Benzi i ministrit 100 mijë euro, i shitet drejtorit për 15 mijë euro

554
Një burim tepër zyrtar dhe i besueshëm i tha “Telegraf” se “një ministër i “Rilindjes”, njeri i afërt i kryeministrit Rama, i ka shitur benzin e tij luksoz të blerë në vlerën e 100 mijë eurove, një drejtori në Elbasan për 15.500 euro, pas një favori që ky i fundit i kishte bërë, dhe paratë kanë dalë të gjitha nga arka e ndërmarrjes, e cila edhe sot e kësaj dite rezulton me humbje dhe deficite të mëdha”. Benzi luksoz ka ardhur para 3 muajsh në oborrin e ndërmarrjes dhe qëndron i mbuluar me mushama speciale, në pritje të letrave të cilat nga pronësia e ministrit, do të kalojnë në pronësinë e drejtorit. Aktualisht zyrtarëve dhe rojeve të ndërmarrjes u është thënë se “benzi i zi prodhim i vitit 2014 ka ardhur për disa shërbime, por që faktikisht letrat e ardhura në degën e financës thonë të kundërtën, pasi nga arka e ndërmarrjes janë paguar qysh në datën 17.02.2016, plot 15.500 euro, duke u justifikuar me gjoja “blerje automjeti për përdorim operacional”. 

Ky skandal financiar dhe kjo vjedhje e madhe e hapur, është bërë fillimisht nga ministri, që thuhet se e ka blerë benzin e tij në Gjermani, por pasi e ka përplasur diku, duket se nuk ka patur dëshirën ta mbajë të “arnuar”, dhe ka blerë me porosi një tjetër benz në vendin e origjinës, direkt nga fabrika. Dhe në vetëm 2 vjet makinë të re, ministri Rilindjes ka preferuar ta shesë për një “cope bukë” benzin e ri që ndoshta po ti futesh hetimeve, do të rezultojë se edhe ai është blerë me para shteti. Çudia dhe kureshtja e rojeve dhe zyrtarëve të ndërmarrjes së madhe, duket se ka nisur të shqetësojë së fundi edhe drejtorin, i cili kërkoi me urgjencë nga ministri një shkresë përcjellëse e cila duhej të motivonte “largimin nga detyra të tre personave me ide djathtiste”, persona të cilët kishin nisur të flisnin lart e poshtë për aferën e pistë dhe vjedhjen e parave nga arka e shtetit. Tre personat “që llapnin” sipas drejtorit, u larguan nga puna në datat 10 dhe 11 prill 2016, (ditën e hënë dhe të martë) dhe brenda po asaj jave u morën në vendet e tyre tre njerëzit dhe militantët e partisë. Vjedhje, afera, fallcifikime, dhe zhvatja e parave të shtetit vazhdon me ritme të çmendura, aq sa edhe ata që deri sot kishin frikën të flisnin, po mërmërisin me zë dhe sms se “po na shohin sytë banditë që po vjedhin gjithçka nga pasuria e ndërmarrjeve”. 
Aferat ndjekin njëra – tjetrën

Prej afro 3 vitesh e gjysmë, afera të tilla të ngjashme me benzin e ministrit, po rrënojnë financiarisht arkën dhe paratë e shtetit, duke mos patur deri sot asnjë fajtor të hetuar dhe penalizuar. Vjedhja e parave dhe milionave nga tenderat tek dietat, nga punësimet tek sponsorizimet, nga fallcifikimet tek aferat e tjera të pista, duket se mbeten refreni i qeverisjes së Rilindjes edhe në rrethe. Gjithçka duket sikur po e dirigjon mentaliteti i rrugës, mentaliteti bandave dhe korrupsioni që ka marrë pamjen e çdo drejtuesi që i kanë kthyer ndërmarrjet në prona private. Kontrolli i Lartë i Shtetit, vetëm në periudhën janar 2014 deri në mars 2016, ka dërguar mbi 1116 propozime për ndjekje penale për qindra zyrtarë të qarkut të Elbasanit, 90 për qind nga të cilët janë drejtorë dhe ish-drejtorë që në vite kanë bërë pasuri në miliona lekë apo euro, duke luajtur poker me postin dhe pasurinë e shtetit. Rastet e implikimit të drejtuesve të Rilindjes në afera korruptive, nuk kanë fund. Organet e hetimit, Krimi Ekonomik dhe Prokuroria i kanë plot zyrat e tyre me dosjet e korrupsionit, ndërkohë që deri sot veç ndonjë juristi apo ekonomisti të mbetur pa mbështetje politike, asnjeri prej tyre nuk e ka kapërcyer derën e burgut. Gjithçka në institucione e mbërthyer nga kaosi, anarshia dhe korrupsioni, kudo duhet të paguash, kudo duhet ta blesh me para shërbimin e detyruar me ligj nga zyrtarët e shtetit, duke nisur nga informacioni , rojet private dhe derisa të arrish tek drejtori je shkundur nga xhepat dhe memoria e njeriut normal, dhe je kthyer në plaçkë pa vlerë. Kjo është arritja më e madhe e Rilindjes, që në rrethe, dhe të paktën në Elbasan e ka arritur ta kthejë qytetarin në robot të telekomanduar. 
Sigal