Baza e PD anti-amerikane? Kokalari: Basha ofendoi për të justifikuar pisllëqet që po bën me PD-në

430
Sigal

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, pjesë e Partisë Republikane në SHBA, mbërriti nga New York-u për të marrë pjesë në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha në Vlorë.  

Në një prononcim Kokalari tha se ishte e habitur me deklaratën e Lulzim Bashës, i cili e quajti bazën demokrate, të cilët duan ndryshimin e kursit të PD, si anti-amerikane.

Evi Kokalari tha se Basha e bën një gjë të tillë për të mbuluar sipas saj paaftësinë dhe pisllëqet që po bën me PD-në, ndërsa shtoi se shqiptarët dhe amerikanët janë miq të fortë.

“Në mënyrë absolute, sikur anti-amerikanët në të gjithë botën të ishin si njerëzit sot në sallë, në botë do të kishim paqe. Më vjen shumë keq që Lulzim Basha shfrytëzon amerikën, për të justifikuar paaftësitë e tij dhe pisllëqet që po bën me PD-në. Seriozisht, si shqiptaro-amerikane, sepse kam lindur këtu, e gjej shumë ofenduese dhe jo vetëm që këta nuk janë anti-amerikanë por edhe Amerika që shohim sot nuk është Amerika e vërtetë dhe unë uroj që shqiptarët ta kuptojnë që kjo është e përkohshme, do kalojë dhe Amerika e vërtetë do të rikthehet, ajo Amerikë që kanë qenë gjithmonë miq të fortë të shqiptarëve dhe nuk ka për t’u ndaluar kurrë kjo gjë, ne këtë e dimë, thjesht të presim dhe të mundohemi të reformojmë PD-në dhe kur të rikthehen Republikanët do të shohim ndryshime në të gjithë botën, jo vetëm këtu në Shqipëri dhe Amerikë”, tha ajo.

E pyetur se, a ka një qëndrim real në Partinë Republikane amerikane për vendimin ndaj Berishës, nisur nga miqësia e veçantë dhe raportet ndër vite, duke kulmuar me vizitën e Bush në Shqipëri, Evi Kokalari tha: “Ata që janë njohur me çështjen Berisha e kanë kuptuar, nuk ka nevojë t’ua shpjegosh. Janë në dijeni. Mbështetja ka qenë dhe do të jetë sa të mundim”.

Lidhur me padinë e Berishës ndaj Blinken, Evi Kokalari tha se Berisha ka të drejtën e tij të pamohueshme në botë për të vendosur dinjitetin. “Gjë që nuk mund t’i mohohet. Edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë”, tha ajo.

Por çfarë pret Evi Kokalari nga “Foltorja” e Sali Berishës?

“Premtimet, se si do të ndryshohen. Pikat që do të ndryshojnë. Mënyra si do të ndryshojnë. Si do të funksionojë Kryesia. Sot ai foli për primaret që është shumë e rëndësishme, është e vetmja mënyrë për të patur Parti Demokratike brenda Partisë Demokratike. Këto janë gjërat që ai duhet të fokusohet dhe t’ia shpjegojë popullit. Të tërë duhet të punojnë dhe të edukojnë popullin për të parë ndryshimin midis PD dhe PS. Nëse ata do të ishin vërtetë në dijeni se cilat janë linjat dhe principet e PD, ua jap me 100 firma që ata do ta kishin parë Lul Bashën shumë më përpara seç e kemi parë ne të tjerët dhe gjërat ndoshta do të kishin ndryshuar në 2017. Është shumë e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse unë jam këtu dhe e kam bërë të ditur që dua të sjell frymën konservatore që kemi në Partinë Republikane por edhe në lëvizjen e Presidentit Trump, ku nuk është sekret që unë jam një nga mbështetëset e tij më të flakta në komunitetin shqiptar në Amerikë”.

Shqiptaro-amerikania pjesë e Partisë Republikane në SHBA, Evi Kokalari dha detaje për Syri Tv edhe lidhur me drekën që pati sot në Tiranë me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, disa orë përpara se të merrte pjesë në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha në Vlorë.

“E para, më bëri përshtypje sa shpejt gazetarët marrin informacione për gjëra të tilla, me të thënë të vërtetën. Së dyti, unë e njoh ambasadoren Kim përpara se të vinte në Shqipëri në 2020-ën dhe e konsideroj mikeshë. Ne folëm si mikesha, diskutuam shumë gjëra siç janë ngjarjet në Shqipëri, gjërat që po ndodhin në PD, por edhe ngjarjet në Amerikë. Unë jam individ që besoj në miqësi, në shoqëritë e mira me njerëzit dhe në dialogun. Dialogu është shumë i rëndësishëm edhe nëse je në dy anë të kundërta, ku ne nuk jemi, e di që ka shumë kritika ndaj saj, por për mirë apo për keq unë e konsideroj mikeshë dhe do ta mbaj mikeshë derisa të më tregojë që mund të mos jetë personi që unë njoh. Por unë respektin e mbaj. Unë jam amerikane dhe ajo është ambasadorja ime në Shqipëri. Kështu që, ishte një takim miqësor dhe shumë i mirë, kam idenë”, theksoi Kokalari.

© SYRI.net