Sigal

Shembja e urës “Morandi” në Genoa të Italisë ka tërhequr vëmendjen për gjendjen e urave në Shqipëri.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro tha në një deklaratë për mediat se gjendja e urave në vendin tonë nuk është as alarmante, as emergjente dhe se ky autoritet është në monitorim të vazhdueshëm.

“Nga analiza që bën ARRSH, pavarësisht ngjarjes që ka ndodhur në Itali, ne kemi kërkuar në buxhet që vitin e kaluar për të bërë projekte për urat të cilat janë më problematike në Shqipëri, që kërkojnë ndërhyrje. Janë bërë të njohura në shtyp se cilat janë këto objekte.

Për projektin që do të ketë në fokus urat të cilat kërkojnë ndërhyrje, Qendro tha se brenda dy javësh do të shpallet kompania fituese.

Është hapur një garë që është në proces final. Brenda dy javëve do kemi kontratën me kompaninë fituese e cila do bëjë projektin me të gjitha elementët teknikë që duhet të bëjmë ne ndërhyrje për urat sipas listës”, tha Qendro.

Ai bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës ka ngritur një grup pune, i cili do të inspektojë të gjithë veprat e artit në Shqipëri. Qendro shtoi se konkluzionet do t’u vihen në dispozicion edhe bashkive, në mënyrë që të paraprihet çdo situatë e ngjashme me atë të Italisë.

Kreu i ARRSH-së tha se ky institucion ka në administrim 175 km rrugë dhe 1200 vepra arti.

“Ka një kontroll periodik dy herë në vit për veprat e artit  dhe kemi një ndërhyrje të vazhdueshme për të gjitha veprat e artit që gjatë periudhës që mirëmbahen shfaqin probleme. Kemi ndërhyrë në tre vitet e fundit në 25 ura, gjithashtu nga projekti TAP janë përmirësuar 30 ura, të gjitha me karakteristika teknike.

Kemi ndërhyrje dhe në disa ura të reja që po bëhen; ura e Drojës, Zemblakut dhe ura në Sulov. Jemi në mënyrë të vazhdueshme  në monitorim dhe ndërhyrje për të gjitha veprat e artit që ka rrjeti rrugor shqiptar”, shtoi ai.

Qendro sqaroi në fund se, ARRSH ka menduar të bëjë një urë pa hyrë në qytetin e Tepelenës, që do të lidhë gjithë aksin që shkon drejt Korçës. Ky vendim, sipas tij, është marrë pasi urat e Leklit dhe Dragotit, që përshkohen për të ikur në aksin Tepelenë-Përmet e Ersekë-Korçë, kërkojnë ndërhyrje.

Lista e urave problematike

Ura Leklit

Ura e Dragotit

Ura e Vorës

Ura e Tapizës

Ura e Zëmblakut

Ura e Kalulit

Nyja në diznivel e në Bushnesh

Ura lidhëse e Levan-Tepelenë dhe Dragot-Përmet