Avokati i Popullit organizoi Auditoriumin: “E drejta e punësimit të personave me aftësi të kufizuar”

660
Sigal

Avokati i Popullit organizoi sot
Auditoriumin me temë: “E drejta e punësimit të personave me aftësi të
kufizuar”. Në këtë aktivitet u prezantua edhe një draft-Raport për
problematikat e punësimit të PAK. 

Aty konstatohet se “Personat me aftësi të kufizuara duhen
konsideruar dhe trajtuar si subjekte me të drejta për t’u realizuar. Përgjigja
që shoqëria dhe shteti shqiptar duhet t’u japë problemeve të tyre është
përfshirja dhe jo asistenca apo shërbimet specifike dhe të izoluara. Të
garantosh shërbimet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, do të
thotë të jesh në rrugën e duhur për uljen e varfërisë dhe mospërjashtimin
social.

Reforma Administrative Territoriale duhet të sjellë dhe një
angazhim aktiv të të gjithë aktorëve lokalë përgjegjës për problematikat
sociale dhe pjesëmarrjen aktive të grupeve të interesit në programimin dhe
planifikimin e tyre në përputhje me nevojat e veçanta të të gjithë kategorive
të aftësisë së kufizuar.

Arsimi profesional tashmë në varësi të MMSR, e që ka
filluar të promovohet, duhet të mirëkoordinohet me Zyrat e Punës për programe
të veçanta për formimin profesional të PAK.

Përgatitja e planeve dhe mjeteve të zhvillimit dhe
kontrollit mbi territorin, struktura më të përgjegjshme kontrolli, plane
afatshkurtra dhe afatmesme për përshtatjen e objekteve e sidomos ato ku marrin
shërbime publike  kjo kategori e popullsisë, përbëjnë disa nga aspektet
problematike të identifikuara.

Problematika që deri më tani e pengojnë dhe aksesin në
punësim të PAK janë edhe mungesa e përfshirjes në sistemin arsimor të të gjithë
niveleve, mospërfshirja e tyre në hartim politikash, sidomos në planin vendor”.

Diskutimet e tjera në këtë auditorium u përqendruan në tema
që lidhen me: Promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe lirive
themelore të PAK; Shmangien e barrierave dhe aksesueshmërine për PAK; 
Problematikat, vështirësitë dhe pengesat për realizimin e të drejtës për
punësimin e PAK në Shqipëri ; Promovimin e shembujve më të mirë të punësimit të
PAK ; Punësimi-kyç për gjithpërshirjen sociale dhe pavarësinë ekonomike për
PAK, etj.

Në këtë auditorium morën pjesë si panelistë z. Alfred Topi,
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Punës ILO, z. Dritan Ylli, Drejtor i
Përgjithshëm i Inspektoratit të Punës, z. Artur Mickaj, Drejtor i Përgjithshëm
i Shërbimit Kombëtar të Punësimit , z. Abdulla Omuri, President i Shoqatës së
Invalidëve të Punës të Shqipërisë, z. Sinan Tafaj, President i Shoqatës së të
Verbërve të Shqipërisë, z. Ndrekë Ismaili, Kryetar i Këshillit Kombëtar të
Organizatave të Sh.C. të PAK etj. 

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në fjalën e tij tha
se:

“Duke i vlerësuar të drejtat e personave me aftësi të
kufizuara, si një prej çështjeve më të rëndësishme të një shteti social, si dhe
element të rëndësishëm të së drejtës që ka çdo individ për të jetuar
shëndetshëm, dhe për të fituar jetesën me punën e vet, hartuam këtë Raport për
problemin e mprehtë të punësimit, me synimin e ndërgjegjësimit të
institucioneve përgjegjëse të cilat kanë përgjegjësi direkte në garantimin e
mirëqënien e personave me aftësi të kufizuara si qytetarë me të drejta të plota
të Republikës së Shqipërisë. 

Personat me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e tyre,
përbëjnë një nga misionet më të rëndësishme të Institucionit të Avokatit të
Popullit.

Për shkak të vështirësive ekonomike, por kryesisht për
shkak të ndryshimit të qëndrimeve, është e nevojshme që gjithkush që është
përfshirë, jo vetëm të kuptojë që personat me aftësi të kufizuara duhet të
bëjnë zgjedhjet e tyre individuale, por edhe të ofrohen trajnimet dhe aftësitë
e nevojshme për të mësuar se si të ndërtojmë modele mbështetëse dhe t’i
integrojmë ata në jetën e përditshme.

Shoqëria dhe shteti shqiptar duhet të reflektojë për më
shumë ndihmë dhe investim në mbrojtje të të drejtave njerëzore të kësaj shtrese
të popullsisë. Realiteti shqiptar paraqet një shoqëri ku problemet sociale janë
të mprehta, ku mirëqenia dhe mjedisi ku jetojmë janë çështje të prekura
përditë, por që çdo ditë nxjerrin nevojën e ndërhyrjes shumëplanëshe
shtet-shoqëri. Dhënia prioritet shtresave në nevojë, duhet të jetë e ngulitur
në planveprimin e gjithsecilit, duke i mbrojtur ata nga neglizhenca, mosveprimi
apo shkelja e të drejtave. 

Një sfidë të vërtetë përbën edhe trajtimi dhe punësimi i
tyre. Problemet që po kalon sot shoqëria shqiptare kanë viktimizuar së pari
këtë pjesë të pambrojtur të popullatës. Të mos harrojmë për asnjë çast që të
drejtat e Njeriut karakterizohen nga universaliteti dhe patjetërsueshmëria,
pandashmëria, ndërvartësia dhe barazia e mosdiskriminimi. 

Diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë kundrejt
personave me aftësi të kufizuara ekziston në mjaft aspekte të jetës sociale dhe
private dhe është më i theksuar në punësim, arsim, aksesin në ndërtesa dhe
shërbime si dhe në jetën e pavarur. 

Por politikat për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet
të kuptohen si politika për pakicat, por si politika të cilat ashtu si dhe për
grupime të tjera shoqërore synojnë, gjithëpërfshirjen, pavarësinë, integrimin
dhe vetëvendosjen e tyre. Shqipëria synon të bëhet pjesë e familjes së madhe
Evropiane, të cilës duhet t’i bashkohet duke u përputhur me të jo vetëm
institucionalisht por dhe me praktikën dhe legjislacionin e saj. Ne duhet të
përpiqemi në vazhdimësi që të drejtat e liritë themelore të personave me aftësi
të kufizuara, të jenë të garantuara me qëllim që të realizohet përfshirja e
tyre sociale si dhe integrimi e tyre në shoqëri.

Shoqëria shqiptare dhe ne të gjithë së bashku, duhet të
punojmë për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit në mënyrë që vetë personat me
aftësi të kufizuara të kuptojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të
përfshihen në shoqëri”.   

Ky auditorium mundësohet falë ndihmës së Qeverisë së
Mbretërisë së Danimarkës për Avokatin e Popullit.