Berisha: Licencat e rojeve bregdetare qeveria ua ka dhënë pronarëve të plazheve

140
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se licencat e rojeve bregdetare, ua ka dhënë pronareve të plazheve.

Reagimi i kreut të PD-së, Sali Berisha:

Sezoni turistik në Shqipëri plot fatalitete!

*Rojet bregdetare nuk ekzistojnë!

*Ato i zhduku konflikti i interesit.

*Licencat e tyre i kanë marrë pronarët.

Në shtetin ku kryeministri është i korruptuar konflikti i interesit nuk ekziston dhe korrupsion shndërrohet në sistem.

Miq, sezoni turistik në Shqipëri ka nisur me plot fatalitete. Asnjë roje bregdetare për shpëtimin e personave në rrezik për tu mbytur, sipas medieve, nuk ekziston në brigjet e detrave, liqeneve, lumejve të vendit. Ato i ka zhdukur konflikti i interesit, pra korrupsioni.

Në konflikt të plotë interesi, pronarët e qindra plazheve të marra prej tyre në përdorim, për të mos paguar rrogat e rojeve të shpëtimit të jetëve siç kërkon ligji, kanë marrë vetë licencat si roje dhe kanë zhdukur rojet.

Ata me këtë nuk kanë bërë gjë tjetër, vetëm kanë ndjekur shembullin e Ramës i cili firmos për interes të tij dhe në kundërshtim me ligjin, kontrata për ‘djegësat’ me procedurë, negociata të mbyllura, për të mbushur valixhet ai vetë dhe ministrat e tij me qindra milionë euro.

Ata kanë ndjekur shembullin e Ramës, kompanitë e familjarëve të të cilit në konflikt të plotë interesi fitojnë me ‘meritë’ tender pas tenderi.

Ata ndjekin shembullin e Ahmetit që në konflikt të plotë interesi zgjedh bashkëhajdutin e tij të hershëm Zoto, për të vjedhur me aferën e djegësave, qindra milion euro.

Ata ndjekin shembullin e Xhaçkës që në konflikt me kushtetutën lumturon burrin me licencë të investitorit strategjik, së paku 5 milion euro e më shumë shpërblim.

Ata ndjekin shembullin e Gjiknurin që me kushërinjt sekserë në konflikt të plotë interesi, i del emri te Kepi i Stillos pasi shpërbënë Parkun Kombëtar të Butrintit me një megaaferë korruptive.

Ata ndjekin shembullin e Velisë që ka shndërruar Sharrën, në minierë floriri për veten dhe Ramën, apo lumturon vëllanë e dashur, të cilit në konflikt interesi i siguron tendera.

Ata ndjekin shembullin e Elisës, burri i së cilës i lumturon vëllanë e saj, duke i dhënë në konflikt interesi, tender pas tenderi.

Ata ndjekin shembullin e Agollit që në konflikt interesi, lumturon djalin duke i besuar kuzhinierit të tij, fondin qindra milionësh për librin e gatimeve të Bujtinave.

Ata ndjekin… ndjekin… ndjekin, por qytetaret vidhen, plaçkiten, varfërohen, mbyten dhe vdesin nga konflikti i interesit.

Në shtetin ku kryeministri është i korruptuar, konflikti i interesit nuk ekziston dhe korrupsion nuk ekziston.

*Këtu me poshtë keni kronikën dhe denoncimin e @euronewsalbania që mund ta lexoni sipas dëshirës.

###

Sezon pa roje bregdetare në Shqipëri, pronarët e plazheve licencohen vetë për të kursyer

Sipas Vendimi të Këshillit të Ministrave, çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit. Në teori e zbatueshme, por në praktikë nuk ndodh kështu.

‘Kam 5 ditë, roje bregdetare nuk ka pasur për arsye se ndoshta është fillimi. Me lart ka kabina që ndoshta në një të ardhme do ketë që do kontrollojnë detin se tani ka pak njerëz’, u shpreh një qytetar për Euroneës.

‘Roje bregdetare nuk kemi parë asnjëherë këtu, nuk ka pasur asnjëherë, nuk kemi parë as vite të tjera se kemi 14 vjet që e kemi blerë shtëpinë’, tha një qytetare.

‘Jam nga Polonia, kam dy dite këtu, nuk kam parë asnjë vrojtues plazhi dhe skam parë as dushe dhe është shumë e çuditshme për mua, se kur kemi qenë në vende të tjera ne i kemi këto. Duhet të ketë vrojtues, shoh që ka kulla por s’kanë asnjë person aty,’ tha turisti.

‘Jemi nga Kosova, kemi 1 muaj, nuk kemi parë asnjë roje, nuk ka asnjë kufizim aty është rrezik për fëmijët’, tha një vizitore nga Kosova.

Leneda Kamberaj, trajnere e licencuar e vrojtuesve të plazhit, tha për Euronëes Albania se për vitin 2022 janë trajnuar dhe licencuar 19 vrojtues. Por të 19 janë pronar plazhi dhe kjo ndodh për dy arsye.

 ‘Pronarët e plazhit kërkojnë persona për t’i trajnuar që t’ua bëjnë ata pagesën e trajnimit dhe të vendosi vrojtuesit çfarë rroge duan, por nuk ka persona të interesuar. Një arsye tjetër është se pronarët e plazhit nuk duan të paguajnë lekë shtesë për të marrë një punonjës më shumë dhe e bëjnë vetë trajnimin, por nuk është se këta pronar qëndrojnë në pikën e vrojtimit dhe kryejnë rolin e vrojtuesit të plazhit, e marrin vetëm për të marrë lejen e plazhit dhe kaq’, sqaroi ajo.

Në Vlorë tashmë shezlongjet janë vendosur dhe pushuesit shtohen çdo ditë, ndërsa mungesa e elementëve të sigurisë, vijon të mbetet problem edhe këtë sezon. Kryeinspektori i policisë bashkiake tha për Euroneës Albania se kontrollet nuk kanë nisur ende pasi po pritet lista përfundimtare e përfituesve të plazheve nga bashkia Vlorë.

Sakaq Agjencia Kombëtare e Bregdetit tha se do të nisin kontrollet së bashku me policinë e shtetit dhe atë bashkiake. Kontrollet u kryen por situata vijon të mbetet e njëjtë.

Për këtë sezon, i vetmi vrojtues në plazhin e Vlorës, rezulton të jetë kryetari i bashkisë Dritani Leli, i cili i dha ndihmën e parë një pushuesi që pati problem me zemrën. Euronews Albania