Banorët e ‘5 majit’ vijojnë protestën: Është e paligjshme, marrëveshjet janë pa vula

182
Sigal

Edhe ditën e sotme banorët e lagjies ‘5 maji’ në Tiranë kanë vazhduar të protestojnë. Ata kanë frikë se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) do të vijë befasishëm e t’u shembë shtëpitë.

Protesta është zhvendosur sot në njësinë numër 4 pasi projekti prek dhe shtëpitë e këtyre banorëve.

Njëri prej banorëve thotë se u kanë sjellë marrëveshje pa vula dhe duke qenë se letër për prishjen e objektit nuk u ka ardhur atëherë e gjitha kjo është e paligjshme. Ai thotë se shtëpinë e ka në proces legalizimi dhe se po bëhen hapur shkelje.

“Na kanë sjellë marrëveshje pa vula, ne u shkatërruam duke pritur. Më kanë sjellë një dokument shpronësimi dhe nuk e kuptoj, nuk vinë për të na pyetur se për çfarë kemi nevojë.

E kam një kasolle aty dhe le ta shohë kamera. Letër për prishjen nuk më ka ardhur por shpronësimi është krejtësisht i paligjshëm Kërkesat tona janë që të vijnë këtu, sepse shtëpinë time ma kanë sjellë me shumë pak metra katrorë ndërkohë që është në proces legalizimi dhe po bëhen shkelje në mënyrë të hapur”-tha një nga banorët për Fax News.

Një tjetër banore thotë se shtëpinë e ka prej 30 vitesh dhe ka shpenzuar 400 milionë për ta ndërtuar.

Ajo tregon se e kanë ndërtuar vetë dhe se nuk e dinë sa do rrinë me qera pasi marrëveshja ka ardhur e paqartë dhe pa vula.