Bardhyl Agasi: 58 vjet, që nga fëminia deri në bisedën e fundit me Moikom Zeqon. U bëre rilindasi i kohës sonë

444
Sigal

Bardhyl Agasi

Ende nuk më besohet që fryma jote është ndalur. Dhe në mëngjesin e sotëm doja të të merrja në telefon, por…ti Moikomi im, shoku im më i afërt, prej gati 58- vitesh, për herë të parë nuk do të më përgjigjeshe. U lidhëm bashkë që në fëmijëri, në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit në Durrës dhe që atëherë kemi qenë bashkë gjithmonë, bashkë në bregun e detit në Currila, bashkë deri në bisedën e fundit katër ditë para ndarjes tënde, kur në telefon më the se kishe mbaruar plotësisht seancën e fundit të injeksionit, se kishe pak temperaturë, por që ishe mirë. Në çdo takim, në çdo bisedë, në çdo takim, kur më tregoje se po punoje pa pushim për të përfunduar një libër të ri, gjithmonë të këshilloja të mos lodheshe aq shumë, se shëndeti ish mbi gjithçka. Por e dija se ti e ndjeje se fundi po vinte, dhe një herë më the se doje të leje pas sa më shumë nga vepra jote. Po kush tjetër ka shkruar kaq shumë, mbi njëqind libra, mbi mijëra artikuj, intervista të panumërta, qindra -mijëra vargje, në sa e sa konferenca e forume u dëgjua zëri yt, u lartësua mendimi yt. Isha bashkë me ty në një konvikt studentor, pastaj në një kolektiv të qendrës kulturore në Durrës, katër vite në një tryezë në Parlament. Rrija me ty dhe ndjeja si lartësoheshe çdo ditë, ndjeja se nuk ishe thjesht shok për mua, por dhe një mësues mendjendritur. Ishe ti Moikomi im, që i dhe drejtim tjetër jetës sime, që më nxite të jem në politikë, që më nxite të  shkruaj dhe të botoj disa libra që kanë dhe parathëniet e tua. Ishe ti që nga tribuna e Kongresit bashkë me Dritëroin e madh, shpaloset platformën e një partie të re, me të ardhme për fatet e demokracisë. Gjatë pushimit, para se të merrje fjalën, ti më lexove diskutimin që kishe përgatitur. Më ra si bombë. Të thashë se duhej t’a zbusje, se nuk do të pritej mirë, por zëri yt kumboi në atë sallë. Ai zë do të kumbonte dhe në foltoren e Parlamentit, në diskutimet plot mençuri dhe kurajo qytetare. Grupi i deputetëve të Durrësit, socialistë dhe demokratë ishim bërë shembull për mirëkuptimin mes tyre, ishte fryma jote. Ti lartësoheshe çdo ditë me veprën tënde, fitoje respektin e të gjithëve. Mendimi yt, fjala jote rrezatonin dritë, besim, dashuri. Ti u bëre Rilindas i madh  i kohës sonë, ti u bëre Naim Frashër i diturisë, u bëre Migjen i realitetit tonë,  u bëre Moikomi i madh atdhetar. Dhe mbete gjithmonë po ai Moikom i thjeshtë, i dashur, shok dhe mik i të gjithëve, familjar shembullor.

Në një poezi të kushtuar ty , në një libër timin në fund të pyesja

“…Të paktën tregomë mua,

Mos je alien Moikom…”

Por ti ishe më tokësori, më i vërteti, më i thjeshti, më largpamësi, vizionar gati profetik, por që ngjiteshe e ngjiteshe lartësive qiellore. Dhe në mëngjesin e këtij qershori aq të trishtë, ti u ngjite përfundimisht në qiellin e pafundësisë të veprës tënde… Jam krenar që isha shok i yti, lindur në të njëjtin vit, në të njëjtin qytet, në Durrësin tonë bregdetar, që aq shumë e doje, që aq të dhimbsej, që e bëre tëndin në të gjithë veprën tënde.

Lamtumirë Moikomi im…!