Berati me dy lumenj, fermerët vadisin tokat me puse

429
Sigal

Fillimi i stinës së verës është tepër shqetësuese për fermerët, të cilët nëpërmjet vaditjes së tokave arrijnë të rrisin dhe prodhimet bujqësore. Problemi nis tek gjetja e ujit. Berati edhe pse me dy lumenj që ja ka falur natyra, të cilët kanë prurje ujore si në dimër dhe verë, nuk shfrytëzohen dot nga fermerët dhe në pamundësi ata i janë rikthyer puseve për të vaditur tokat e tyre. Shkak për mos shfrytëzimin e lumenjve janë bërë shumë faktorë. Faktori i parë është neglizhenca e drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë që i kanë lënë këta fermerë në pikë të hallit. Kjo ministri nuk ka investuar aspak në Qarkun e Beratit, për sistemin vaditjes, i cili është tejet i shkatërruar. Sistemi ujitës si kanalet vaditës apo ato ndërlidhës që shërbejnë për vaditje janë teje të shkatërruar. Kjo ka bërë që tokat e fermerëve të mbeten pa vaditur dhe i gjithë prodhimi i tyre digjet në muajt e verës, për shkak të mungesës së ujit. Këtu e kanë zanafillën edhe mos prodhimet e fermerëve në bujqësi. Lumenjtë e Beratit janë në çdo kohë me ujë, shprehet fermeri Gëzim Tare, i cili ka një sipërfaqe të madhe toke, por edhe pse e mbjell çdo vit në momentin që prodhimet kanë nevojë për ujitje prishen pasi mundësia për vaditje nuk është. “Jemi të detyruar t’u kthehemi puseve për të vaditur tokat”, është shprehur Tare për gazetën, sepse sipas tij, vetëm 20 për qind e tokave në Qarkun e Beratit vaditen. Kur në një kohë Qarku i Beratit, është një vend me burime ujore, shprehen fermerët. “E mbjellim tokën i gëzojmë kësaj mbjelljeje, sepse ecim me shpresën e të ardhurave që do të marrim, por kur bimët arrijnë kulmin e rritjes së tyre fillojnë e thahen pasi kërkojnë vaditje. Ne nuk jemi në gjendje t’i vadisim, kështu që prodhimi përfundon në zero. Këto janë probleme madhore për ne, sepse ne i prekim çdo ditë në jetën tonë bujqësore. Pa vaditje nuk ka prodhim, pa prodhim nuk ka jetë, janë shprehur fermerët këtë ta dinë mirë qeveritaret se pa vaditje nuk ka prodhim. Ne e kemi lidhur jetën vetëm me bujqësinë. Ne nuk po llogarisim plugimet apo blerjen e pesticideve, që shiten me çmim marramendës, por ne bëjmë thirrje për një pikë ujë, i cili ikën dëm dhe ne nuk e marrim dot për të vaditur”, tha fermeri Gëzim Tare.