Covid-19/ Ndryshimet në Kodin Penal, ja sa gjobë dhe burg rrezikoni sipas shkeljeve

382
Sigal

Është zbardhur drafti i propozimeve për ndryshime në Kodin Penal në lidhje me ndëshkimet për personat që thyejnë rregullat dhe urdhrat e vendosura gjatë situatës së pandemisë COVID-19.

Kush nuk i bindet rregullave të reja të nxjerra gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 30 ditë deri në 1 vit burg.

Por nëse nga thyerja e rregullave rrezikohet jeta ose shkaktohet vdekja e një personi tjetër, dënimi është me 1 deri në 5 vjet.

Drafti i propozimit:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

Tiranë, më __________2020

KOMISIONIT PËR CËSHTJET LIGJORE,

ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT

Në vëmendje të:

Kryetarit, Z. Ulsi Manja

Deputetëve, Anëtarë të Komisionit

Objekti: Propozime për amendamente në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka

I nderuar Z. Manja,

Të nderuar Kolegë Deputetë

Bazuar në nenin 71, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë paraqes amendamente për disa shtesa në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka:

1. Titulli i projektligjit ndryshohet me përmbajtjen si vijon

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

2. Pas Nenit 1 të projektligjit, shtohet Neni 2me përmbajtjen si vijon:

Neni 2

Pas nenit 242, shtohen nenet 242/1 dhe 242/2 me këtë përmbajtje

“Neni 242/1

Mosbindja ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatëgjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri nëgjashtë muaj.

Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit.

Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

“Neni 242/2

Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive
Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.

3. Neni 2 i projekligjit “Hyrja në fuqi” bëhet neni 3.

DEPUTETE PROPOZUESE

Edlira BODE