Bardhyl Berberi: E vërteta e shqiptarëve të Ohrit

1879
Vetëm 39 kilometra larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit, deri sa të shkosh në Ohër, pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze Desaret, Metropol, Granit, Sllavia, futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës, në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ndodhet vila e marshallit Tito, i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonin në brigjet e të njëjtit liqen, ballë përballë njëri-tjetrit, secili në pjesën e tij. Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë, që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKOS, së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës, duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë.

Ohri i dikurshëm
Dikur, Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca, ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptar propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga perandoria osmane. Mbi 80 % e banorëve të Ohrit kanë qenë shqiptarë. Por sot, pas njëqind vitesh, gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti, i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare, si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit numërohen rreth 3600 banorë shqiptarë, ose rreth 6% të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit. Nga vitin 1930 deri në vitin 1945, midis Pogradecit dhe Ohrit ka pasur një linjë komunikimi, nëpërmjet një vapori, i cili vinte çdo ditë nga Ohri në Pogradec, duke transportuar njerëz në të dyja anët e kufirit, si dhe mallra ushqimore dhe industriale . 
Qyteti i Ohrit sot
Sot qytetarët shqiptarë të Ohrit në masë të madhe ndjehen nën hijen e atyre të Strugës, sepse gjithçka i lidh me Strugën, duke filluar nga biznesi, shkollimi, apo edhe punësimi në disa raste, pasi në Strugë jetojnë mbi 65 % shqiptarë. Struga është shfrytëzuar si një oazë për ata shqiptarë, që nuk kanë ikur në emigrim, janë afruar në qytetin e Strugës vetëm 11 km larg qytetit të Ohrit. Kjo situatë ka ndikuar, që disa edhe të shpërngulen në drejtim të Strugës na thotë për gazetën “Telegraf” ish- kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ai thekson se, pothuajse shqiptarët po braktisin Ohrin, si rezultat i paperspektivës dhe mospasjes së vendeve të punës, respektivisht diskriminimit në këtë aspekt. Le të marrim një shembull konkret për të ilustruar mendimin e mësipërm: Në qytetin e Ohrit ka një shkollë fillore, ku mësohet në gjuhën shqipe “Vëllazërim Bashkimi”, ku numri i nxënësve shqiptarë është reduktuar në masë të madhe. Para disa viteve funksiononin katër klasa të para me nga tridhjetë nxënës, ndërsa sot zhvillojnë mësimin vetëm dy klasë me nga pesëmbëdhjetë nxënës, ky shembull nuk ka shumë nevojë për koment për shqiptarët e Ohrit. Nedim Pollozhani, veprimtar politik nga Ohri, thekson se pavarësisht ecurisë pozitive që është bërë në disa drejtime viteve të fundit, shqiptarëve të Ohrit iu mbetet të vazhdojnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes se tyre. “Padyshim se për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës së shqiptarëve këtu në Ohër, rol të rëndësishëm luajnë dhe subjektet politike shqiptare. Këtu, para së gjithash, është e nevojshme që subjektet politike të kenë më shumë mirëkuptim për kërkesat e qytetarëve të Ohrit, të cilat nuk janë të parealizueshme. 

Kjo, sipas Pollozhanit, do të arrihej duke bërë përfshirjen dhe avancimin e kuadrove nga qyteti jonë në pushtetin qendror, si mekanizëm i drejtpërdrejtë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të kësaj komune. I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Këshillin Komunar të Ohrit, na thotë se, nëse duam të përmendim për faktorët që kanë ndikuar për braktisjen e shqiptarëve nga Ohri, të shqiptarëve është emigrimi, dëbimin apo degdisjen e shqiptarëve nga këto troje si rezultat i një trysnie sistematike. Kështu në 100 vjetët e shkuara në Ohër jetonin rreth 80% shqiptarë, ndërsa tani, kur takon ndonjë bashkëkombës nga diku tjetër, të pyet: “paska shqiptarë në Ohër?'”, thekson: “Shqiptarët këtu kam përshtypjen se janë si ai zogu i vogël, që sapo ka dalë nga veza e që pret zogun mëmë t’i sjellë për të ngrënë”. Na ka mbetur të shpresojmë se mrekullitë vërtetë ekzistojnë”. Ndërkohë, që kryetari i Komunës së Ohrit, Nikola Bakraceski thotë se, gradualisht gjendja e shqiptarëve po ndryshon pozitivisht në aspektin e investimeve dhe përfaqësimin e tyre në organet e pushtetit vendor. Ai thekson se problematike është çështja e punësimit, sidomos nëpër institucionet e nivelit qendror. “Është e pakuptueshme që në Ohër të punësohen kuadro nga Struga, Dibra, apo vende të tjera dhe qytetarët shqiptarë të Ohrit të mbesin pa punë. Kjo praktikë duhet të ndalet në të mirë të avancimit të banorëve shqiptar të këtushëm. Ndërsa, sa i përket punësimit në organet e pushtetit lokal, mund të them se janë bërë përpjekje dhe gradualisht numri i shqiptarëve është në rritje progresive, falë edhe kujdesit që po tregon në këtë drejtim dhe Këshilli i Komunës së Ohrit”, thekson, kryetari i Komunës së Ohrit, kardiologu i famshëm Nikola Bakraceski.
Marrëdhëniet e Ohrit me Pogradecin
Ndonëse kanë qenë kaq afër njëri-tjetrit për 50 vjet, këto dy qytete fqinje kanë qenë krejtësisht të izoluara nga diktatura dhe shihnin në mbrëmje vetëm dritat e ndezura buzë liqenit. Me ardhjen e demokracisë, u shemb muri ndarës. Etapat evoluuan me shpejtësi nga një vizë, që mund ta merrje në Tiranë për të kaluar në Maqedoni, më pas vizat merreshin në kufi, më pas u vendos një pasaportë kufitare që futeshe në Maqedoni pa lekë dhe më pas nga dita e djeshme, kalimi i kufirit ne Maqedoni ka filluar për të gjithë shqiptarët me karta identiteti. Prej më shumë se 10 vjetësh është vendosur festa e Liqenit, që festohet çdo 21 qershor me rotacion një vit në Pogradec, një vit në Ohër dhe vitin tjetër në Strugë. Së bashku të dy shtetet festojnë, festën fetare të Shën Naumit në çdo 3 korrik . Prej më shumë se 5 vjetësh është miratuar që të vendoset një traget midis Ohrit –Pogradecit dhe Strugës, por kjo ka ngelur një ëndërr vere, edhe pse është bërë një ceremoni zyrtare, pak më shumë se një vit më pare. Trageti nuk duket, ai qarkullon vetëm nëpër shkresat e zyrtareve të dy vendeve ….
Sigal