Bushati: Nësë Shqipëria do të preket nga refugjatët, kemi gati planin e emergjencës

476
Kështu ka deklaruar nga Ministeriali i posaçëm i BE-së, kushtuar krizës së refugjatëve. Duke rikujtuar eksodin kosovar në vitet 1998-1999, kur Shqipëria hapi dyert për qindra mijëra refugjatë nga Kosova, ministri Bushati në fjalën e tij theksoi nevojën për të trajtuar dhe për të adresuar bashkërisht krizën e krijuar nga flukset e emigrantëve që kërkojnë të arrijnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. “Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen”, u shpreh Bushati.
Ministri theksoi me tej se pavarsisht kësaj krize vendet e rajonit i kanë qëndruar besnik vlerave europiane. Bushati tha se kjo krizë është e ndërlikuar e cila mbart rreziqe sigurie dhe financiare. “Kjo është një krize që ka në vetvete kriza të ndërlidhura, një krizë humanitare në det dhe në tokë që mbart me vete dhe rreziqe për çështje të sigurisë, si dhe një krize financiare me të cilën duhet të përballen vendet e prekura nga vala e refugjatëve. Kjo ndërthurje krizash sfidon aftësitë reaguese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vende tranziti, por pavarësisht dyndjeve në kufijtë e tyre, vendet e rajonit kanë dëshmuar gjatë kësaj krize se i kanë qëndruar me besnikëri vlerave evropiane”, përfundoi Bushati. Ne këtë Ministerial të posaçëm të BE-së kushtuar krizës së refugjatëve të mbajtur në Luksenburg mori pjese edhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea.
Sigal