Avokat Myftar Rusta/ Liria e varur nga gjykatësi: padrejtësia e një fjale në Kodin Penal

Në Shqipëri, një fjalë e vetme në ligj mund të vendosë mbi fatin e një qytetari: “mund”. Në Kodin Penal, përdorimi i kësaj fjale në nenet që rregullojnë dënimet alternative dhe lirimin me kusht e ka kthyer një të drejtë ligjore në një privilegj të varur nga qejfi i gjykatësit. Kjo nuk është abstraksion juridik; është një realitet ku liria e qytetarit mund të mohohet, edhe kur ai plotëson të gjitha kriteret ligjore. Ky boshllëk gjuhësor ka sjellë arbitraritet, korrupsion dhe mungesë besimi në drejtësi – një dramë që prek çdo shqiptar.

Dënimi alternativ dhe pezullimi i burgimit (Neni 59)

NOA

Neni 59 i Kodit Penal parashikon se, kur plotësohen disa kushte – si rrezikshmëria e pakët e personit, mosha, gjendja shëndetësore, nevojat familjare apo sjellja pas kryerjes së veprës penale – gjykata mund të urdhërojë pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në provë të të dënuarit.

Pra, edhe nëse kriteret janë plotësuar, gjithçka mbetet në dorën e gjykatësit. Ky diskrecion, i pa kufizuar dhe i pa detyruar nga ligji, është shndërruar në një filtër arbitrariteti: një i pandehur përfiton, një tjetër jo, pavarësisht kushteve identike.

Lirimi me kusht (Neni 64).

Edhe neni 64 përcakton se i dënuari mund të lirohet me kusht, pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit dhe ka treguar sjellje të mirë. Ligji përcakton kriteret objektive:

  • për kundërvajtje: jo më pak se gjysma e dënimit;
  • për krime deri në 5 vjet: jo më pak se dy të tretat;
  • për krime nga 5 deri në 25 vjet: jo më pak se tre të katërtat.

Por edhe këtu, përdorimi i fjalës “mund” lë gjithçka në dorën e gjykatësit. Rezultati: lirimi me kusht nuk është e drejtë, por privilegj, dhe qytetari nuk ka garantuar të drejtën e tij.

Periudha e sigurisë (Neni 65/a)

Neni 65/a përcakton periudhën gjatë së cilës nuk mund të aplikohet lirimi me kusht, veçanërisht për veprat e rënda, ato me egërsi ose kundër fëmijëve. Në dukje është mekanizëm mbrojtës, por në praktikë shndërrohet në një bllokadë shtesë, duke zbehur funksionin rehabilitues të dënimit.

Politikat penale dhe dënimet alternative

Politika penale në Shqipëri ka synuar të promovojë masat alternative ndaj burgimit, duke ulur mbipopullimin e paraburgimeve dhe duke favorizuar rehabilitimin dhe riintegrimin social. Nenet 59 dhe 64 janë krijuar për t’i ndihmuar gjykatësit të zbatojë këto masa kur plotësohen kriteret objektive.

Por në praktikë, gjykatësit shpesh refuzojnë aplikimin e këtyre masave dhe preferojnë vetëm arrestin me burg, duke e kthyer sistemin në një mekanizëm të ngurtë dhe të pandryshueshëm. Nenet që duhej të shërbenin si udhërrëfyese për dënimet alternative janë shndërruar në një llogari të hapur për gjykatësin, ku qytetari mbetet nën mëshirën e interpretimit subjektiv.

Nga “mund” në “duhet” – domosdoshmëria e reformës

Dënimi nuk është hakmarrje, por mjet edukimi dhe riintegrimi. Nëse ligji përdoret “duhet” në vend të “mund”, atëherë:

  • dënimet alternative do të aplikoheshin në mënyrë të barabartë;
  • lirimi me kusht do të ishte e drejtë e garantuar nga ligji;
  • hapësirat për korrupsion do të ngushtoheshin ndjeshëm.

Sot, qytetarët nuk kanë nevojë për favore, por për siguri juridike. Një ndryshim i vetëm në ligj – nga “mund” në “duhet” – mund të vendosë drejtësinë mbi qejfin, të shpëtojë qytetarët nga padrejtësia dhe të rikthejë besimin në sistem.

Një folje e vetme, por me pasoja të mëdha – është koha që ligji të flasë qartë