Brenda 10 ditëve të para të muajit korrik, publikohet formulari A2

    Pranimi në universitet për maturantët që përfunduan provimet e detyrueshme dhe ato me zgjedhje do të realizohet përmes formularit A2 që do të publikohet brenda 10 ditëve të para të muajit korrik. Burime nga Ministria e Arsimit bënë me dije se menjëherë pas daljes së rezultateve të provimit me zgjedhje, që do të bëhet brenda dy javëve që nga 19 qershori kur ishte dhe data e provimit të lëndëve me zgjedhje, do të publikohet formulari A2. Sakaq, brenda datës 24 shkurt, Ministria e Arsimit ka miratuar formularin A1 dhe A1Z, së bashku me udhëzuesin përkatës dhe koeficientët e shkollave e lëndët me zgjedhje.
    Publikimi i këtyre formularëve u shpall nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, bashkëngjitur me mënyrën se si do të plotësohej. Po ashtu deri në javën e fundit të shkurtit, u bënë publike dhe programet e studimit, të cilat ofrohen nga Institucioni Publik i Arsimit të Lartë (IPAL) për vitin akademik 2015-16. Brenda kësaj date kandidatët do të njihen dhe me tabelën e indekseve të degëve si dhe drejtimet për çdo shkollë të mesme. Maturantët kanë bërë aplikimin online fillimisht në Portalin Qeveritar e-albania në periudhën 1-15 mars 2015 dhe më pas në Portalin Matura Shtetërore 2015 në periudhën 10-31 mars, sipas një plani kalendar të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Në gjysmën e parë të prillit, Komisioni i Maturës Shtetërore plotësoi online bazën e të dhënave për çdo kandidat dhe çdo ankesë e mundshme nga maturantët që do të shyrtoheshin në 15 ditët e ardhshme. 
    Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, e cila do të përfshijë, përveç maturantëve aktualë edhe të gjithë ata kandidatë që plotësojnë kriteret për të konkurruar në universitet. Të drejtën për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore, e kanë të gjithë ata kandidatë, të cilët kanë përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe që do të plotësojnë formularin A1 ose A1Z. Ky formular është bërë publik dhe është shpërndarë brenda datës 25 shkurt. Në bazë të dokumenteve të paraqitura, Komisioni i Maturës ka përcaktuar notën mesatare të viteve të shkollimit, si dhe notat e provimeve të detyruara Dl e D2, të cilat ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatët janë regjistruar në Maturën Shtetërore.
    Për shkollat profesionale dhe shkollat e orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen Letërsia dhe Matematika (nëse janë dhëne e fituar). Në mungesë të Letërsisë dhe Matematikës, një ose dy nga provimet, sipas planit mësimor të shkollës së tyre.
    Një maturant me rezultate shumë të larta, me pikët që grumbullon, mund të jetë fitues në të dhjetë preferencat e zgjedhura prej tij, por sistemi atë e shpall fitues në preferencën e parë. Një maturant me rezultate shumë të dobëta, nuk shpallet fitues në asnjërën prej preferencave të tij. Nëse maturanti është me rezultate mesatare, shpallja e tij fitues varet nga rezultatet e grupit të maturantëve që kanë kërkuar po ato programe studimi, sikurse dhe ai. Kriteri i meritës është kriteri krahasues midis maturantëve/kandidatëve fitues, ose jofitues në një program të caktuar studimi. Prandaj një maturant/kandidat shpallet fitues në një program studimi, edhe sikur ai ta ketë përzgjedhur si preferencë të dhjetë, dhe kjo ndodh nëse ai grumbullon më shumë pikë se sa një tjetër maturant, që e ka renditur këtë program si preferencë të parë. Pra, preferenca është kriter vlerësues i brendshëm i një maturanti të caktuar dhe jo i jashtëm për krahasimin e maturantëve midis njëri-tjetrit.
    Sigal