Bardhyl Berberi: Mjeshtri i gajdes që jeton me 12 mijë lekë në muaj

1148
Në krahinën e thellë të Gorës, në fshatin Vërçun, jeton Hekuran Pere, mjeshtri i madh i gajdes. Ndonëse ka kaluar 67 vjet, trupi i tij i drejtë dhe fytyra shprehëse nuk të jep idenë, se ke të bësh me atë moshë. Hekuran Pere ka 50 vjet që i bie gajdes. Gajdja e tij ka shëtitur në shumë skena, që nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës, që ka marrë pjesë në më shumë se 10 edicione, në tetë festivale Ballkanike, tre festivale sofra Dibrane, më pas në shumë turne me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Kosovë, Rumani dhe disa shtete të tjera europiane, ku Hekurani ka qenë në përbërje të kësaj orkestre. Hekuran Pere është padyshim gajdexhiu më i mirë i vendit, madje ai në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, nga kritika është quajtur si “Mbreti i Gajdes”. Ai tregon për gazetën “Telegraf”, se ka qenë vetëm 15 vjeç, kur në fshatin e tyre vinte një cigan, prej të cilit me këmbëngulje ka mësuar zanatin e gajdexhiut. Më vonë, ai do t’i krijonte këngën e “Bjeri gajdes o gajdexhi”, këngë që do të merrte përmasa të mëdha dhe do të bëhej si një himn nëpër dasma dhe gëzime familjare, të cilën ia kushtonte pikërisht atij ciganit që i mësoj gajden kur ishte vetëm 15 vjeç. Hekurani ka marrë pjesë dhe vazhdon të marri pjesë në mbi 5000 dasma, nga Gora e Mokra, Korça, Devolli etj, dhe ende vazhdon që të shkojë, pasi të ardhurat ekonomike me 12 mijë lekë në muaj, nuk të dalin për kafe dhe për cigare. Por Hekuran Pere thotë, që të arrish një përsosmëri dhe të korrësh duartrokitje të gjatë, duhet jo vetëm të kesh talent, por duhet bërë dhe shumë punë këmbëngulëse, që të jesh gjithmonë në kërkim të motiveve dhe melodive të reja. Për Hekuran Peren ka shërbyer krahina e Gorës, një krahinë me tradita, ku ai ka vjelë atë më të mirën e folklorit duke e ngritur në art. Hekurani është gjithmonë në gjuetinë e melodive të vjetra burimore qind për qind shqiptare, pa asnjë ndikim nga meloditë e huaja. Atë e shqetësojnë ca muzikantë që po e deformojnë muzikën e bukur shqiptare me melodi të huaja. Kërkoj, thotë Hekurani, ato këngët që vijnë nga mugëtirat e largëta… Mua më mbushet zemra, thotë ai, kur dal me gajde në skenë dhe shoh kostumet shumë ngjyrëshe popullore, xhubletat, fustanellat, tirqet, sharkun, xhoken dhe shamitë shumëngjyrëshe, kur shoh opingën me xhufka që rreh skenën dhe ngre lart valltarët në vallet popullore. Me këtë gajde, thotë ai, kam mbajtur familjen dhe kam rritur tre djem. Më vjen mirë dhe jam i lumtur që njëri nga djemtë, Nardi që është emigrant në Greqi, po vazhdon rrugën time. Ai në Greqi është bërë i dëgjuar me gajden e tij dhe merr pjesë në shumë koncerte popullore, ku ftohet të marri pjesë në përbërje të orkestrave greke dhe kjo padyshim më mbush me krenari, që tradita do të vazhdojë nga njëri prej djemve. Ndërsa njëri nga djemtë e tjerë është në orkestrën time, ai i bie dajres dhe unë gajdes dhe mbajmë një dasmë të tërë me këngë e melodi vallesh nga më të njohurat e zonës. Por dasmat, thotë ai, janë si puna e gjahut, por që kur kanë hyrë këto veglat moderne, si organo etj, sikur ka kanë marrë ca klientë, por ata që duan dasmë vënçe, siç i themi në nga ana jonë, na thërrasin ne. Hekurani gjatë rrugës së gjatë me gajden, ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, saqë kam mbushur një raft plot kupa dhe trofe, por mua më pëlqen më shumë ai çmim që më jep populli… se sa ai çmim që të japin pushtetarët. Ti e shikon shpeshherë kë bëjnë “Qytetar Nderi”, njerëz me mik jo me merita… saqë, nëse të bëjnë nesër “Qytetar Nderi”, të vjen turp të barazohesh me persona anonimë, që ju a japin pushtetarët me mik. Hekurani jo vetëm është një mjeshtër i madh i gajdes në interpretim, që e ka çuar mjeshtërinë e interpretimit në tehun e briskut, thotë muzikanti Jovan Shuke, por Hekurani është krijues i qindra melodive me gajde dhe këngësh dasmash dhe festivalesh folklorike. Hekurani, nga përvoja dhe dashuria e pakufishme që ka për gajden, ka arritur që ta prodhojë tashmë vetë gajden. E zgjedh vetë lëkurën e argas dhe më pas përgatit gajden. Ai falënderon një mjeshtër, si Jashar Nazifin, një klarinetist i shkëlqyer, që fatkeqësisht nuk jeton më, pasi ka humbur jetën aksidentalisht, i cili e ka mësuar si të përgatisë pjesën e Pipëzës (pjesa e drunjtë me birra, ku interpretohet melodia). Në mbyllje të bisedës tonë, Hekurani thotë, se është aq i lidhur me gajden, saqë ju ka lënë amanet të afërmve, që kur të vdesë, gajden t’ia venë në arkivol, ta marri me vete.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 23.01.2016
Sigal