Çdo e keqe e ka një të mirë…

705
Sigal

Nga Shkëlqim Selmani

Ky është rregull i ekuilibrit hyjnor a kozmik, e quajmë si të duam. Kështu edhe me këtë koronavirusin, që na bëri më të kujdesshëm, më të rregullt, më të duruar etj …

Kështu edhe me izolimin në shtëpi, që na jep mundësi të mendojmë, meditojmë e reflektojmë më mirë, më qartë, më shumë etj …

Në vijim të këtij arsyetimi mendoj se disa gjëra duhet t’i themi pa rezerva e pa gënjeshtra. Duhet të themi që ky virus nuk është as i pari e as i fundit që ka prekur njerëzit në shtete të ndryshëm si epidemi, por edhe njerëzimin globalisht si pandemi.

Duhet të pranojmë se ky virus, si gjithë viruset e tjerë do prekë mbi 80% të banorëve të planetit dmth edhe të Shqipërisë. Do këtë edhe viktima, ku më shumë e ku më pak, por pas 1, 2 vjetësh do ndodhë ajo që quhet imunitet i turmës dhe jeta do vazhdojë deri në përballjen e rradhës.

Duhet ta themi pa frikë se sot në Shqipëri, po të bëhet testimi i plotë i popullsisë, më shumë se 1 milion njerëz janë prekur nga ky virus i poshtër dhe kjo është normale.

Duhet të themi se asnjëherë lufta kundër epidemive e pandemive nuk ka paralizuar jetën sociale dhe ekonomike si këtë herë.

Duhet të pranojmë që ky virus i zuri drejtuesit e shteteve papërgatitur dhe pa një strategji të mirëmenduar reagimi.

Duhet të pranojmë që edhe izolimi e sidomos bllokimi i lëvizjes së automjeteve dhe aeroplanëve i bëri shumë mirë planetit në kuptimin ekologjik dhe ndoshta edhe rigjenerues.

Duhet të pranojmë që edhe politika, si në çdo rast do të bëjë çmos të përfitojë nga kjo situatë e jashtëzakonshme për të konsoliduar pushtetin e saj në dëm të lirive dhe të drejtave të njeriut e kjo është më e keqja që mund të ndodhë.

Mund të ndodhë që pushtetarët pasi të përfundojë karantina e izolimi ta shpallin veten shpëtimtarë të jetës tonë dhe pastaj të tallen më keq se ç’janë tallur deri tani më jetët tona. Kjo do ishte më fyesja për ne, por edhe më idjotja për ata…

Të tjerat do kalojnë shumë shpejt dhe pa shumë pasoja të rënda për jetën dhe mirëqënien e njerëzve… Në fund, duhet ta themi se gjithmonë pas natës vjen një ditë. Qoftë ditë e bukur për të tërë !