Bashkia e Tiranës nis rikualifikimin urban të lagjes përgjatë rrugës “Dhimitër Kamarda”

578
Sigal

Veliaj: “Punimet
përfundojnë brenda vitit, investojmë në rrugë, lulishte e kënde sportive për
fëmijët”

 

Gazeta Telegraf/


Këto ditë, dy blloqet e banimit përgjatë rrugës “Dhimitër
Kamarda” në lagjen “Ali Demi” janë kthyer në kantier të rikualifikimit urban, në
të cilin Bashkia e Tiranës po investon për krijimin e hapësirave të reja çlodhëse
për banorët. Projekti i nisur nga Bashkia e Tiranës parashikon rikonstruksionin
e të gjitha rrugëve të lagjes, shtimin e gjelbërimit, por edhe krijimin e një
këndi
lojërash për fëmijë, fushat e volejbollit dhe basketbollit,
si edhe hapësira për të moshuarit.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi
punimet në terren dhe theksoi se kjo është një nga 50 lagjes e Tiranës, ku bashkia
po ndërhyn për urbanizimin e të gjithë zonës. Puna e nisur me infrastrukturën e
qytetit, tha Veliaj, po vijon me hapësirat për më të vegjlit e të moshuarit. “Mund
të ketë 25-30 vjet që nuk është vënë dorë, që kur këto pallate u ndërtuan në
kohën e komunizmit. E gjithë zona e Poligrafikut, zona e “Ali Demit”, po pëson disa
ndryshime. Sapo kemi mbaruar aksin kryesor nga rruga “Ali Demi” deri në Shkozë,
i cili është ndoshta investimi më madhor në këtë komunitet. Më vjen mirë që
gjithë shokët e miqtë tanë të vegjël do të kenë edhe këndin e lojrave, fushën e
futbollit, të volejbollit, basketollit, do të ketë hapësira për të moshuarit,
dhe sigurisht duke qenë se është një lagje jashtëzakonisht e populluar, na
duhet pak mirëkuptim mes banorëve për mirëmbajtjen”, tha Veliaj.


Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se punimet do të mbyllen
brenda afatit 6 mujor, me synimin që banorët të kenë gati infrastrukturën e re
brenda vitit. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të pranojnë edhe
ngushtimin e oborreve të tyre, në mënyrë që të krijohen hapësirat e nevojshme
për trotuare apo gjelbërim, të cilat do të jenë në shërbim të të gjithëve. “Dua
t’u kërkoj mirëkuptim të gjithë qytetarëve, teksa punimet do t’i përfundojmë
para Vitit të Ri. Falenderoj ata që kanë pranuar të tërhiqen pak nga avllitë e
tyre, për të liruar hapësirë për trotuare, për hapësirë të gjelbër e për gjithë
infrastrukturën rrugore që na duhet të ndërtojmë”, u shpreh Veliaj. Ai pohoi se
ky investim do t’i sjellë kësaj zone jo vetëm urbanizim, por edhe më shumë
civilizim, si dhe rritje të vlerës së pronës.


Zona në të cilën po zbatohet ky projekt zë një sipërfaqe
prej 3.1 hektarë dhe ndodhet në pjesën lindore të qytetit të Tiranës. Ky objekt
përfshin rikualifikimin e dy blloqeve dhe rikonstruksinin e rrugës “Dhimiter Kamarda”.
Kjo është një zonë me ndërtime 5 katëshe para viteve 1990. Ndërsa, rruga
”Dhimitër Kamarda” ka një gjatësi prej 831 ml, është e konturuar në përgjithësi
me ndërtesa të ulta dhe lidh 2 blloqet me rrugën “Idriz Dollaku”.