Bashës i duhet trualli jo selia/ Zbulohet projekti i kullave në tokën ku ndodhet PD

209
Sigal

Lulzim Basha po mbron me çdo mjet e mënyrë selinë e Partisë Demokratike, madje 4 ditë më parë nuk kurseu as përdorimin e gazit lotsjellës ndaj demokratëve që protestonin në oborrin e selisë, dhe as ti kërkonte ndihmë Policisë së Edi Ramës për të larguar forcërisht demostruesit, me argumentin se i rrezikohej jeta.

E gjithë lufta e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij u interpretua si një përpjekje për vulën e partisë dhe selinë, por duket se çështja është pak më e thellë. Basha vërtet po lufton për godinën, por më shumë vlerë se ndërtesa në një nga zonat më të kushtueshme të Tiranës, ka trualli ku ndodhet kjo ndërtesë.

Prej kohësh janë hedhur dyshime se në truallin ku sot ndodhet godina e PD-së, e cila më parë njihej si ndërtesa e SHQUP, mund të ndërtoheshin kulla, të ngjashme me ato të ngritura në qendër të Tiranës. Gjithsesi këto ishin vetëm dyshime apo biseda që qarkullonin nga një tavolinë në tjetrën.

Por një fjalë e urtë thotë: ku ka zë nuk është pa gjë. Dhe duket se bisedat apo thashethemet që qarkullonin e kishin një bazë vërtetësie.

Arkitekti Titi Seranaj në një postim në rrjetet sociale shkruan se “në të njëjtën kohë kur ne luftonim për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga Shkurti i 2018-ës e deri në shembjen e tij me dhunë në 17 maji 2020, duke mos lejuar në vend të tij kullat e parave të pista, vetë opozita ka porositur projekt kullash në truallin e selisë së saj”.

Seranaj ka publikuar edhe një foto nga projekti se si mund të shdërrohet zona ku sot ndodhet edhe selia e PD-së, të cilën Lulzim Basha e mbrojti me gazin e hedhur nga brenda godinës në drejtim të demokratëve, dhe më pas në ndihmë i shkoi edhe Policia e Edi Ramës, që e legjitimoi ndërhyrjen e saj me kërkesën që iu bë nga një grup deputetësh, që ndodheshin mesditën e 8 janarit në godinën e PD-së.

Por çfarë është ky projekt që mund të zbatohet në zonën pranë Parlamentit, ku 4 ditë më parë ishin stacionuar trupat speciale të policisë që sulmuan demokratët protestues?

Projekti quhet “4Freedoms Park” sipas Bold News dhe parashikon një hotel të klasit botëror, apartamente luksoze dhe zyra komerciale, si dhe dyqane me pakicë dhe parkim të bollshëm.

Për më tepër, hapësira jashtëzakonisht të larmishme në natyrë, kopshte të bukura të gjelbëruara dhe zona inovative për sytë e njerëzve.

Në përshkrimin që i bëhet projektit thuhet se “ky zhvillim arkitektonik mahnitës me përdorime të përziera jo vetëm që do të bëhet një destinacion historik në Tiranë, por gjithashtu do të shërbejë me krenari si vitrinë e botës”.

Zhvillimi i zonës trajtohet si zgjerim i Parkut të Parlamentit nëpërmjet projektimit të një sheshi të gjelbëruar me kafene dhe ambiente të tjera argëtimi që hapen në një hapësirë ​​të madhe sociale.

Vazhdimi i qytetit të gjelbër brenda, përmes dhe mbi projektin, përmes ofrimit të tarracave të gjelbra në të gjitha katet e zhvillimit, duke u dhënë banorëve dhe mysafirëve kopshtet e tyre, kudo që të jenë.

Parku sapo të përfundojë do të rrisë sipërfaqet e gjelbra të zonës me mbi 30% në disa nivele, duke përfshirë sheshin mbi qendrën tregtare që funksionon si një sipërfaqe izoluese.

Pra me pak fjalë, e gjithë zona do të ndryshohet se në vend të godinës së sotme të PD, apo SHQUPI-it të dikurshëm, do të ketë një kompleks të ri me shumëkatëshe, të cilat duket se i ka për zemër jo vetëm Erion Veliaj si Kryebashkiak dhe Edi Rama si Kryeministër, por edhe Lulzim Basha.

Ky i fundit me qëndrimin e mbajtur së fundmi, duke u shfaqur si një mbrojtës i flaktë i godinës dhe vulës, ndërkohë që ka humbur mbështetjen e demokratëve, kjo të paktën sipas referendumit të 18 dhjetorit 2021, kur kundër tij votuan të paktën 10 mijë anëtarë të PD, më shumë se numri i votave në zgjedhjet e qershorit, kur Basha u zgjodh krytera. Në fakt duket se beteja e tij me demokratët nuk ka lidhje as me zyrat e selisë së PD, as me vulën, por me truallin. Ai me 8 janar pikërisht mbrojti truallin dhe nuk është çudi që nesër të lexoni një tabelë “tokë e zënë”.