Bashkia e Tiranë, 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë

893
Bashkia e Tiranës premtoi se do të japë 3 mijë bursa për nxënësit me rezultate të shkëlqyera. Premtimi u bë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. “Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”, tha Veliaj. Ai ishte i pranishëm në inaugurimin e mjediseve të reja që do të frekuentojnë nxënësit e shkollës “Vasil Shanto”, me nisjen e vitit shkollor. Punimet për rikonstruksionin e saj u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj, i cili theksoi se krahas përmirësimit të infrastrukturës Bashkia do të mbështesë me bursa nxënësit ekselentë. Kreu i Bashkisë kërkoi që tregtarët, të cilët shesin në ambientet e shkollës, të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia. “Dua t’u kërkoj me mirëkuptim të gjithë atyre që prej vitesh në mënyrë abuzuese shesin në perimetrin e shkollës “Vasil Shanto” produktet e tyre ushqimore. Ky nuk është një treg, ky është një institucion arsimor. Tregu është vetëm 50 metra larg, ku ka ende hapësira bosh”, theksoi kryebashkiaku. Në përfundim të projektit, shkolla “Vasil Shanto” krahas mjediseve të mësimdhënies do të ketë edhe palestër dhe ambient të gjelbëruar.
Sigal