Sigal

Qindra e mijëra studentë vazhdojnë edhe sot lëvizjen dhe protestën e tyre. Ata kanë deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe se nuk ka asnjë lidhje me politikën. “Protesta do vazhdojë, s’do ketë tërheqje. Do vazhdojmë deri në grevë urie”, tha një student në protestë.

Të pyetur pse nuk ulen në bisedime pas thirrjes së kryeministrit ata thanë se së pari duhet të plotësohen kërkesat. “Nuk ka asnjë arsye të bisedojmë me Kryeministrin për sa kohë nuk plotësohen kërkesat bazë”, u shpreh një tjetër.

Studentët janë ndalur në rrugë duke kënduar himnin kombëtar për disa çaste dhe më pas janë mbledhur para MASR.

Ndërkohë banorët e Unazës së Re kanë ardhur në Rrugën e Durrësit për t’iu bashkuar studentëve. Por kjo gjë ka rënë ndesh me disa prej studentëve të protestës. Studentët janë të ndarë në qëndrime. Banorët kanë thënë se do mbështesin studentët dhe kanë ardhur për kauzat e studentëve.

Studentë të tjerë kanë thënë se ata kanë protestuar bashkë me një palë politike dhe se nuk duan të përdoren. Ndaj ata kërkojnë të mos jenë me ta si protestues të Unazës por për fëmijët e tyre.