Burgjet, pa mjekë e të pisët/ Avokati i Popullit konstaton mungesa në qelitë shqiptare

79
Sigal

Inspektimet e avokatit të popullit në sistemin e burgjeve kanë zbuluar problematikën e mungesës së mjekëve në këto institucione.

Tjetër shqetësim është dhe higjena, pasi nuk u gjetën produkte të pastrimit, mungesa e mjekëve në burgje është kthyer në një problematikë shqetësuese.

Avokati i Popullit në raportin e vitit 2022 shprehet se nuk përmbushet numri i bluzave të bardha për t’i dhënë shërbimin e duhur të dënuarve apo dhe të paraburgosurve.

Madje është konstatuar se në një pjesë të madhe janë angazhuar mjekë me kohë të pjesshme, për një periudhë prej 4 orësh në ditë.

Dhe jo vetëm kaq, ambientet në dispozicion për vizitat mungojnë dhe i njëjti konkluzion jepet dhe për mjetet që duhet të kenë doktorët.

Për këtë arsye, në disa burgje nuk janë kryer konsultat e nevojshme, ekzaminime apo edhe analiza laboratorike. Gjithashtu, pothuajse në të gjitha ambientet e burgjeve në rang vendi nuk funksiononin pajisjet e sistemit të ngrohjes.

Kjo për shkak të defekteve teknike, ose të mungesës së karburantit. Produkteve bazë të higjenës apo të pastrimit të qelive u konstatuan në mungesë në disa prej institucioneve të inspektuara.

Ndërkaq, të burgosurit i mbanin rrobat e tyre në qese plastike ose në thasë poshtë shtretërve pasi nuk ishin pajisur me një dollap ose raft. Sipas inspektimeve, problematikat më të mëdha u hasën në IEVP-në Fushë-Krujë, Lezhë dhe Durrës.