Auditi i KLSH-së për menaxhimin e burimeve natyrore, alarm “SOS” për pasuritë kombëtare

522
Sigal

Triumfi i koncesionarëve, AKBN ia “fut” shtetit, të dyja ia “fusin” popullit

 “Pavarësisht se gjendja paraqitet tejet e rëndë dhe jashtë çdo autoriteti të shtetit mbi pasuritë kombëtare, të cilat vazhdojnë të përdoren në mënyrë të jashtëligjshme, shkatërrohet mjedisi në mënyrën më barbare dhe shfrytëzohen njerëz si në mesjetë, autoritet shtetërore përgjegjëse për të marrë masa dhe ndëshkuar cilindo që dhunon e cenon pasurinë kombëtare mjaftohen me raporte të vazhdueshme të cilat në shumicën e rasteve mbeten në sirtarët apo arkivat e institucioneve si dëshmi e shkatërrimit, përballë apatisë së instancave shtetërore, kryesisht për mungesë vullneti dhe bashkëpunimi”. Në këtë përfundim ka arritur Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj pas auditit në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, e paraqitur para deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, pjesë e raportit “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2013”.

 Auditi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

 Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (e cila auditohet për herë të parë që nga krijimi në vitin 2006) në drejtim të transaksioneve financiare dhe në zbatimin e procedurave ligjore si dhe përmbushjen e detyrave funksionale të kësaj Agjencie për periudhën e aktivitetit të vitit 2013, ku duhet theksuar fakti që audituesit e KLSH patën qasje të kufizuar në dokumentacionin e marrëveshjeve hidrokarbure, duke e shtyrë auditimin e plotë të këtij sektori për periudhën në vijim.

Nga auditimi i AKBN-së, rezultoi si vijon:

1. Kjo Agjenci në veprimtarinë e saj administrativo –ligjore është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, duke funksionuar me një status “hibrid”, pa përcaktime të sakta ligjore të cilat të rregullojnë veprimtarinë e saj. Kjo ka sjellë dhe shpenzime të pajustifikuara apo dëme në mënyrën e administrimit të fondeve në dispozicion, ku vetëm për vitin 2013 ky keqpërdorim arrin në vlerën prej rreth 34,5 milionë lekë.

2. Në funksionimin e AKBN është konstatuar mungesë rakordimi të veprimeve me Autoritetin Kontraktor (Ministria e Energjetikes dhe Industrisë-MEI) për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave. Veçanërisht, mbi dokumentacionin ekonomiko-financiar që duhet të paraqesin koncesionarët për zbatimin e kontratës në faza të ndryshme të ndërtimit (bilance, fatura, etj), të cilat në shumë raste mungojnë, ose nuk janë të firmosura sipas bazës ligjore, mungesa e dokumentacionit ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera, duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga Autoriteti Kontraktor. Një shkak për gjendjen e krijuar në fushën e dokumentacionit për monitorimin është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ish METE dhe koncesionarëve, pa përfshirë AKBN, si institucioni monitorues.

3. Nga auditimi konstatohet se, për HEC-et që kanë filluar prodhimin e energjisë elektrike, nuk ndiqen detyrimet e koncesionarit për kryerjen e testimit të veprës energjetike, vlerësimin e investimit, detyrimet e koncesionarit për derdhjen në vlerë në arkën e MEI të tarifës koncesionare sipas kontratës dhe rakordimet vjetore, për të përcaktuar përmbushjen e detyrimit për prodhimin e energjisë elektrike vjetore sipas kontratës.

4. Nga auditimi i dokumentacionit (që nuk është i plotë), ka rezultuar se KESH sh.a., që në bazë të një kontrate me koncesionarin, merr në dorëzim për llogari të MEI sasinë e energjisë elektrike të prodhuar, me fatura mujore, ka mbajtur tarifën koncesionare sipas energjisë elektrike të prodhuar dhe sipas tarifës në përqindje. KESH sh.a. detyrohet që vlerën e tarifës koncesionare, ta derdhë në arkën e Ministrisë të Energjisë dhe Industrisë, por që me argumentin e vështirësive financiare, nuk e ka derdhur. Përveç tarifës koncesionare, koncesionari për mosrealizimin e prodhimit vjetor të energjisë elektrike për faj të tij, penalizohet me 5 % të vlerës të energjisë elektrike të parealizuar, duke llogaritur të plotë edhe tarifën koncesionare dhe jo sipas prodhimit faktik të realizuar. Këto llogaritje nuk janë bërë nga Autoriteti Kontraktor.

5. Nga auditimi i dokumentacionit rezulton se për vitin 2013, nuk është kryer testimi i HEC-eve që janë vënë në punë, duke mos zbatuar procedurat e përcaktuara në Kontratës Koncesionare. Moskryerja e këtyre procedurave në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nuk ka dhënë mundësi të përcaktohet nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara për fuqinë e vendosur, makineritë e vëna në HEC, llojet, origjina e tyre etj.

Lejet minerare

Në lidhje me auditimin per monitorimin e lejeve e licencave të shfrytëzimit të burimeve

natyrore minerare rezultoi se:

1. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) nuk ka hartuar asnjë raport monitorimi për të dy gjashtëmujorët e vitit 2012, bazuar mbi mbikëqyrjen që duhet të kryenin gjatë kësaj periudhe në subjektet që ushtrojnë veprimtari të shfrytëzimit minerar, duke mos përmbushur detyrimin ligjor të saj, megjithëse ka kryer shpenzime dhe përdorur fonde për hartimin e raporteve të monitorimit.

2. Në raportin e vitit 2013, shumë nga treguesit e monitorimit të lejeve minerare nuk janë

koherentë duke humbur besueshmërinë e gjendjes reale të treguesve të aktivitetit të lejeve

minerare, pasi bazohen në raportet dhe akt konstatimet e viteve të mëparshme apo

vetëdeklarimet e vetë subjekteve. Mënyra e trajtimit nga ana e specialistëve dhe masat e

propozuara nga drejtuesit e AKBN gjatë vitit 2013 nuk kanë qenë në mbrojtje të interesave të shtetit. Mos aplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim gati barbar të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat mjedisore në të cilat ata operojnë.

3. Nga auditimi u konstatua se në shumë rrethe të vendit zhvillohet aktivitet minerar nga ana e subjekteve të palicencuara, të cilat jo vetëm zhvillojnë veprimtari të paligjshme, por sjellin edhe një dëm mjedisor si nga pikëpamja vizive, por edhe nga emetimet në atmosferën përreth të gazrave të dëmshëm. Nga strukturat përgjegjëse nuk janë marrë masa që në bashkëpunim me pushtetin lokal të kërkohet dhe ndihma e Policisë së Shtetit, duke bërë evidentimin dhe ndalimin e subjekteve të palicensuar, që zhvillojnë aktivitet privat minerar të paligjshëm. Në zona të ndryshme konstatohen raste të tjetërsimit të lejes minerare të shfrytëzimit te persona të tjerë në mënyrë të paligjshme dhe deri në ushtrimin e aktivitetit prodhues minerar në zona të palicencuara.

5. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga sektori i Garancive dhe Rehabilitimit Mjedisor rezulton se nga 741 subjekte të regjistruara me leje minerare rreth 393 subjekte nuk kanë depozituar asnjë vlerë monetare, si garanci për rehabilitimin e zonës, në shkelje të ligjit minerar. AKBN ka lejuar që këto subjekte të mos e zbatojnë këtë detyrim ligjor, mungesa e kësaj garancie rrezikon dhe shuan mundësinë e rikthimit të këtyre zonave në gjendjen mjedisore të mëparshme, duke i shkatërruar përfundimisht ato. Rreth 121 subjekteve për të cilat është propozuar revokimi i lejes minerare, rezulton të kenë garanci financiare të padepozituara për vitin 2011 dhe vitin 2012 në vlerë të përllogaritur në shumën 88.6 milionë lekë, të cilat duhet të kalonin në favor të buxhetit të shtetit dhe të përdoreshin për rehabilitimin e zonave, ku është kryer veprimtaria minerare.

KLSH vlerëson nismën për ndryshime ligjore në ligjin Minerar, ndryshime te miratuara nga Kuvendi, më datë 8 tetor 2014, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e situatës së rëndë në aktivitetin minerar të vendit.