“Blue Panorama” gjobitet me një milion euro; klientët paguanin 2 herë biletën ose merrnin gjoba të padrejta

539
Sigal

Një milion euro gjobë është shuma që ka vendosur Autoriteti Garantues i Konkurrencës dhe i Tregut (AGCM) për linjën ajrore “Blue Panorama”, e akuzuar për praktikë të pasaktë tregtare. Kompania, 100% në pronësi të grupit “UVET VIAGGI TURISMO S.p.A”, akuzohet se nga 15 dhjetori 2017 iu aplikonte udhëtarëve një gjobë – që në fillim përbëhej nga pagesa e biletës së re për të qenë në gjendje të përdorin shërbimin e blerë tashmë, dhe më pas një tarifë prej 50 eurosh për rrugë, të pakthyeshme – në rast se emri i rezervuar ishte i ndryshëm nga ai i dokumenteve. Pra, klientët detyroheshin të paguanin në rast se harronin emrin e dytë ose të tretë, apo një mbiemër të dytë, ose në rastin e ndryshimit /mungesës së disa germave, raporton “Business Insider Italia”.

“Sot për herë të parë në jetën time më ka ndodhur diçka që unë konsideroj me peshë të jashtëzakonshme: Në check in-in e fluturimit Milano Malpensa – Tirana BV 2330 të 23 marsit 2017 ata nuk e pranuan biletën e fluturimit të bërë online pikërisht si të gjitha biletat e mëparshme (mbi 1000 fluturime) me arsyetimin se emri im nuk ishte i plotë. Blerja e mbi 100 fluturimeve në vit, vetëm me ju këtë vit kam fluturuar të paktën 7 herë, duke mos llogaritur fluturimet e sotme, askush nuk e ka diskutuar kurrë për plotësinë e emrit tim”, shkruan një pasagjer në mars të vitit 2017, duke u ankuar për kompaninë në fjalë.

Kërkesa për pagesën e biletës ose gjobës së dytë, për më tepër, “aplikohej drejtpërdrejt në aeroport, gjatë fluturimit apo gjatë imbarkimit”, shkruan “AGCM”.