Atentati ndaj Ndojit, Arta Marku nis verifikimet për prokurorin

520
Sigal

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka reaguar pas thirrjes së KLP për të nisur hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur pas një atentati më 1 nëntor.

Në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se ka nisur prej dje verifikimi i fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Ndoja, duke sqaruar edhe se ku konsistojnë këto verifikime.

“Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku prej ditës së djeshme dt 05.11.2019 ka filluar verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë në mbledhjen e të dhënave për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja ‘a’ të ligjit 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një shkrese dërguar kryeprokurores Arta Marku, kërkoi sot të nisë hetimi disiplinor ndaj prokurorit Ndoji, për të zbuluar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore.

KLP e cilëson atentatin te mbikalimi i Shkozetit një ngjarje të rëndë në radhët e magjistratëve dhe të sistemit të drejtësisë në vend, ndërsa thekson se duhet vërtetuar nëse prokurori Ndoji drejton ose jo një studio ligjore, ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Sipas KLP, nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.