“Ciceroni” i varreve të Selcës “sfidon” Ministrinë e Kulturës, mirëmban varret pa u paguar asnjë kacidhe

1339
Varret e Selcës gjenden 40 km larg qytetit të Pogradecit, në zonën malore të Mokrës, në Selcën e Poshtme. Selca sipas të dhënave historike daton të jetë themeluar në shekullin e VI p.e.r, por fuqizimin e saj të madh e pati në shekullin IV-III, kur u ndërtuan muret, që rrethonin një zonë prej disa hektarësh, sipas të dhënave saktësisht tre hektarë. Zhvillimi i kësaj zone erdhi me ndërtimin e rrugës “Egnantia”, ku u fuqizua si kurrë asnjëherë. Në këtë zonë janë zbuluar disa vite më parë 5 varre monumentale të ndërtuara nga fundi i shekullit të 4 para Krishtit, varre të cilat janë unikale në botë për nga aplikimi i tyre, ku në hyrje të shkëmbinjve gjenden gdhendje, të cilat tregojnë vjetërsinë e qytetit Antik të Pelionit. Katër nga këto varre janë gdhendur si tunele në shkëmb dhe njëri është i rrethuar me blloqe katërkëndore guri. Në këtë zonë janë zbuluar shumë pllakate të vjetra, të cilat sot mund t’i gjesh në shumë muze nëpër botë. Saktësisht janë 34 copë të tillë. Këto lloj artefaktesh, duke qene se janë te ndërtuara nga material amorf, pra, jo kristali, janë dhe shumë delikate. Por çfarë po ndodh prej kohësh me këto varre monumentale dhe a ka menduar Ministria e Kulturës për këto monumente të kategorisë së parë…?! I vetmi person që ruan këto monumente prej kohësh është Kudret Baçi, i cili që prej vitit 1992 ruan këto varre. Por dhe ky i fundit u pushua në vitin 2002. Edhe pse ai u pushua, duke ju ndërprerë rroga, të cilën e merrte prej 10 vjetësh, që nga viti 2002 dhe deri tani ai nuk ka marrë asnjë pagesë për punën që bën, ndonëse ai vazhdon ta bëjë atë punë çdo ditë, pavarësisht varfërisë, ai e sfidon këtë të fundit, duke bërë disa punë në zonë, por duke mos lënë atë punë që ka më shumë se dy dekada që e bën, ruajtjen, mirëmbajtjen, në shumë raste dhe“ciceronin”, pasi ka mësuar çdo gjë rreth fakteve për zonën dhe saktësisht për varret monumentale, që ndodhen në këtë zonë, pasi një ciceron i mirëfilltë nuk ka ekzistuar asnjëherë për t’u treguar turistëve historinë dhe lashtësinë e këtyre varreve, edhe pse këta të fundit nuk janë të paktë në numër. Asnjëherë nuk ka kaluar në vëmendjen e ministrisë përkatëse mundësia për restaurimin, mirëmbajtjen, vlerësimin e këtyre monumenteve mijëra vjeçare, të cilat koha, mungesa e investime dhe lagështira po i shkatërron dita-ditës. Banorët e zonës, por dhe “ciceroni” i këtyre monumenteve tregon për një nga vizitorët e radhës së këtyre monumenteve se, në këtë zonë nuk është bërë asnjë investim, madje për ruajtjen e këtyre monumenteve nuk ka as roje, pasi ky i fundit, Kudret Baçi u pushua në vitin 2002 me urdhër të “ish-drejtoreshës së Monumenteve, e cila pa firmë, pa vulë hoqi Kudretin nga puna si roje dhe mirëmbajtës dhe la këto monumente pa asnjë roje. Shfrytëzimi i këtij rasti nga mbledhësit e thesareve, kanë shkatërruar çdo gjë që kanë parë për t’i shitur më pas në treg të zi. As kjo e fundit nuk e ka shqetësuar Ministrinë e Kulturës për të marrë masat, jo se kjo e fundit nuk është në dijeni të gjendjes aktuale të kësaj zone me vlera të mëdha kulturore. Ka kohë që Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Korçë i është dërguar një kërkesë për marrjen e masave, por kjo e fundit deri më tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke e lënë situatën të vazhdojë të jetë e njëjtë dhe abuzuesit të jenë të lirë të shkatërrojnë gjithçka u sheh syri, pasi për këtë vend nuk ka zot, pasi dhe punonjësi i vetëm, i cili ruante këto realisht është pushuar që në vitin 2002, pavarësisht se ai sërish vazhdon të bëjë të njëjtën punë edhe pse nuk paguhet asnjë kacidhe. Kjo është përgjigja që Ministria e Kulturës ka dhënë për këtë situatë dhe shumë të tjera si kjo në vend. Ky është shembulli më i qartë, sesi kjo ministri po bën punën e saj në mënyrën më të mirë, e cila nuk bën asnjë lëvizje ndërkohë që koha, grabitësit dhe faktorët natyrorë po shkatërrojnë plotësisht këto monumente, të cilat janë tregues real i asaj se çfarë Shqipëria përfaqëson, monumente të cilat nuk do të mbijetojnë për shumë kohë, nëse mbi to nuk vihet dorë.
Sigal