Av. Lisenko Moçka: “Sipërmarrësit dhe Shoqëritë” tregtare

315
Sigal

“Sipërmarrësit dhe Shoqëritë” tregtare, i autorëve italianë Francesco Ferrara. dhe Francesco Corsi është përkthimi/punimi i fundit i Avokatit Lisenko Moçka, i njohur tashmë për publikun edhe për disa përkthime të tjera të mëparshme, të rëndësishme, si dhe autor i artikujve të ndryshëm në fushën e së drejtës civile dhe atë tregtare.

Nëpërmjet kësaj paraqitje dëshiroj të falenderoj përzemërsisht dhe me përunjësi personat që më ndihmuan në realizimin e këtij punimi, kolegët e mi avokatë, posaçërisht bashkëpunëtorët kontabël dhe auditues, komunitetin italian, me të cilin jam në kontakt të përhershëm, të cilët dhanë kontributin e tyre të paçmuar në zbërthimin dhe kuptimin më të mirë të këtij punimi.

Falënderime të veçanta dëshiroj t’u shpreh Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, për kompetencën e spikatur profesionale në trajtimin e shumë koncepteve dhe termave, zotit Aurel Kaçulini të Entit “Botimet Jozef” për botimin e këtij volumi, Botuesit “Giuffre Editore” për mbështetjen pa rezerva për lejimin e botimit të këtij libri në Shqipëri, sipërmarrësit me shumë përvojë, Gaetano Giovanni Castello, për mbështetjen e pakursyer intelektuale dhe morale për përfundimin me sukses të këtij punimi.

Një falenderim të veçantë dua t’ia kushtoj zotit Ëngjëll Musaj, i cili, me dashamirësinë e lartë që e karakterizon, ka kontribut të veçantë në publikimin dhe marketingun pa interes, jo vetëm të këtij punimi, por edhe për të gjitha botimet e realizuara nga ana jonë, të sjella nga gjuha italiane në gjuhën shqipe.

Ky punim erdhi si një domosdoshmëri për të plotësuar në mënyrë modeste nevojat që ka krijuar mungesa relative e një literature të posaçme, siç është ajo për sipërmarrjen dhe shoqëritë tregtare, edhe për faktin, se ajo ende vazhdon të mbetet defiçitare në ambjentet e universiteteve, të studjove të avokatëve, të specialistëve të profesioneve të lira, të audituesve dhe të kontabilistëve, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të punonjësve të administratës publike, etj.

“Ky botim voluminoz (rreth 1.100 faqe), që dallon për një përpjekje serioze shqipërimi të një vepre të spikatur italiane (për shkak të lëndës që trajton: atë tregtare dhe civile, të gjuhës teknike të të shprehurit jo vetëm të ligjit në përgjithësi, por edhe të mënyrës individuale të interpretimit prej autorëve), e parë në optikën e qëndrimeve dhe ndryshimeve të vrullshme të dialektikës së doktrinës dhe të jurisprudencës italiane, të ndërthurura dhe tejmbushura me terma, koncepte, komente dhe interpretime shpesh herë të gjata, edhe të degëve të tjera të shkencës, si ato të financës dhe kontabilitetit (lëndë të lidhura me të drejtën civile dhe tregtare), paraqitet i rëndësishëm jo vetëm në punën e përditshme të profesionistëve të lirë, avokatëve, noterëve, ekspertëve fiskalistë dhe kontabël, por dhe trupave akademike të lektorëve, pedagogëve, studentëve dhe studjuesve të së drejtës, si dhe gjyqtarëve, sipërmarrësve shqiptarë që zhvillojnë veprimtari tregtare ose që janë të lidhur me vendin fqinj, Italinë “ (referuar Parathënies së volumit të përkthyer, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo).

Volumi që prezantohet mbetet një dritare më tepër, për t’u njohur më konkretisht mbi kuptimin e sipërmarrësit dhe sipërmarrjen dhe shoqëritë tregtare, për rolin dhe funksionimin e tyre në ekonominë e tregut, se si kjo e fundit funksionon mbi bazën e parimeve dhe të konkurencës së lirë kontraktore dhe jo të arbitraritetit dhe anarshisë.

Volumi është një enciklopedi konceptesh juridike, tregtare, ekonomike, financiare, tatimore, të kontabilitetit, të mekanizmave financiare, etj., të cilat, për nga mënyra si janë parashtruar, zhvilluar, për argumentet dhe logjikën që janë përdorur për formulimin, trajtimin dhe interpretimin e tyre, mendojmë, se përbëjnë një domosdoshmëri profesionale për cilindo subjekt të fushës ku lëvrohet.

Volumi është një burim i rëndësishëm informacioni për formimin paraprak profesional të brezit të ri të studentëve të drejtësisë dhe të ekonomisë, është një ndihmesë dhe një literaturë bazë dhe plotë-suese për juristët dhe ekonomistët (pavarësisht profilit të tyre) për të kompensuar mungesën e kulturës respektive të fushës (shpesh, për shëmbull, kontrata duhet trajtuar në tërësinë e saj dhe jo vetëm nga ana juridike, dhe jo vetëm nga ana fiskale), pasi shpesh ndeshemi me dukurinë se formimi profesional nuk ua lejon këtë trajtim gjithëpërfshirës, për shëmbull, një avokati apo edhe një fiskalisti, të cilët, më shumë se kurrë në këto raste kanë nevojë për kontributin e njëri tjetrit.

Libri është një thirrje se si duhet të zhvillohet një punë shkencore e thelluar, larg nga plagjatura dhe copypast, që shpesh e ndeshim këto vite në punën tonë të përditshme, jo vetëm të akademikëve, por edhe të politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, në përpjekjet e tyre për marrjen dhe mbrojtjen e gradave shkencore.

Libri shpjegon gjërësisht, teorikisht dhe praktikisht, shtrirjen dhe zbatimin e parimeve të së drejtës civile (private) në të drejtën tregtare dhe anasjelltas, ndërhyrjen reciprok te njëra tjetra, por edhe dallimet që ekzistojnë ndër to: për shëmbull, si zbatohet fajësia në të drejtën civile dhe në atë tregtare, pse ortaku përjashtohet nga shoqëria edhe pa faj, gjë që nuk mund të ndodhë në të drejtën civile, pasi nuk mund të ketë përgjegjësi pa faj.

Volumi përbëhet nga dy libra, i pari trajton sipërmarrësit dhe sipërmarrjen dhe i dyti shoqëritë tregtare, mekanizmat financiare dhe shoqëritë kooperative.

Libri i parë realizon një vështrim historik të së drejtës tregtare qysh nga Perandoria Romake dhe fazat nëpër të cilat ajo kaloi, deri në vitin 1865, kur merr formën e saj më të plotë në Kodin Tregtar, i cili nga fillimi i viteve të shekullit XX, iu nënshtrua kritikave të doktrinës, të cilat e konsideronin atë me kalimin e viteve më tepër arkaik dhe jo racional, me atë më të spikaturën, se “tregtia merr rëndësi, kur mbështetet mbi sipërmarrjen” (Lorenzo MOSSA), duke u reformuar përfundimisht, me reformën e vitit 1942 dhe trupëzuar së bashku me të drejtën civile në të njëjtin Kod Civil të vitit 1942. Në procesin e gjykimit u zhduk çdo dallim ndërmjet padive civile dhe padive tregtare.

Shtjellohet kështu gjërësisht kuptimi i sipërmarrësit, “… ai që ushtron profesionalisht një veprimtari ekonomike, të organizuar, me qëllimin e prodhimit ose të shkëmbimit të sendeve ose të shërbimeve” (2082), duke e kuptuar shoqërinë si sipërmarrje dhe veprimtarinë ekonomike si shkëmbim të sendeve ose të shërbimeve, duke qenë e domosdoshme që ajo, veprimtaria, të zhvillohet për tregtim dhe për të plotësuar nevojat e të tjerëve.

Shpjegohen, cilët janë sipërmarrësit tregtarë (duke i dalluar në normalë dhe të vegjël), subjektet e sipërmarrjes familjare (në lidhje edhe me të drejtën familjare), si dhe sipërmarrësit bujqësorë. Në disiplinën e sipërmarrjes përfshihen dhe analizohen sintetikisht edhe kontratat tregtare të agjensisë, porosisë, ndërmjetësimit. Duke qenë se këto të fundit të marra thuajse të njëjta dhe të parashikuara në Kodin Civil Shqiptar, paraqesin rëndësi të madhe, si nga pikëpamja e interpretimit të tyre, por edhe në zbatimin praktik, ndërsa do të thoshim pa frikë se për përmbaruesit gjyqësorë trajtimi që i bëhet kuptimit të sipërmarrjes familjare është një manual që tregon se si duhet vepruar hap pas hapi për ekzekutimin e detyrimeve të krijuara nga kjo sipërmarrje, e shtrirë edhe për sipërmarrjen në tërësinë e saj.

The big Tax Day, the 15th, is circled on a white calendar with a red marker

Libri i dytë u kushtohet shoqërive tregtare, por në këtë botim të ri, nën optikën e reformave që iu dedikuan shoqërive të vitit 2003 e në vijim. Ky “modifikim” e gjeti sigurisht Italinë më të përgatitur, se vendet e tjera të Evropës perëndimore gjatë krizës financiare dhe ekonomike të fillimviteve 2007-2008, e cila goditi kryesisht sipërmarrjen, pasi ndërsa flitet për sipërmarrjen në përgjithësi (me një ose më shumë persona: si sipërmarrje individuale ose kolektive), referimi i bëhet drejtëpërdrejt shoqërisë tregtare, e cila, siç theksohet në parathënien e botimit, po i largohet përherë e më shumë konceptit të kontratës, sipas të cilit, “dy a më shumë persona që bashkojnë shërbimet dhe sendet, për ushtrimin së bashku të një veprimtarie ekonomike, me qëllimin e ndarjes së fitimeve”. Sot, në doktrinën dhe jurisprudencën e shoqërive tregtare dhe në zbatimin praktik të legjislacionit tregtar, përherë e më pak ndeshemi me konceptin dhe domosdoshmërinë e aktit të themelimit (kontratës), duke dalë përherë e më shumë në pah funksionimi i shoqërive (sidomos atyre aksionare) që marrin jetë dhe ushtrojnë veprimtarinë vetëm mbi bazën e statutit.

Pas paraqitjes se çfarë përfaqëson nocioni i kontratës së shoqërisë, trajtohen gjërësisht dhe në mënyrë komplekse disiplinat e shoqërive, sipas tipeve: shoqëria e thjeshtë, shoqëria me emër kolektiv, shoqëria komandite e thjeshtë, shoqëria me aksione, shoqëria komandite me aksione (kjo mungon në ligjin shqiptar 9901/2008, për tregtarët dhe shoqëritë tregtare) dhe shoqëria me përgjegjësi të kufizuar.

Krahas këtyre tipeve të shoqërisë fitimprurëse, bëhet edhe analiza e detajuar e shoqërive koo-perative, ndër të cilat edhe shoqëritë e sigurimit reciprok.

Në ndryshim nga legjislacioni shqiptar, që u njeh të gjitha tipeve të shoqërive personalitetin juridik (në fitimin e regjistrimit në QKB), në legjislacionin italian shoqërive të personave ligji u ka njohur një autonomi pasurore dhe vetëm shoqërive të kapitalit personalitetin juridik. Në rastin e parë, ligji vepron mbi terrenin objektiv të pasurisë së shoqërisë, në rastin e dytë edhe në terrenin subjektiv, duke proceduar në një unifikim formal të subjekteve. Të dy konceptet, si ai i autonomisë pasurore, ashtu dhe ai i personalitetit juridik, nuk i kundërvihen njëri tjetrit, por, për më tepër, duken si shkallë të të njëjtit fenomen, shkak për të cilin u lejohet shoqërive me autonomi të thjeshtë të transformohen në shoqëri që kanë personalitet juridik dhe anasjelltas (neni 2498 e në vijim).

Ajo që ka rëndësi praktike është, se të parat janë të organizuara në bazë të pasurisë së personave të ortakëve, të dytat në funksion të kapitaleve të kontraktuara. Ky dallim mbetet ende i vështirë për t’u bërë, edhe sot, për shoqërinë e thjeshtë dhe më i vështirë bëhet sidomos për shoqëritë kooperative.

nteresant paraqitet trajtimi i shoqërive të themeluara nga subjekte që ushtrojnë profesione të lira, për shëmbull, avokatët, në zbatim të Direktivës n. 98/5/BE, ku me dekretin legjislativ 96/2001, është pranuar formimi dhe funksionimi i shoqërive ndërmjet avokatëve (neni 16 e në vijm), në formën e shoqërive me emër kolektiv (në Shqipëri bashkimet e avokatëve janë të organizuara kryesisht në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar).

Me rëndësi praktike paraqitet trajtimi i ndërmarrjes (sipërmarrjes) martesore, së bashku me sipërmarrjen familjare, ose dallimi ndërmjet ndërmarrjes martesore dhe ndërmarrjes shoqërore (kuptuar të organizuar në shoqëri), ku dallimi qendron në profilin e ndryshuar shkaksor: ndërmarrja bashkëshortore i përket një faze parashoqërore, ku ajo është ende pjesë e ekonomisë shtëpiake dhe nuk ka dallim ndërmjet arkës së ndërmarrjes dhe asaj familjare.

Me rëndësi praktike është edhe trajtimi që i bëhet analizës së nenit 2265, ose i ashtuquajturi pakti luanit: ku lirisë për të kontraktuar në shoqëri ligji i ka vendosur një kufizim, pasi deklaron të pavlefshme marrëveshjen, me të cilën një ose disa ortakë përjashtohen nga çdo pjesëmarrje në humbje ose në fitim. Arësyeja është e thjeshtë: askush nuk mund të jetë ortak në shoqëri pa marrë pjesë në rezultatet e saj. Në praktikë, palët tregojnë kujdes për të maskuar paktin e luanit, me klauzola të tjera, për mos rënë dukshëm në ndalim.

Pa marrë përsipër të trajtojmë të gjithë problematikën e që paraqet përmbajtja e librit të dytë, duhet thënë me siguri, se në të gjendet zhvllimi i plotë, i gjerë dhe kompleks thuajse i të gjitha disiplinave të shoqërisë tregtare, duke u dhënë zgjidhje ligjore të mundshme shumë problemeve të mbetura ende “pa krye” nga legjislacioni shqiptar, pavarësisht shkaqeve që i kanë bërë të tilla, të cilat në gjendjen aktuale kanë nevojë të ndryshohen ose përmirësohen.

I tillë paraqitet, për shëmbull, likiudimi i shoqërisë në gjendjen e aftësisë paguese. Në ligj nuk jepen zgjidhje për revokimin e kësaj gjendje, edhe në rastet kur arrihet të eleminohet shkaku që ka determinuar krijimin e kësaj gjendje. Në këtë kuptim, ligji i ri nr. 9901/2008, për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, në ndryshim nga ligji i vjetër nr.7638, datë 19/1992, i cili lejonte riaktivizimin e veprimtarisë duke hequr gjendjen e likuidimit, përbën një hap pas dhe paraqitet regresiv, duke mos iu përgjigjur kërkesave të kohës: sot, ky fenomen paraqitet tepër negativ, për efektet ekonomiko dhe sociale që sjell në ekonominë e vendit, të vetë shoqërive të deklaruara të prishura dhe të vendosura në likuidim, si dhe të ekonomive familjare të punonjësve të pushuar nga puna, duke kërkuar kështu një zgjidhje mëse të shpejtë.

Të tilla fenomene shqetësuese kanë nevojë të evidentohen dhe zgjidhen nga institucionet përgje-gjëse shtetërore, pasi duhet ecur me ritmin e kohës dhe të dinamikës që dominojnë sot ekonominë e vendit.