Bashkia Kamëz i jep titullin “Qytetar Nderi” Donald Trump

580
Sigal

Shqiptarët njihen përgjithësisht si proamerikanë. Një bust i ish-presidentit Bush ndodhet në Fushë Krujë, një tjetër i Hillary Clinton në Sarandë, ndërsa së fundmi një vendim surprizë nga Bashkia e Kamzës, që drejtohet nga Xhelal Mziu.

Kjo bashki i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” Presidentit amerikan të sapozgjedhur, Donald Trump.

Ky titull iu akordua Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Kamzës pavarësisht se ai e merr detyrën në janar. Kjo me sa duket është një reklamë për Kamzën dhe kreun e Bashkisë, i zgjedhur i PD-së.

Nuk është çudi që së shpejti të ketë edhe një rrugë me emrin e Trump. Në Kamëz mund të gjesh rrugët “Amerika”, “Dubai”, “Australia”, “Roma”, “Stockholm”, “Montekarlo”, “Gjermania”, “Manhattan”, “Coca Cola”, “Paris”, “Bruksel”, “Washington”, “Berlin”, “Milano” apo “Meksikë” por mund të gjesh edhe rrugën “Shkupi” dhe… “Monarkia Shqiptare”. Nuk mungojnë edhe emra të krerëve të shteteve të mëdha, pasi aty mund të gjejmë rrugën “Nicolas Sarcozy”, “George Bush”, “Tony Blair” e atë “Silvio Berluskoni”.

Këshilltarët e qytetit e votuan në mënyrë unanime projektvendimin në të cilin propozohej shpallja “Qytetar Nderi” të Presidentit amerikan Donald Trump, me motivacion: “Si një model revolucionar i rendit të ri demokratik, një ekspert ekonomik, një negociator në politikat e jashtme, një komunikues mendjemprehtë popullor dhe një udhëheqës i kohëve moderne”, ndërsa nuk ka munguar edhe një biografi shoqëruese e Trump.