Fullani kërkon 500 mijë USD dhe rikthimin në detyrë

557
Përpos një dëmshpërblimi financiar dhe moral prej gati 50 milionë lekësh të rinj, ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kërkon të rikthehet në detyrë. Kjo kërkesë u bë me dije një ditë më parë në Gjykatën Administrative nga ana e përfaqësueses ligjore të Fullanit, avokates Erinda Ballanca, në gjyqin ku ish guvernatori ka paditur Bankën e Shqipërisë dhe Kuvendin e Republikës. Në seancën ku vetë Fullani nuk ishte i pranishëm, avokatja Ballanca shtoi kërkesën e re për rikthimin në detyrë të klientit të saj. Ndërkaq, vendimi përfundimtar i gjykatës për padinë e Fullanit pritet të shpallet më 2 qershor 2016. 
Me anë të një materiali prej 59 faqesh, që përbënin konkluzionet përfundimtare të palës paditëse, avokatja Erinda Ballanca tha se klienti i saj, Ardian Fullani, është shkarkuar nga detyra e guvernatorit në shkelje flagrante të ligjit. Sipas avokates, Banka e Shqipërisë dhe Kuvendi i Republikës duhet të provonin në proces që propozimi për shkarkim, i bërë nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH e më pas i miratuar nga Kuvendi është bërë për një nga shkaqet e përcaktuara në ligj për shkarkimin e guvernatorit. 
“Mungesa e shkakut, që pretendohet se mund të jetë shkelje e rëndë e etikës së punës dhe cenim i rëndë i interesave të Bankës së Shqipërisë, e bën shkarkimin të paligjshëm”, tha avokatja. Sipas mbrojtëses, Fullani nuk ka shkelur etikën për asnjë moment dhe se edhe pasi vendimet penale në lidhje me vjedhjen ne Bankën e Shqipërisë kanë marrë formë të prerë, nuk ka rezultuar asnjë formë bashkëpunimi mes tij dhe të përfshirëve në vjedhje. 
Duke iu referuar procesverbaleve të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH¬së, Ballanca tha se shkaku i vetëm i shkarkimit të Fullanit ka qenë arrestimi i tij. Përfundimisht, mbrojtësja i kërkoi gjykatës të urdhërojë BSH¬në dhe Kuvendin të rikthejnë në detyrë ish guvernatorin, dëmshpërblimin e tij moral me 15 milionë lekë dhe dëmshpërblimin pasuror të pagave që ai duhet të merrte nga dita e shkarkimit deri në ditën e rikthimit në detyrë, ose deri në ditën e përfundimit normal të mandatit, në masën 35 milionë lekë. 
Sigal