Bllokohet me shirit të kuq plazhi përpara Shkollës së Marinës në Vlorë

675
Sigal

Studimi: Ka nivel të lartë të baktereve E.Coli dhe streptokoku. Zyra Mjedisore: Përgjegjësia, e bashkisë dhe DSHP-së

Alarmi i dhënë nga DSHP-ja në Vlorë një vit më parë, për ndotjen dhe rrezikun që sjellin për shëndetin e qytetarëve derdhja e ujërave të zeza në det, është konkretizuar vetëm në ditët e fundit të sezonit turistik. Rrethohet me shirit të kuq plazhi publik, duke mos lejuar qytetarët që të lahen aty. Kjo ka befasuar pushuesit, që nuk kishin ndonjë informacion më parë se ky plazh publik është i pafrekuentueshëm.

Analizat

Instituti i Shëndetit Publik, pas analizave laboratorike që ka kryer në disa plazhe të Vlorës, ka bërë publike analizat, që tregojnë ndotjen e lartë në plazhin publik përballë shkollës së Marinës. Sipas këtyre analizave, që janë bërë vetëm pak ditë më parë, rezulton se deti në këtë segment të plazhit, tregojnë për praninë në një nivel të lartë të baktereve dhe pikërisht E.Coli dhe streptokoku fekale, që janë pasojë e derdhjeve të ujërave të zeza në det. Pas këtij përfundimi ka qenë një organizatë sociale (SEEP), që ka sensibilizuar qytetarët, që të mos e frekuentojnë këtë plazh, pasi rrezikohet shëndeti i tyre. Rrethimi me një shirit të kuq, do të thotë izolimi i këtij plazhi publik, që është shumë i frekuentuar, pasi çadrat janë falas. Lidhur me ndotjen në plazhe, u organizua edhe një tryezë, u shpërndanë pankarte e fletë-volante drejtuar qytetarëve, ku janë vendosur edhe rezultatet e analizave dhe pasojat që vijnë për shëndetin

DSHP Vlorë

Drejtoresha e këtij institucioni, Bruna Ndreu, përpara sezonit turistik dha alarmin se në plazhet e qytetit ka ndotje për shkak të 37 derdhjeve me ujëra të zeza, çka përbën rrezik për shëndetin e pushuesve. Kaq ishte detyra e saj dhe inspektorëve që shërbejnë në këtë institucion, që ka detyrë parësore ruajtjen e shëndetit të publikut, për të dhënë alarmin në media. Institucioni nuk nguli këmbë më tej pranë bashkisë së qytetit, që i administron ato dhe për më tepër, nuk bëri izolimin e plazheve më të ndotur, por priti që kjo të bëhet nga një shoqatë në ditën e sotme, kur sezoni po përfundon.

Agjencia Rajonale e Mjedisit

Kreu i kësaj agjencie, Geron Gunbardhi është shprehur për gazetën “Telegraf”, se ky është një problem i njohur dhe nga ana jonë është bërë prezent ndotja. “Në të vërtetë sensibilizimi që u bë sot, që sipas një shprehje popullore do të thotë si “Kofini pas të vjelit”. Duhej t’ua bënte bashkia e qytetit, ndërsa inspektorët e shëndetit publik, duhej të bënin izolimin e tij. Projekti i nisur për të evituar derdhjet e ujërave të zeza në det, ishte një mashtrim. Ai ka mbetur në letër dhe nuk dihet nëse do të bëhet një ditë realitet”, përfundon Gumbardhi.