Bardhyl Berberi: Viti i Ri, me dekore reklamash dhe me xhepat bosh!

573
Supermarkete që mbushen me produkte me ngjyra të kuqe dhe të arta. Aty gjen gjithçka edhe sy njeriu, por nuk gjen gjënë kryesore paranë që është “arratisur” vetëm në xhepa pushtetarësh dhe bosash. Një fëmijë 6 – vjeçar qan dhe i kërkon nënës së tij që t`i blejë një bredh artificial. Një grua e re me sy të pikëlluar i thotë nën zë: – Nuk kemi lekë bir, ja do të blej mami një pulë dhe nja dy bidona me birrë, ca fruta se gjyshja po na bën një ëmbëlsirë…Skena është tronditëse, fëmija vazhdon të qajë… Njerëz që hyjnë e dalin nëpër supermarket dhe shumica nuk blejnë, të duket sikur kanë hyrë të bëjnë homazhe…- Eh, thotë një mësues, si nuk na dhanë një shpërblim sa për të blerë një gjel deti …- Edhe ne nuk na dhanë asnjë këst nga pronat që na i kanë zënë të ardhurit nga zonat e thella… Premtime e llogje Kavaje, tre vjet këta në pushtet dhe asnjë këst, ngelëm tek 57 % që na dha qeveria Berisha…– Si nuk na dhanë, ia pret një pronar tjetër me ironi: Na dhanë dekriminalizimin dhe kjo nuk është pak… Futesh tek dyqanet e frutave dhe papritur çmimet kërcejnë si me shkop magjik, dyfishohen kur kudo në vende të ndryshme të Europës dhe tek fqinjët tanë ulen maksimalisht…Këto janë çudirat shqiptare që tek ne i has në çdo hap që mund të hedhësh. Megjithatë detyrimi gati i pamohueshëm i njeriut ndaj festës dhe të festuarit më duket një nga gjërat më të pikëlluara. Duket si periudha kur del më së shumti në pah jolumturia dhe drama njerëzore që bëhet një me vezullimën e bredhave të Vitit të Ri, dizajnet apo të dritave shumëngjyrëshe duket si “bukuri që të vret e Migjenit”. 
Vezullim i trishtueshëm i qiririt në qindra familje të varfëra
Dhe vezullim, i trishtueshëm i qiririt tek qindra e qindra familje të varfëra që nuk kanë para të paguajnë energjinë elektrike…Ata do ta presin Vitin E Ri nën yjet e qiellit (a ju kujtohet një këngë festivali kombëtar e kohës së diktaturës “Nën yje presin Vitin e Ri” ku sigmatizohej shoqëria kapitaliste dhe njerëzit poshtë urave, që nën yjet e qiellit prisnin Vitin e Ri. Si asociacion më erdhi biseda me përgjegjësin e aeroportit të Ohrit, i cili më tha se bosat dhe pushtetarë nga Shqipëria kishin bërë pronotime për të fluturua nga aeroporti më datën 23 dhjetor në Paris, Londër, Barcelonë, Venecia e deri në Republikën Domenikane …Vitin e Ri nën dritën e qirinjve, në pamje të parë, duket si diçka romatike edhe në vende ku ende ka probleme me furnizim të energjisë elektrike. Nuk ka përrallë Viti i Ri. Kjo sepse ka shumë më pak shpresë dhe dashuri se në përralla. As për Santa Claus nuk besohet. Nipi im Blandi, gati 7-vjecar më thotë: – Gjyshi, ky Santa Claus nuk është plak i Vitit të Ri, është një njeri që vishet si Santakruzi që ndan gjoja dhurata…Pa dyshim një respekt të veçantë në fundviti për nënat dhe gratë tona që sfiliten në kuzhinë, gatuajnë gjithë ditën, shtrojnë e zbukurojnë tavolina dhe burrat e shtëpisë që rrinë shtrirë në divane e kolltuqe me telekomandën e televizorit në dorë. Edhe atë ditë, për shumë familje shqiptare, nata e Vitit të Ri është nga netët e pakta që festohet në shtëpi. Festohet me bollëk – njëherë në vit. Është nga netët e pakta kur ngrihet një dolli nga të gjithë anëtarët e familjes. Për më shumë dashuri për njeri- tjetrin dhe më pak varfëri. Disa të diplomuar luten që Viti i Ri t’u sjelli një punë, dikush lutet që t`i dali llotaria amerikane apo të marrin një vizë dhe të largohet familjarisht pasi atdheu i tyre nuk i nxe, nuk i mban dot…Të lumtur e të palumtura, të varfër e të pasur, fëmijë e të rritur, ateistë e besimtarë, të gjithë sëbashku festën e fund vitit e shohin si një alternativë se ai do t’iu sjelll mbarësi… Pas asaj nate të hareshme vjen 1 janari 2016 dhe kur zgjohemi dhe na ka dalë pija, atëherë e vërejmë zvetënimin e dritave, të dekoreve dhe të reklamave. Brenda natës e gjithë ajo kthehet në mbeturinat e natës së hareshme, e cila pëfundon kontejner mbeturinash të mbushur plot…

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 06.01.2016
Sigal