Si po shantazhohen qytetarët me rritjen e çmimit, kur humbja e energjisë në rrjet u rrit me 25%, OSHE me 3 drejtorë, asnjë përgjegjësi

129
Sigal

 

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama lëshoi një deklaratë të pavërtetë nga foltorja e Parlamentit. “Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe biznesin e vogël dhe pjesën dërrmuese të biznesit, të jetë dora e qeverisë,”- deklaroi shefi i qeverisë.

Por a po e subvencionon qeveria me të vërtetë çmimin e energjisë ashtu sikurse pretendon kryeministri? Shifrat thonë të kundërtën. Qeveria po fiton para nga monopoli i saj mbi energjinë, duke iu ngarkuar qytetarëve dhe biznesit çmime disa fish më të larta se kostoja.

Në tre muajt e parë të vitit Shqipëria prodhoi rreth 2788 Giga Wat energji në total. Nga këto, 1620 Giga u prodhuan nga hidrocentralet shtetërore. Për të njëjtën periudhë konsumi total i energjisë nga bizneset, familjet dhe çdo kategori tjetër konsumatorësh ishte 1595 Giga. Pra vetëm hidrocentralet e shtetit që administron KESH, pa përfshirë hidrocentralet private, kanë prodhuar më shumë energji se sa ka konsumuar Shqipëria. Tani këtu vlejnë dy llogari.

Kostoja mesatare e prodhimit të një kilovat orë energji nga KESH është 1.5 lekë. Çmimi me të cilin qeveria ia shet një kilovat orë energji qytetarëve është 9.5 lekë pa TVSH ose 6.4 herë më shumë se kostoja e prodhimit. Çmimi me të cilin qeveria ia shet biznesit energjinë elektrike luhatet nga 8 deri në 16 lekë pa TVSH, në varësi të llojit të biznesit. Çmimi me të cilin qeveria ia shet energjinë bizneseve, që kanë dalë në treg të lirë, aktualisht është 17 lekë pa TVSH ose 11.3 herë më shumë se kostoja e prodhimit.

Sigurisht që prodhimi nuk është i vetmi zë në koston e energjisë elektrike. Mbi të shtohen edhe shpërndarja dhe transmetimi. Por cila është struktura e kostos fundore sipas zërave?

Mesatarisht, në rang botëror prodhimi zë 51 për qind të kostove. Transmetimi shton 11 për qind, shpërdarja 20 për qind dhe pjesa tjetër janë taksat. Me fjalë të thjeshta, kostoja totale e prodhimit të energjisë në Shqipëri duhet të ishte më pak se tre herë për kilovat orë. Qeveria ja shet qytetarëve mbi 3 herë më shtrenjtë, ndërsa biznesit edhe më shumë.

Këtu nuk ka asnjë subvencion, aq më pak dorë qeverie në çmimin e energjisë? Përkundrazi, përmes fuqisë së monopolit, qeveria po ua shet qytetarëve energjinë disa herë më shumë se kostoja reale. Dhe ky është parimi mbi të cilin është ndërtuar tregu energjetik në Shqipëri. Në kohëra të mira për prodhimin, qeveria fiton para. Kur prodhimi vendas ulet, ajo do të duhet të shpenzojë disa nga paratë që ka fituar për të subvencionuar çmimin e energjisë.

Por të flasësh në situatën aktuale për rritje të çmimit të energjisë apo vendosje të fashës është një shantazh i mirëfilltë publik. Nëse qeveria kërkon progresivitet në çmimin e energjisë, këtë mund ta bëjë duke ulur çmimin për ata që kanë konsum më të ulët të energjisë dhe duke e rritur në një masë të arsyeshme për të pasurit që konsumojnë më shumë.

Por qëllimi i Edi Ramës nuk është ky. Nuk është as të rrisë çmimin e energjisë. Qëllimi i vërtetë i kryeministrit është të frikësojë qytetarët dhe më pas t’u shfaqet atyre si shpëtimtari, që nuk rriti çmimin e energjisë, pavarësisht Kiametit botëror. Me pak fjalë, shantazh publik.

Humbja e energjisë në rrjet u rrit me 25%, OSHE me tre drejtorë, asnjë përgjegjësi

Humbjet në rrjetin e energjisë elektrike të vendit u rritën në 25.1% në tremujorin e parë të këtij viti, nga 27.7% që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022, bëhet e ditur nga raporti statistikor periodik i Institutit të Statistikave. Humbjet totale u rritën si pasojë e përkeqësimit të situatës në sistemin e transmetimit, ndërsa humbjet në sistemin e shpërndarjes pësuan një rënie të lehtë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria konsumoi pak më shumë se 2.1 milionë MW/h energji elektrike për periudhën janar-mars, nga të cilat, 533 mijë u humbën për shkaqe teknike ose për shkak të vjedhjeve. Humbjet teknike normale janë në nivelin 6% në sistemet energjetike të menaxhuara siç duhet. Humbjet anomalisht të larta si në rastin e Shqipërisë, vijnë si pasojë e mosmirëmbajtjes së duhur të pajisjeve të rrjetit. Aktualisht, humbjet totale teknike raportohen nga kompanitë e sistemit në masën 17.6%. Vjedhjet, të cilat pranohen si normale në nivelin e jo më shumë se sa 2%, janë aktualisht 7.5%.