Atdheu nuk mund të ketë pavarësi dhe përparim pa bukë dhe pa naftë!

893
Albert Z. ZHOLI
Flet inxhinieri gjeolog, Prof. Alfred Frashëri, 100-vjetori i nxjerrjes nga nëntoka të litrave të parë të naftës shqiptare
-Çfarë sektorësh të tjerë kishte kantieri naftës në Patos?
Në kantierin e naftës në Patos ishin edhe Ofiçina Mekanike, Parku i Transportit, Stacioni elektrik. Nuk mund të kuptohej puna e madhe në puse pa bazën e transportit, shoferët e të cilës punonin ditë e natë, në verë dhe duke i tërhequr makinat e tyre nëpër baltë deri në gju me traktor në dimër, për të shkuar dhe furnizuar puset. 
Krahas naftëtarëve, në Patosin e viteve pesëdhjetë punonin me shumë devotshmëri edhe mjekët, farmacistët, dentistët dhe mësueset, që mësonin dhe edukonin me përkushtim fëmijët e naftëtarëve. Mundësitë ekonomike, tekniko-shkencore dhe sociale që shteti kishte vënë në dispozicion të industrisë së naftës, krijuan kushtet e organizmit të armatës së naftëtarëve, që me punën dhe veprimtarinë e devotshme dhe të palodhshme, me përkushtim dhe këmbëngulje, të kualifikuar e të disiplinuar dhe me sakrifica të mëdha, realizuan objektivat që duheshin arritur për pavarësinë e vendit dhe përparimin e tij, për ta shndërruar nga një vend bujqësor i prapambetur në një vend industrial dhe me bujqësi të përparuar. Ata krijuan mundësitë, që pasi u vunë në punë vendburimet e Kuçovës dhe Patosit të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, të fillojë një punë kantieri kërkimore intensive për zgjerimin e tyre. Nga vitet pesëdhjetë deri në vitet tetëdhjetë u zbuluan 12 vendburime të rinj nafte në ranorë dhe gëlqerorë: Marinza, Visoka, Ballshi, Gorisht-Koculi, Cakrani, Kolonjë-Bubullimë, Finiq-Krane, Amonicë, Hekal-Karbunarë, Mollaj, Delvinë, si edhe vendburimet e gazit, Divjakë, Kryevidhi, Ballaj, Frakulla, Povelçë, Panaja, Currilat në detin Adriatik etj. Ky zhvillim u arrit edhe nga realizimi i shpimit të qindra puseve të thellë, duke arritur edhe në thellësi deri 6700 m. U realizua nxjerrja nga nëntoka dhe të përpunoheshin 2.250.000 ton naftë në vitin 1974 si edhe 940 milionë m3 gaz në vitin 1982. 
Prodhimi i naftës në vitet 1935-2001, në ton. [Google/ ALBPETROL- Prodhimi i naftës]
Këto suksese dhe arritjeje i bëjnë nder Armatës heroike të Naftëtarëve, veçanërisht në këto ditë të përkujtimit të 100-vjetorit të Naftës Shqiptare. Fatkeqësisht, ashtu si edhe e gjithë industria shqiptare, në vitet e tranzicionit u rrënua edhe industria e naftës dhe e gazit. Nuk ka më institucione shkencore shqiptare të kërkimit të naftës dhe gazit, nuk ka më ndërmarrje të shpim kërkimit, të gjeofizikës etj. Kompania aksioniste ALBPETROL në vitin 2914 nxori vetëm 45.384 ton naftë, kurse kompanitë e huaja koncesionare 1.322.000 ton nga vendburimet ekzistuese. Nëse gjatë një çerek shekulli naftëtarët shqiptarë zbuluan 12 vendburimet e rinj nafte dhe 7 gazi, gjatë 25 viteve të tranzicionit, kompanitë koncesionare nuk kanë zbuluar asnjë, megjithëse blloqet e tyre ku kanë punimet janë shtrirë në zona e rajone perspektive.
Harta e blloqeve të koncesionëve të naftës në ditët e sotme [Google, Albpetrol]
Këto kompani nuk kanë konkretizuar as edhe zbulimin e disa viteve më parë, të një vendburimi në zonën e Shpiragut, paçka që edhe këtë zonë e kishin vlerësuar dhe projektuar pus gjeologët shqiptarë që në vitet tetëdhjetë. Madje, siç është thënë, edhe për të arritur strukturën gëlqerore naftëmbajtëse për një pus u shpuan pesë trungje, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë, asnjëherë në Shqipëri, me puset e shpuar nga naftëtarët shqiptarë. Por ajo çka është më e dhimbshme është flakja e specialistëve të naftës, që nga punëtorët e pontit të manovrës në puse, deri tek teknikët, inxhinierët dhe shkencëtarët. Më të fortët, më të diturit, më të përgatiturit u detyruan të braktisin vendin dhe sot punojnë në profesionet e tyre në vende të ndryshme të botës, ata nuk i kemi sot më. Vlerat dhe investimi shqiptar shfrytëzohet nga të tjerët. Ata që kanë mbetur këtu nuk i pyet më asnjeri për problemet e naftës, megjithëse u përgatitën dhe punuan gjatë dhjetëra viteve, shteti shqiptar investoi shumë për formimin e tyre profesional. Ata janë vlera të çmuara të ekonomisë dhe kulturës së atdheut. Këtë nuk e bën asnjë vend, që do të përparojë. As kjo armatë e madhe naftëtarësh, as edhe institucionet shkencore, që u ngritën gjatë dhjetëvjeçarëve, me mund, sakrifica dhe me shpenzime të mëdha, nuk ngrihen në një ditë a në një vit dhe me një urdhër a vendim i kujtdo qoftë. Kjo gjendje solli rënien e prodhimit të naftës, aq sa në vitin 2005 u nxorën vetëm 448,000 ton naftë. Pas këtij viti, në kuadrin e veprimtarive të kompanive të huaja koncesionere filloi një rritje graduale e nxjerrjes së naftës, duke arritur në 1.368.000 ton në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë të dhënë se sa ka përfituar shteti shqiptar nga kjo rritje, ku vajti gjaku i ekonomisë shqiptare.
Prodhimi i naftës në vitet 1929-2014, në ton. (Google/ ALBPETROL- Prodhimi i naftës)
Gjendja aktuale e industrisë së naftës i shqetëson dhe i bën të vuajnë shpirtërisht naftëtarët, që ende janë këtu, qoftë edhe në moshën e tretë, se për brez pasardhës të ri nuk bëhet fjalë. Prandaj e gjejmë të udhës ti drejtohemi institucioneve shtetërore shqiptare dhe naftëtarëve: Le të kujtojmë 100 vjetorin e zbulimit të naftës në Atdheun tonë, le të nderojmë punën vetëmohuese, me sakrifica të mëdha të naftëtarëve, ditën dhe natën, në zhegun e korrikut dhe në acarin e dimrit. Ky kremtim nuk ka vetëm rëndësinë e nderimit. Ai ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe për të ndërgjegjësuar dhe programuar ç’duhet bërë në të ardhmen, që pasurinë e paçmuar që na ka falur natyra ta kërkojmë, ta nxjerrim dhe ta vëmë në dobi të ekonomisë së vendit, siç duhet, në nivele teknike dhe sociale të ditëve tona. Kjo veprimtari do të jetë një premtim frymëzues dhe mobilizues për institucionet shtetërore dhe për brezin e ri. Është në moralin e popullit tonë dhe te armatës së naftëtarëve shqiptarë, sidomos të elitës së saj 
të moshuar dhe më të re, që këtë jubile ta organizojë 
dhe ta festojë sa më mirë, që ti bëjmë të ditur gjithë botës se Shqipëria është një vend naftë- mbajtës, se nafta ka qenë vaji i kuzhinës tonë ekonomike, se nafta shqiptare është zbuluar kryesisht nga specialistët dhe shkencëtarët shqiptarë. Në Kongresin e Shoqatës së Gjeo-shkencëtarëve dhe Inxhinierëve të Evropës” (EAGE) në Firence të Italisë në vitin 1991, pasi referova, një gazetar më bëri një pyetje: “Tani që Shqipëria po bëhet vend i hapur dhe do të vinë atje ekspedita nga vendet e përparuara, me siguri do të gjeni më shumë vendburime nafte e gazi, bakri e kromi etj.” Me bindje të plotë unë iu përgjigja: “Jo, nuk do të gjejnë asgjë më shumë dhe më shpejt sesa i kemi gjetur ne. Ekspeditat e tyre do të drejtohen nga specialist e profesorë të shquar, do të jenë të pajisura me teknikën më të re, por ju ngatërroni një gjë: Gjeologjia nuk është si, fjala vjen, ndërtimi i një godine a një rruge. Gjeologjia është si gjuha e mëmës. Që të zbulosh një vendburim, duhet ta njohësh mirë tokën, dheun e vendit, ta kesh shkelur e studiuar për kohë të gjatë strukturat gjeologjike dhe të vlerësosh perspektivën e tyre mineralbartëse. Por që ta njohësh mirë nëntokën duhet ta duash më shumë se veten tokën ku ke lindur dhe ku vë kokën, nuk mjafton vetëm teknika. Vendburimet deri tani i kanë zbuluar kryesisht shqiptarët”. Këtë e përsërita edhe në Kongresin e Shoqatës Gjeofizike të Ballkanit në vitin 2013. Njëzet e pesë vitet e tranzicionit e kanë vërtetuar këtë mendim plotësisht. Kompanitë e huaja koncesionare deri më sot nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte, gazi, bakri apo kromi, etj. Vetëm kanë shfrytëzuar pasuritë e Shqipërisë, pasuri që i kanë gjetur dhe vënë në punë naftëtarët, gjeologët dhe minatorët shqiptarë. Ka ndonjë që thotë: “Epo paratë e tyre harxhuan”. Jo o njeri, vërtet paratë ishin të tyret, por koha ishte e jona, e shqiptarëve. Le të shpresojmë se kjo gjendje do të ndryshojë duke kuptuar thelbin e çështjes dhe çfarë duhet bërë. Programi ekonomik i brezit të rilindësve të fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, u vu i plotë ne jetë pas çlirimit te vendit më 29 Nëntor 1944, kur kërkimi dhe nxjerrja e naftës dhe mineraleve te tjerë te dobishëm ishin përparësi, gur themeli i zhvillimit te qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Shteti shqiptar, industrinë e naftës e gazit e organizoi, ngriti dhe e zhvilloi në nivelin bashkëkohor shkencor-teknik dhe organizativ. 
Në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike dhe sociale botërore, në këtë fillim të shekullit të 21-të, ne na duhet të zgjidhim problemin se si duhet të bashkëpunojmë me shtetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, por kurdoherë pa i lënë pasuritë natyrore të atdheut në duart e huaja siç kemi bërë këto 25 vjet, ato të mbeten pasuri e popullit shqiptar, burim për ekonominë e vendit, siguri për pavarësinë e Atdheut.
Teknikët Hamdi Bejtja, Tomi Kristo, Alfred Frashëri, Patos, 1954
Këto kujtime dua t’i përfundoj duke shkruar për një dukuri, e cila në vetvehte është tregues i ndërgjegjes shoqërore dhe asaj personale. Naftëtarët, që nga punëtori më i thjeshtë e deri tek mjeshtërit, teknikët, inxhinierët, edhe administratorët në përgjithësi u lidhen me naftën për jetë. Shkonin, kryenin shërbimin ushtarak, mësonin në shkollat e larta të inxhinierisë brenda dhe jashtë shtetit, transferoheshin në institucione të ndryshme, por përsëri mbeteshin dhe e quanin veten pjesëtarë të armatës së naftëtarëve. Para nevojës, rëndësisë dhe vlerës së naftës, të cilën njerëzit e ndjejnë deri në shtëpitë e tyre, në familjen e tyre, naftëtarëve nuk u hynin në sy vështirësitë e punës, që nuk ishin vetëm për ata që punonin në puset, por e ndjenin edhe familjet e tyre, gratë dhe fëmijët. Na ka mbetur në mendje një kërkesë e djalit tonë dhjetë vjeçar, Ermalit, që një ditë dimri në vitet tetëdhjetë, kur nuk kish vajguri në dyqan dhe nuk ndiznim sobën me vajguri, ai më thirri nga shpirti i tij: “Mos rri, po ngrehu dhe shko e gjej naftë!”. Thirrje, që në mendjen dhe zemrat e tyre, e ndjenin të gjithë naftëtarët.