Çfarë aksionesh do të shesë CEZ-i?

579
Sigal

Banka Botërore i kërkon qeverisë shqiptare t’i paguajë detyrimet financiare, duke “harruar” detyrimet e CEZ-it ndaj shtetit

U bë publike letra që CEZ-i u drejton punonjësve të tij dhe i informon për shitjen e aksioneve të tij. Në dukje kjo mund të duket një normalitet biznesi, mirëpo për CEZ-in ndryshojnë . Së pari CEZ-i nuk ikën me dëshirën e tij. I hiqet licenca për shkeljen e kontratës, për abuzime. Që CEZ-i të ketë të drejtën që të shesë aksionet e veta, duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet financiare që ka ndaj shtetit shqiptar dhe ndaj kompanive të tjera publike. Si mundet të lejohet që CEZ-i të shesë aksionet e tij, sikur çdo gjë të jetë e drejta e tij? CEZ-i nuk ka investuar asnjë euro në Shqipëri, atëherë çfarë aksionesh do të shesë? Duke mos investuar asnjë euro, a nuk duhet që CEZ-it t’i kërkohet llogari se ku është baza materiale që iu dha- nuk i bleu-  në përdorim? Duke shitur aksione, sikurse pretendon CEZ-i, është mundësia e fundit që CEZ-i përpiqet të vjedhë shqiptarët për herën e fundit. Në qoftë se ERE dhe qeveria do të zbatojnë ligjin, CEZ-it i duhet hequr licenca dhe kjo-ligjërisht- i heq të drejtën CEZ-it të ketë pretendime për të shitur aksione. Pastaj, CEZ-i nuk e ka privatizuar shpërndarjen e energjisë elektrike, e ka në koncesion dhe kur shkelen detyrimet, të hiqet licenca, do të thotë që nuk ke pronësi. Se cilët duhet ta marrin të drejtën e shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri, nuk ka të drejtë ta paracaktojë CEZ-i, me shitjen e aksioneve-erë e letër- se mund të ndodhë, që aksionet, CEZ-i, t’ja shesë ndonjë CEZ siamezi tjetër. Duhet të jetë qeveria shqiptare ajo që  duhet të përcaktojë  se cilët do të jenë pasardhësit e CEZ-it.

BB: Problemet me CEZ ndikim jo vetëm në energjetikë, por do penalizojnë ekonominë

Banka Botërore i bën thirrje qeverisë që t’i shlyejë detyrimet CEZ-it, duke “harruar” detyrimet që CEZ-i i ka KESH-it. Njëkohësisht, BB-ja nuk do t’ja dijë për vjedhjet, abuzimet sistematike dhe kolektive që CEZ-i u bën shqiptarëve, derisa interesohet vetëm që CEZ-it t’i paguhen detyrimet që i kanë të tjerët. CEZ Shpërndarje nuk do ta ketë të lehtë të marrë garancinë 60 milionë euro nga Banka Botërore, pas divorcit me qeverinë shqiptare. Kjo pasi duhen plotësuar disa kushte ligjore, të cilat të çojnë në arritjen e një marrëveshje mes palëve.  Banka Botërore pranon se, privatizimi nuk rezultoi i suksesshëm dhe padyshim ky është një ndër shqetësimet e saj për Shqipërinë, së bashku me borxhin e lartë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. “Marrëveshja e garancisë është mes Bankës Botërore dhe qeverisë nëpërmjet BERZH-it. Kjo është një marrëveshje garancie, që është dytësore. Duhet të theksohet se ka një proces dhe kushte, që janë specifike përpara se garancia të kthehet në kredi për qeverinë. Deri në atë pikë, ka disa masa që duhet të tentohen të merren, për të arritur në një marrëveshje mes palëve. Vetëm pasi të arrihet kjo, mund të transferohet kjo garanci dhe të kthehet në kredi. Qeveria dhe CEZ po kryejnë negociata për gjetjen e një zgjidhje miqësore. Ne nuk jemi pjesë e negociatave, por shpresojmë që kjo zgjidhje të jetë më e mira për Shqipërinë”, tha lvovsky. Por, problemet me CEZ nuk do të prekin vetëm sektorin energjetik, por do të penalizojnë edhe rritjen ekonomike të vendit. Banka Botërore e ka riparë parashikimin e saj për rritjen ekonomike, duke e zbritur atë, për këtë vit në 0.8 % dhe për vitin e ardhshëm në 1.6%. Institucioni financiar ndërkombëtar sheh me shqetësim edhe nivelin e lartë të borxhit, që aktualisht është mbi 60 %, ndërkohë, që sipas tij, normalja është 40 %. Banka Botërore apelon qeverinë, që të shlyejë faturat e prapambetura biznesit, pasi rritja e tyre mund të lehtësojë përkohësisht ekzekutivin, por ndikimet shumë të gjera.