Berisha: Qëndrimi i Beogradit ndaj Rusisë, kërcënim për Ballkanin

162
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot qëndrimin e Beogradit ndaj Rusisë, teksa u shpreh se përbën kërcënim për Ballkanin.

“Serbia, historikisht e njohur si Rusia e vogël, nuk ka dënuar agresionin barbar rus ndaj Ukrainës. Ajo nuk votoi në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Europës për pezullimin e Rusisë nga ky institucion. Ajo refuzoi të bashkohet sanksioneve të vendosura nga vendet anëtare të BE-së. De fakto është e rreshtuar në anën e agresorit dhe në anën e Rusisë. Ky qëndrim i Serbisë përbënë një ndarje të qartë përfundimtare politike të këtij vendi nga rrjedha e përgjithshme euroatlantike dhe në çdo rrethanë ajo është një aleat potencial për veprime destabilizuese në rajon. Ambiciet e Rusisë për rajonin, janë të pandryshueshme. Ëndrra e saj është Adriatiku dhe për realizimin e ëndrrës Rusia ka si platformë veprimesh Serbinë apo Rusinë e vogël në Ballkan”, tha ai, gjatë një konference me gazetarët nga Durrësi.

Po ashtu, Berisha shprehu denoncimin e tij për dy vende anëtare të NATO-s, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndaj projektit të “Ballkanit të Hapur”.

“Dy vende anëtare të NATO-s në këtë nismë sillen si vasale të Beogradit dhe për rrjedhojë sillen si vende sikur të jenë në zonë ruse të influencës”, tha Berisha.

Berisha theksoi se “mbështet çdo qëndrim të qeverisë që lidhet me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, plotësimin e çdo detyrimi që rrjedh nga anëtarësia e Shqipërisë në këtë aleancë si dhe gjitha mbështetjet historike të BE-së për Ukrainën, por shpreh keqardhjen time që qeveria shqiptare mund të jetë ndër më të pakta për të mos thënë e vetmja që deri në këtë moment nuk ka dhënë asnjë lloj ndihme materiale konkrete, përveç qëndrimeve politike të përputhura plotësisht me SHBA dhe NATO-n”.