Atentati me eksploziv në Fier, zbulohet zinxhiri i vrasjeve mes kushërinjve

611
Atentati mafioz i dy netëve më parë ndaj Armand Sulos po hetohet në disa pista nga ekspertë të hetimit. Burime prej grupit hetimor bëjnë me dije për “Panorama” se shënjestra e atentatit është i skeduar si person me precedentë penalë, pasi 34-vjeçari rezulton të jetë arrestuar dy herë nga policia në harkun kohor prej vitit 2003 deri në 2016.

Sipas burimeve, një nga arsyet kur i riu është arrestuar në muajin qershor të vitit të kaluar me armë në brez, ka qenë se ai ruhej nga ndonjë atentat i mundshëm për shkak të një zinxhiri vrasjesh të nisur prej vitit 1997, ku përfshihej daja i tij.

Automjeti “BMW” i 34-vjeçarit u hodh në erë kur Sulo po dilte për kafe me miqtë e tij. Sipas mjekëve, Sulo i ka shpëtuar rrezikut për jetën, por ka humbur tërësisht njërën nga këmbët, ndërsa tjetra i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët në Spitalin e Traumës në Tiranë ende nuk shprehen nëse edhe këmba e mbetur mund të vihet në funksion të plotë.

Nisja e konfliktit mes familjeve
Në një retrospektivë të jetës së mbushur me vrasje e atentate, mësohet se zanafilla e tyre ka nisur në vitin 1997, vit kur pas një vale sulmesh mes bandash në qytetin e Fierit, mbeti i ekzekutuar 30-vjeçari Elton Brahimaj.

Në atë kohë, pak vëmendje iu dha ngjarjes, për shkak edhe të trazirave që përfshinë vendin, por pasi situata u qetësua, familjarët e Brahimajt, të cilët dyshohej se hetonin privatisht mbi vrasjen e djalit të tyre, organizuan një atentat ndaj oficerit të Policisë në Fier në atë kohë, Astrit Braçe.

Ekzekutimi i Braçes u bë në vitin 2001, ku bashkë me të, në pritë, mbeti i vdekur edhe djali i tij. Edhe pse policia shoqëroi shumë persona si të dyshuar për vrasjen, por po ashtu edhe shumë të tjerë që mund të kishin dijeni, asnjë person nuk u arrestua në cilësinë e autorit të vrasjes së dyfishtë. Mungesa e një autori bëri që familjarët e Braçes ta hetonin vetë ngjarjen.

Ata nisën të kishin dyshime të forta se një i afërm i Brahimajt mund të kishte qenë autori i vrasjes së Braçes. Kështu, në këtë zinxhir dyshimesh e hakmarrjesh, në vitin 2003 vritet Adriano Molla, i afërmi i Brahimajt (djalë teze).

Vrasja e Adriano Mollës
Të parët që u shoqëruan në polici si autorë të dyshuar ishin familjarë të ish-oficerit Braçe, ndër të cilët ishte edhe Armand Sulo, në atë kohë vetëm 20 vjeç. Edhe pse u mbajt për disa orë i shoqëruar, ai u la për mungesë provash.

Në atë kohë hetimi u shpreh se “nuk ka asnjë provë që e lidhin Armand Sulon me vrasjen e Adriano Mollës”. Pas kësaj vrasjeje, te të dyja kampet e familjeve situata paraqitej e qetë dhe pa ngjarje për panik, por realisht të dyja palët i frikësoheshin njëra-tjetrës për një hakmarrje të mundshme.

Të gjithë nipër e mbesa të të dyja palëve qëndronin në distancë njëra nga tjetra dhe të paekspozuar në ambiente publike prej vitesh. Ndërkohë që kapja me armë e Sulos 8 muaj më parë tregoi se këta të fundit i trembeshin një hakmarrjeje dhe për këtë lëviznin të armatosur.

Hetuesit gjithashtu kanë marrë deklarata edhe prej të afërmve të 34-vjeçarit lidhur me konflikte të tjera të mundshme, dhe për këtë janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes.
Sigal