan 267 sinagoga në të gjithë Gjermaninë, Austrinë dhe Sudetenlandin. Mbi 7,000 biznese hebreje u dëmtuan ose shkatërruan, dhe 30,000 burra hebrenj u arrestuan dhe u burgosën në kampe përqëndrimi. Antisemitizmi goditi hapur.

Kristallnacht, nga ana tjetër,  ndryshoi natyrën e persekutimit nazist të hebrenjve nga ekonomik, politik dhe shoqëror, në fizik me rrahje, burgosje dhe vrasje; ngjarja shpesh referohet si fillimi i Holokaustit. Historianët e shohin Kristallnacht si një parathënie të ‘Zgjidhjes Përfundimtare’ dhe vrasjes së gjashtë milion hebrenjve gjatë këtij Holokausti. Në këtë këndvështrim, ajo përshkruhet jo vetëm si një pogrom, por edhe një fazë kritike. “Kristallnacht erdhi … dhe gjithçka u ndryshua.” U ndryshua për hebrenjtë dhe kujtesa jonë moderne e lidh të gjithë këtë vetëm hebrenjtë, me një ngjarje që u ka ndodhur atyre dhe vetëm atyre. Media padyshim që ka rolin e vet, sikur ka rolin e vet edhe e drejta e mohuar që kërkon të vërtetat rreth kësaj Lufte. Në kujtesën tonë moderne Holokausti trajtohet edhe si një moment ku ne të gjithë (duke perfshirë më së pari persekutorët nazistë), duhet të ndjejmë keqardhje, ngushëllim e falje. Po, nuk është gabim një gjë e tillë dhe kjo ndodh pothuaj në të gjithë botën kur përkujtohet Kristallnacht dhe Holokaust, por është një vështrim pak i ngushtë i  një Lufte të përmasave të tilla, me aq shumë viktima e masakra. Historianët e kanë bërë punën e tyre dhe kanë mbledhur gjithnjë fakte e dëshmi rreth kësaj Lufte. Po sa për kujtesë le të përmendim:

Propaganda naziste tjetërsoi 500,000 hebrenj në Gjermani, të cilët përbënin vetëm 0.86% të popullsisë së përgjithshme, dhe i vendosi ata si një armik përgjegjës për humbjen e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore dhe për katastrofat e saj ekonomike të mëvonshme, të tilla si hiperinflacioni i viteve 1920 dhe rrëzimi i Wall Street, Depresioni i Madh. Duke filluar nga viti 1933, qeveria gjermane miratoi një seri ligjesh anti-hebreje që kufizojnë të drejtat e hebrenjve gjermanë për të fituar jetesën, për të gëzuar shtetësinë e plotë dhe për të fituar arsimin, përfshirë Ligjin për Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional të 7 Prillit 1933, e cila i ndalonte hebrenjtë të punonin në shërbimin civil. Ligjet e mëvonshme të Nurembergut të vitit 1935 u morën hebrenjve gjermanë shtetësinë e tyre dhe u ndaluan hebrenjve të martoheshin me gjermanë johebrenj. Këto ligje rezultuan në përjashtimin dhe tjetërsimin e hebrenjve nga jeta shoqërore dhe politike gjermane. Shumë kërkuan azil jashtë vendit; qindra mijëra emigruan, por siç shkruajti Chaim Weizmann në 1936, “Bota dukej se ishte e ndarë në dy pjesë – ato vende ku hebrenjtë nuk mund të jetonin dhe ato, ku nuk mund të hynin.” Deri në vitin 1938, Gjermania “kishte hyrë në një fazë të re radikale në aktivitetin antisemitik”.

Hebrenjtë polakë u dëbuan nga Gjermania të parët në fund të tetorit 1938. Në të ashtuquajturin “Polenaktion”, më shumë se 12,000 hebrenj polakë, midis tyre filozofi dhe teologu Rabbi Abraham Joshua Heschel dhe kritiku i ardhshëm letrar Marcel Reich-Ranicki u dëbuan nga Gjermania më 28 tetor 1938, me urdhër të Hitlerit. Ata u urdhëruan të linin shtëpitë e tyre brenda një nate të vetme dhe u lejohej vetëm një valixhe për person për të mbajtur sendet e tyre. Ndërsa hebrenjtë u morën, pasuritë e tyre të mbetura u kapën si plaçkë, si nga autoritetet naziste dhe nga fqinjët. Të dëbuarit u morën nga shtëpitë e tyre drejt stacioneve hekurudhore dhe u vendosën në trena për në kufirin polak, ku rojet polake të kufirit i kthyen ata përsëri në Gjermani. Ky ngërç vazhdoi për ditë me radhë në një shi të madh, me hebrenjtë që marshonin pa ushqim ose strehë midis kufijve. Katër mijë u lejuan të hynin në Poloni, por 8,000 të tjerët u detyruan të qëndronin në kufi. Ata prisnin atje në kushte të vështira për t’u lejuar të hynin në Poloni. Kushtet në kampet e refugjatëve “ishin aq keq sa që disa u përpoqën të iknin përsëri në Gjermani dhe u qëlluan “.

Në gjyqin e Adolf Eichmann në 1961, Sendel Grynszpan tregoi ngjarjet e dëbimit të tyre nga Hanover në natën e 27 Tetorit 1938: “Pastaj ata na morën me kamionë policie, në kamionë të burgosurish, rreth 20 burra në çdo kamion dhe ata Rrugët ishin plot me njerëz që bërtisnin: ‘Juden Raus! Auf Nach Palästina!’ (” Hebrenjtë jashtë, për në Palestinë! “).

Pyetje të tilla tronditëse njëlloj si edhe vetë ngjarja si “si arriti të ndodhte ky tmerr në zemrën e qytetërimit” apo, “si u lejua të ndodhte?” të bëjnë të mendosh jo vetëm për atë që tashmë ndodhi, po për rrezikun e asaj që mund të ndodhë përsëri, sepse shoqëritë tona, të ashtuquajtura moderne, kur vjen puna për të qenë të sinqerta me veten e tyre, devijojnë, duke e orientuar edhe publikun drejt interpretimit të një analize e cila në të vërtetë maskon vetë fajin.

Kristallnacht dhe Holokausti nuk është as vetëm i gjermanëve, dhe as vetëm për hebrenjtë. Në momentin që ne shkëputemi nga një interpretim i tillë, do të vërejmë elemente të tyre edhe në shoqërinë tonë, qëndrime e veprime që shkojnë ndesh me të mirën e përgjithshme, për hir të ambicieve e egove të atyre që duan të pasurohen pa u ndalur dhe të kenë pushtet deri në pavdekësi.

Por Kristallnacht ndodhi, kodet dhe mesazhi i asaj nate janë aty.

MIMOZA  EREBARA