Covid-19 ndryshon përbërjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile; Do të drejtohet nga ministrja e Mbrojtjes

271
Sigal

Pas 9 muaj nga nisja e pandemisë, qeveria kujtohet të ndryshojë përbërjen e organit më të lartë që koordinon veprimtarinë e institucioneve në rast fatkeqësish natyrore (si situata me Covid-19), emergjencash civile dhe krize.

Me ndryshimet autoriteti më i lartë i përhershëm i ngritur pranë Këshillit të Ministrave do të jetë Komiteti i Mbrojtjes Civile (KMC) dhe do të drejtohet nga ministri i Mbrojtjes.

Qeveria shfuqizoi vendimin e miratuar në vitin 2015 për drejtimin e strukturave që do të menaxhonin emergjencat civile. Sipas ndryshimeve të miratuara në krye të komitetit të ngritur pranë Këshillit të Ministrave nuk do të jetë Zëvendëskryeministri, siç parashikohej në vendimin e mëparshëm, por ministrja e Mbrojtjes.

Sakaq ndryshimet parashikojnë që në përbërje të organit më të lartë që do të zbatojë politikat për zvogëlimin e riskut, në rast fatkeqësish të mos jenë përfaqësues të pushtetit vendor, për të cilët parashikohej pjesëmarrja me vendimin e mëparshëm. Në përbërjen e KMC për herë të parë, në përputhje dhe me situatën epidemiologjike që po kalon Shqipëria përfshin drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.

Vendimi i miratuar nga qeveria përditëson edhe përbërjen e anëtarëve të komitetit të Mbrojtjes Civile, për shkak të shkrirjes të disa ministrive, si ajo e Tregtisë, inovacionit, Zhvillimit Urban, Mjedisit, Për Çështjet Vendore etj., që i parashikonte vendimi i 2015.